Sunday, August 1, 2010

SHBA Bota e fshehtë e pas 11 shtatorit

Bota e fshehtë e krijuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara pas atentateve terroristë të 11 shtatorit 2001 është bërë kaq e madhe dhe kaq top sekret, saqë askush nuk e di sa kushton, sa vetë punojnë dhe cilët janë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Hetimi i “The Washington Post” ka zbuluar një gjeografi të vërtetë alternative të shteteve të bashkuara, një Amerikë të fshehur nga sytë e opinionit publik. Pas nëntë vitesh rritje të paprecedentë, sistemi i krijuar për të garantuar sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është kaq kolosal, saqë është e pamundur të thuash nëse funksionon apo jo. Bëhet fjalë për 1271 organizata qeveritare dhe 1931 kompani private që punojnë me detyra kundër terrorizmit, sigurisë së brendshme në pothuajse dhjetë mijë zyra në të gjithë SHBA. Përllogaritet që janë 854 mijë persona, pothuajse një herë e gjysmë sa popullsia e Uashingtonit. Në Uashington dhe në zonën përreth tij, pas shtatorit të vitit 2001 janë ndërtuar 33 komplekse ndërtesash për veprimtarinë e shërbimeve top sekret. Të marrë së bashku zënë një hapësirë sa trefishi i sipërfaqes së Pentagonit, pra afro 158 mijë hektarë. Shumë agjenci të sigurisë dhe shërbimit të fshehtë bëjnë të njëjtën punë, duke shkaktuar dublime dhe shpërdorime. Për shembull, 51 organizata federale dhe komanda ushtarake që operojnë në 15 qytete të SHBA ndjekin fluksin e parasë që vijnë e shkojnë drejt organizatave terroriste. Analistët që interpretojnë bisedat dhe dokumentet e siguruar falë veprimtarisë së spiunazhit kombëtar dhe ndërkombëtar i ndajnë vlerësimet e tyre duke publikuar 50 mijë raporte të shërbimeve të fshehta në vit: një numër kaq i madh saqë shumë raporte injorohen në mënyrë sistematike. Nuk bëhet fjalë për çështje akademike. Është mungesa e vëmendjes dhe jo mungesa e burimeve, që shpjegojnë masakrën e Fort Hood apo atentatin terrorist të Krishtlindjeve 2009. Janë çështje që shqetësojnë shumë edhe disa përgjegjës për sigurinë e vendit. “Pas 11 shtatorit, gjithçka është rritur kaq shumë, saqë të arrish të orientohesh është një sfidë e vërtetë”, ka deklaruar sekretari i Mbrojtjes, Bob Gates. Në departamentin e Mbrojtjes, ku janë të përqendruar më shumë se dy të tretat e programeve të shërbimeve të fshehtë, vetëm një grup i vogël zyrtarësh të lartë, të quajtur Superuser, janë në dijeni të të gjithë veprimtarisë së departamentit. Por, siç kanë lënë të kuptohet në intervista të ndryshme dy prej tyre, është praktikisht e pamundur të mbetesh i informuar për punën më delikate të vendit. “Nuk do të jetoj aq gjatë sa duhet për tu informuar për gjithçka”, ka thënë njëri prej dy Superuser-ave. Tjetri ka treguar që për përmbledhjen e parë informative e çuan në një dhomë të vogël të errët, ku e ulën në një tavolinë dhe i thanë se nuk mund të kishte takime. Në një ekran filluan të tregojnë emrat e programeve antiterrorizëm, njëri pas tjetrit, deri kur ai, i dëshpëruar thirri: “Stop!”: “Nuk arrija të memorizoja asgjë”. Për të theksuar seriozitetin e situatës janë konkluzionet e gjeneralit në pension, John r. Vines, i cili vitin që kaloi u ngarkua të rishikonte metodën për ndjekjen e programeve më delikatë të departamentit të mbrojtjes.

