Monday, July 12, 2010

1975/Rënia e Saigonit

1975/Rënia e Saigonit

Kur helikopteri i fundit u ngrit nga çatia e ambasadës amerikane në Saigon mëngjesin e 30 prillit 1975, duke transportuar të evakuuarit në anijet luftarake amerikane që ndodheshin aty pranë, afro 400 vetë - kryesisht vietnamezo jugorë - ishin ende në pritje në ambasadë, të dëshpëruar për t'u larguar.

Me forcat vietnamezo-veriore në rrethinat e qytetit si dhe një grusht vietnamezo-jugorësh që përpiqeshin të shembnin muret e ndërtesës së ambasadës, tashmë nuk kishte më kohë. Në disa këndvështrime, evakuimi kaotik dukej si një konkludim i përshtatshëm për një luftë që kishte shkuar shumë keq për Shtetet e Bashkuara. Lufta e Vietnamit ishte një humbje poshtëruese për një prej superfuqive botërore në duart e një ushtrie të vogël kryengritësish.

Lufta ishte më e gjata në historinë e SHBA dhe ajo i përçau amerikanët si asgjë tjetër që nga lufta civile. Më shumë se 58 mijë ushtarë amerikanë gjetën vdekjen dhe më shumë se 300 mijë u plagosën në luftën kundër Vietnamit të Veriut komunist si dhe guerilasve vietkongë në Vietnamin e Jugut. Lufta ndau familje, ktheu të rinjtë kundër të moshuarve, si dhe shkaktoi një valë mosbesimi mes shumë amerikanëve dhe udhëheqësve të tyre.

35 vjet më vonë, Vietnami ka ende një qeveri komuniste autoritariste, por ai e ka transformuar ekonominë e vet duke përqafuar tregun e lirë dhe sipërmarrjen private. Tashmë ajo ka marrëdhënie diplomatike si dhe një tregti që lulëzon me ish-armikun e vet. Megjithatë, për Shtetet e Bashkuara efektet e luftës kanë zgjatur. "Vietnami është ende me ne", thotë Henri Kisinger, i cili ishte Sekretar Shteti dhe Këshilltar për Sigurinë Kombëtare i Ricard Niksonit në fundin e viteve gjashtëdhjetë dhe fillimin e viteve shtatëdhjetë. "Ka krijuar dyshime për gjykimin amerikan, për besueshmërinë amerikane, për fuqinë amerikane - jo vetëm brenda vendit, por edhe në të gjithë botën".

Teoria e dominosë

Ndryshe nga shumica e konflikteve, lufta në Vietnam nuk nisi me një "të shtënë të parë". Në fakt, atje Shtetet e Bashkuara nisën të përfshihen gradualisht, duke filluar nga viti 1954, kur presidenti Duajt Aisenhauer dërgoi këshilltarë ushtarakë për të stërvitur dhe armatosur ushtrinë vietnamezo-jugore në luftën e vet kundër komunistëve. (Vietnami ishte ndarë më herët atë vit pasi francezët u mposhtën në përpjekjen e tyre për të mbajtur kolonitë disashekullore në Indokinë).

Por Ho Shi Min, udhëheqësi komunist dhe nacionalist, forcat e të cilit kishin mposhtur francezët, dëshironte që i gjithë Vietnami të ishte një shtet i vetëm komunist. Kjo gjë shkaktoi alarm në Uashington në një kohë kur Lufta e Ftohtë ishte duke u nxehur në fakt në zonën e Azisë: në vitin 1949, komunistët e udhëhequr nga Mao Ce Dun kishin marrë pushtetin në Kinë. Një vit më vonë, nisi lufta koreane, atëherë kur Korea e Veriut komuniste me mbështetjen e sovjetikëve dhe kinezëve pushtoi Korenë e Jugut.

Tre vjet dhe gati 37 000 jetë amerikane më vonë, ajo luftë përfundoi në një qorrsokak. Zyrtarët amerikanë patën frikë se pjesa tjetër e Azisë mund të binte gjithashtu. "Ju keni të ngritur