Vines që ka komanduar 145 mijë vetë në Irak dhe di si të përballojë problemet, ka mbetur i tronditur nga ajo që ka zbuluar: “Nuk njoh asnjë agjenci që të ketë autoritetin, përgjegjësinë apo një program për koordinimin e të gjithë këtyre aktiviteteve”, tha ai. “Kompleksiteti i sistemit është i papërshkrueshëm”. Rezultati, ka shtuar ai, është se është e pamundur të thuash nëse falë të gjithë këtyre shpenzimeve dhe aktiviteteve vendi është sot më i sigurt. “Duke qenë se mungon një proces koordinimi, gjithçka zgjidhet me mesazhe jo në harmoni, efikasitet të vogël dhe shpërdorime. Për këtë arsye nuk mund të vlerësojmë realisht nëse e gjithë kjo na bën më të sigurt”.

Investigimi ynë bazohet në dokumente publikë dhe kontrata, përshkrime pune, pirgje aktesh, faqe interneti dhe rrjetesh socialë, si dhe qindra intervista me funksionarë dhe ish funksionarë të shërbimeve të fshehtë, forcave të armatosura dhe kompanive të ndryshme. Shumica e tyre kanë kërkuar të ruhet anonimati sepse nuk janë të autorizuar të lëshojnë deklarata apo sepse tremben për pasoja ndaj punës së tyre. Baza e të dhënave e organizatave qeveritare dhe kompanive private të hedhur online nga “Washington Post” është realizuar ekskluzivisht me dokumente publikë. Investigimi është përqendruar tek aktivitetet top-sekret sepse ata të klasifikuar si më pak sekretë janë thjeshtë shumë për tu studiuar në detaje.

Ofensiva globale

Përpara një distrikti të mbyllur në McLean, në Virginia, një kolonë automjetesh ecën përpara pothuajse me hap njeriu ashtu si çdo mëngjes, ndërkohë që në Amerikën top-sekret nis një ditë e re pune. Makinat presin me durim për tu kthyer djathtas, më pas ngjiten në një kodër dhe kthehen sërish për të mbërritur në një destinacion, i cili nuk ndodhet në asnjë hartë rrugore dhe nuk ka asnjë lloj sinjalistike. Liberty Crossing bën të pamundurën për tu fshehur. Por në dimër, pemët e zhveshura nuk munden të fshehin malin e betonit dhe dritaret, i madh sa pesë supermarkete Wal-Mart, që fshihet prapa një argjinature. Një hap më shumë po të bësh pa fletëhyrjen e duhur dhe ja tek shfaqen disa burra të veshur me të zeza që të drejtojnë tytën e pistoletave. Po të kalosh rojet e armatosur dhe rrethimin, të paktën 1700 vartës federalë dhe 1200 kontraktorë punojnë në Liberty Crossing, emri i koduar që tregon zyrat qendrore të drejtorit të shërbimit të fshehtë kombëtar si dhe qendrës kombëtare antiterrorizëm. Të dy zyrat ndajnë një forcë policore dhe mijëra vendparkime. Liberty Crossing është qendra e kompleksit të agjencive qeveritare dhe kompanive private që kanë mbirë si kërpudha pas shtatorit 2001. Por nuk është pjesa kryesore, më e kushtueshme apo më e fshehtë e industrisë së madhe të 11 shtatorit.

Mes tabelave të vendosura në hollin enjë pallati të madh në Arlington County nuk është ajo e një njësie të Air Force, e quajtur Xoiës. E megjithatë zyrat e saj janë në katin e tretë të ndërtesës. Në Elkridge, Maryland, një strukturë klandestine fshihet në një tjetër ndërtesë betoni, e cila ka dritare false për tu dukur si një ndërtesë normale zyrash. Në Arnold, në Missouri, ndërtesa ndodhet përballë dy dyqaneve të mëdhenj Target dhe Home Depot. Në St Petersburg, në Florida, ndodhet në një ndërtesë modeste me tulla në një lagje biznesi.

Çdo ditë, kudo në Shtetet e Bashkuara, 854 mijë punonjës publikë, ushtarakë dhe kontraktorë privatë kontrollohen dhe pranohen në zyra të mbrojtura nga kyçe elektromagnetikë, telekamera për njohjen e retinës së syrit dhe mure të fortifikuar për të mos u depërtuar prej aparaturave për interceptime mjedisore.

Nuk është ekzaktësisht “kompleksi ushtarako-industrial” i presidentit Eisenhower, i lindur me luftën e ftohtë dhe i destinuar për të ndërtuar armë bërthamore me funksione penguese kundrejt Bashkimit Sovjetik. Kjo është një industri sigurie kombëtare me një mision më të përgjithshëm: të mposhten terroristët kudo në botë.

Shumë prej informacioneve për këtë mision janë sekretë. Për këtë arsye është kaq e vështirë për të vlerësuar sukseset dhe pikasur problemet e Amerika top-sekret, si për shembull për të kuptuar nëse paratë shpenzohen në mënyrë të arsyeshme. Bilanci i shërbimeve të fshehtë amerikanë është shumë i madh. Vitin e kaluar janë deklaruar 75 miliardë dollarë, 21.5 herë më shumë krahasuar me 10 shtatorin 2001. Por kjo shifër nuk përfshin shumë aktivitete ushtarake dhe programe të brendshëm antiterrorizëm. Të paktën 20 për qind e organizatave qeveritare të thirrura për tiu kundërvënë rrezikut të terrorizmit janë krijuar ose ristrukturuar menjëherë pas 11 shtatorit. Të tjera, që ekzistonin edhe më parë, janë rritur në mënyrë jo të përpjesshme për arsye se administrata Bush dhe Kongresi donin që tu jepnin agjencive më shumë para nga sa mund të menaxhonin. Nëntë ditë pas atentateve, kongresi dha 40 miliardë dollarë, përveç parave të parashikuara tashmë në buxhetin federal, për të forcuar mbrojtjen e brendshme dhe për të nisur një ofensivë globale kundër Al Kaedës. Më pas u shtuan 36.5 miliardë dollarë të tjerë në vitin 2002 dhe 44 miliardë dollarë në 2003. Ishte vetëm fillimi.

Agjencitë ushtarake dhe të shërbimit të fshehtë janë shumëfishuar falë këtyre parave. Në fund të vitit 2001 ishin krijuar tashmë 24 organizata, mes të cilave zyra për sigurinë kombëtare dhe task forcat për gjurmimin e pasurive të terroristëve jashtë vendit. Në vitin 2002 u krijuan 37 të tjera për të gjetur armë të shkatërrimit në masë, për mbledhjen e të dhënave për rreziqe të mundshëm si dhe për koordinimin e nismave të reja antiterrorizëm. Vitin tjetër u shfaqën 36 organizata të reja, të ndjekura nga 26, më pas 31, pastaj 32 dhe në fund, të paktën 20 organizata në vit, në vitet 2008, 2009 dhe 2010. Në tërësi, si reagim pas 11 shtatorit janë krijuar apo ristrukturuar të paktën 263 organizata.

Secila ka kërkuar personel të ri dhe ka kërkuar gjithashtu mbështetje administrative dhe logjistike: centralistë, sekretari, arkivistë, arkitektë, marangozë, teknikë të ajrit të kondicionuar dhe pastrues, të gjithë me leje maksimale sigurie për të hyrë e për të dalë nga ndërtesat. Me kaq shumë vartës, njësi dhe organizata të reja, linjat e ndarjes mes përgjegjësive të ndryshme kanë bërë më konfuze dhe të padukshme. Për këtë arsye, me rekomandim të komisionit bipartizan të 11 shtatorit, në vitin 2004 administrata Bush dhe Kongresi vendosën që të ngrenë një agjenci mbikëqyrjeje, zyrën e drejtorit të shërbimeve të fshehtë kombëtarë (Odni), i ngarkuar për të mbajtur nën kontroll këtë përpjekje kolosale. Kur u inaugurua, në pranverën e vitit 2005, zyra e John d. Negropontes përbëhej nga 11 persona të vendosur në një lloj bunkeri pranë Shtëpisë së Bardhë. Një vit më vonë, agjencia u transferua në dy kate të një ndërtese tjetër. Në prill 2008 u instalua në zyrat e saj të përhershme, në Liberty Crossing.

Sot, shumë funksionarë që punojnë në agjencitë e shërbimit të fshehtë thonë se nuk i kanë të qarta idetë se cilat janë përgjegjësitë e Odni. Drejtori i fundit, Dennis C. Blair ka punuar fort për çështje dhe probleme shumë konkretë si për shembull reforma e prokurimeve, rrjetet e pajtueshëm informatikë dhe standardet analitiko-bashkëpunues. Por Odni ka pasur më shumë sasi se sa cilësi, pasi fluksi në rritje i të dhënave të shërbimit të fshehtë asgjëson kapacitetin e sistemit për ti analizuar dhe përdorur. Çdo ditë, sistemet e mbledhjes së inforacionit të agjencisë për sigurinë kombëtare interceptojnë dhe memorizojnë 1.7 miliardë emaile, telefonata dhe lloje të tjerë komunikimi. Por agjencia analizon vetëm një pjesë të këtij materiali, i cili shpërndahet në 70 baza të ndryshme të dhënash. I njëjti problem u përket të gjithë agjencive të tjera të shërbimit të fshehtë, pasi asnjëra prej tyre nuk ka numër të mjaftueshëm analistësh dhe përkthyesish për këtë mal me punë.

Efekti praktik i këtij sistemi gjigand është i dukshëm, në shkallë shumë të reduktuar, në zyrën e Michael Leiter, drejtori i qendrës kombëtare antiterrorizëm. Leiter e kalon një pjesë të madhe të ditës së tij përpara katër ekraneve të kompjuterëve të rreshtuar në tryezën e tij të punës. Në këmbët e tij ndodhen gjashtë hard disk-ë. Fluksi i të dhënave është kolosal, dhe dhjetëra baza të dhënash ushqejnë rrjete të ndryshëm informatikë që nuk mund të ndërveprojnë mes tyre.

Populli i SCIF

Për të krijuar një tjetër ide se sa e shtrirë është Amerika top sekret, mjafton të drejtohesh për në perëndim përgjatë autostradës që të çon në aeroportin ndërkombëtar Dulles në Uashington. Aty ku qendra e vetëshërbimit Michaels dhe libraria Books-a-million ia lënë vendin gjigandëve të industrisë ushtarake Northrop Grumman dhe Lockheed Martin, merrni korsinë e daljes dhe kthehuni majtas. Këta dy kuba me pesë kate e me ngjyrë të kaltër i përkasin agjencisë kombëtare të inteligjencës gjeohapësinore, që analizon pamjet dhe të dhënat e hartave të gjeografisë së Tokës. Kështu thuhet në një tabelë të vogël të fshehur prapa një kutie të drunjtë.

Në anën tjetër të rrugës, në zyra me ngjyrë çokollatë ndodhet Carahsoft, një kontraktor i agjencive të inteligjencës i specializuar në hartografi, analizë interceptimesh dhe grumbullim të dhënash. Pak më tutje është një qendër qeveritare e specializuar në analizën e strukturave nëntokësore. Ka për detyrë të pikasë qendrat nëntokësore të komandës jashtë vendit që lidhen me armën e shkatërrimit në masë dhe grupet terroristë, si dhe furnizon me konsulencë ushtarakët për mënyrën e shkatërrimit të tyre. Në të gjithë vendin ekzistojnë qendra veprimtarie shumë të fshehtë, por kryeqyteti i Amerikës top-sekret është rajoni i Uashingtonit.

Pothuajse gjysma e industrisë së 11 shtatorit është e shpërndarë në një zonë që shtrihet nga Leesburg në drejtim të jugut deri në Quantico për tu ngjitur drejt Uashingtonit dhe kthyer në verilindje drejt Linthicum, më pas pak më në veri në aeroportin ndërkombëtar Marshal të Baltimora-Washington. Shumë zyra ndodhen brenda komplekseve të paarritshëm apo brenda bazave ushtarake. Të tjera ndodhen në lagje biznesi apo edhe përzihen në shkolla dhe qendra tregtare dhe kalojnë pa u vënë re nga sytë e banorëve.

Jo shumë larg nga autostrada që të çon në Dulles CIA ka zënë dy ndërtesa. Më në jug, Springfield përgatitet për të pritur qendrën e re 1.8 miliardë dollarëshe të agjencisë kombëtare për inteligjencën gjeohapësinore, që do të bëhet e katërta ndërtesë federale më e madhe në zonë dhe do të punësojë 8500 vetë. Stimujt për ekonominë janë duke financuar me qindra milionë dollarë këto lloje ndërtimesh federale në të gjithë rajonin.

Nuk është vetëm numri i zyrave që tregon dimensionet dhe kostot e një ekspansioni të tillë, por edhe ajo çfarë mbajnë brenda: monitorë, badge ku shkruhet “kërkohet shoqërim”, makineri për rreze X, sirtarë ku duhet të lësh celularin dhe beeper-in, kyçe me tastierë që hapin salla speciale me mure metalikë, të papenetrueshëm nga instrumentet për interceptime telefonike dhe të mbrojtura nga alarme dhe forca të sigurisë në gjendje të reagojnë brenda çerek ore. Çdo ndërtesë ka të paktën një nga këto salla të njohura si SCIF (Sensitive Compartmented Information Facility). Disa janë të vogla, të tjera të mëdha sa katër fusha futbolli. Në SCIF punojnë njerëz të paguar jo mirë që marrin me vete drekën nga shtëpia për të kursyer. Janë analistë nga 20 në 30 vjeç që fitojnë nga 41 mijë në 65 mijë dollarë në vit. Në rastin më të mirë, analizat e tyre miksojnë interpretimin kulturor dhe fragmentet e bashkëbisedimeve, dialogët e koduar, zërat anonimë, për ti transformuar në tregues që të çojnë drejt grupeve të dyshuar që dëshirojnë të dëmtojnë SHBA. Kjo punë lehtësohet prej kompjuterëve që përzgjedhin dhe klasifikojnë të dhënat. Megjithatë, në fund analiza kërkon gjykimin njerëzor dhe gjysma e analistëve janë relativisht joekspertë. Shpesh herë, analistët me kontratë sapo kanë dalë nga universiteti dhe janë të formuar në zyrat qendrore.

Nigeriani i pashqetësuar

Problemi i shumë raporteve të shërbimit të fshehtë, shpjegon kush i lexon, është se kufizohen të përsërisin fakte që tashmë dihen. Deri edhe raportet e analistëve të qendrës kombëtare antiterrorizëm, ku duhet të hidhen informacionet sensibël më të vështirë për tu gjurmuar, gjykohen si të pamjaftueshëm nga zyrtarët e shërbimit të fshehtë sepse nuk prodhojnë informacione origjinalë, apo, më të mirë se sa ata të CIA-s, FBI, të agjencisë për sigurinë kombëtare apo për agjencinë e shërbimit të fshehtë të mbrojtjes.

Duke qenë se shumë informacione gjykohen të rezervuar, mund të jetë e vështirë të kesh një kuadër të përgjithshëm të asaj që ndodh çdo ditë në Amerikën top sekret. Megjithatë, herë pas here del në pah një shembull. Një i kohëve të fundit nxjerr sistemin e pas 11 shtatorit në anët e tij më të mira dhe më të këqija njëkohësisht. Në vjeshtën e vitit 2009 doli lajmi se kishte diçka të çuditshme në Jemen. Presidenti Obama firmosi një urdhër me anë të të cilit dërgonte disa reparte specialë të fshehtë për të gjetur dhe vrarë liderët e një grupi të lidhur me Al Kaedën. Në Jemen, repartet specialë organizuan një qendër operacionesh të mbushur me kompjuterë, pajisje hetues dhe aparatura komunikimi. U shkëmbyen mijëra interceptime, raporte, prova fotografike dhe filmime me dhjetëra organizata top sekret në Shtetet e Bashkuara.

Por kur informacionet mbërritën në qendrën kombëtare antiterrorizëm në Uashington për tu analizuar, përfunduan të varrosura nga pesë mijë dokumente me të dhëna të përgjithshme mbi terrorizmin që monitorohen përditë. Analistëve iu desh të kalojnë nga një bazë të dhënash në tjetrën, nga një monitor në tjetrin vetëm për të kuptuar se çfarë mund të ishte interesante. Ndërkohë që operacionet ushtarake në Jemen intensifikoheshin dhe zërat për një sulm të mundshëm terrorist sa vinin e shtoheshin, agjencitë e zbulimit i kishin hyrë punës. Fluksi i informacioneve që mbërrinin në qendrën kombëtare antiterrorizëm ishte shumë i madh. Aty në mes kish të dhëna jetësore. Emri i një burri në Jemen. Përmendja e një ekstremisti nigerian. Raporti i një babai nigerian i shqetësuar për të birin që ishte zhdukur në Jemen. Ishin të gjithë tregues për atë që do të ndodhte kur një nigerian me emrin Umar Farouk Abdulmutallab kish lënë Jemenin dhe në Amsterdam kish hipur në një avion që nisej për në Detroit.

Megjithatë, askush nuk i bëri bashkë. Sepse, siç do të dëshmonin më vonë vetë zyrtarët, sistemi ishte bërë kaq i madh saqë kufijtë e përgjegjësisë ishin shuar. Abdulmutallab kish arritur të hipte në bordin e 253 Northwest Airlines. Donte të ndizte eksplozivët që kish fshehur në mbathje ndërkohë që avioni ulej drejt Detroitit. Nuk ishte industria e madhe e 11 shtatorit që shmangu fatkeqësinë, por një pasagjer që e pa nigerianin dhe e ndaloi.

Ndërtimi dhe zgjerimi i zyrave vazhdon në të gjithë vendin. Shumë shpejt do të nisin punimet për një qendër të përpunimit të të dhënave me vlerë 1.7 miliardë dollarë e agjencisë për sigurinë kombëtare, pranë Salt Lake City. Vitin që vjen, në Tampa, zyra e re 25 mijë metra katrorë për zbulimin e komandës qendrore të forcave të armatosura do të ketë në krahë zyra të reja me të njëjtat dimensione dhe një vit më vonë do të ngrihen zyrat në një ndërtesë 5 mijë metra katrorë vetëm për departamentin e operacioneve specialë.

Në ndërkohë, tetë kilometra në juglindje të Shtëpisë së Bardhë, departamenti për sigurinë e brendshme ka hapur kantierin e qendrës së re, që do ta ndajë me rojën bregdetare. Departamenti, që ekziston prej vetëm 7 vitesh, ka tashmë programet e tij sekretë, njësitë e kërkimit, qendrën e komandës, parkun e mjeteve të blinduar si dhe stafin prej 230 mijë punonjësish. Në truallin ku dikur ngrihej spitali psikiatrik St Elizabeths në Anacostia, do të ngrihet një ndërtesë prej 3.4 miliardë dollarësh. Do të jetë kompleksi më i madh qeveritar që është ndërtuar që nga koha e Pentagonit. Një gur ushtarak i gjeografisë alternative të Amerikës top sekret, i madh katër herë sa Liberty Crossing.

Dana Priest

No comments: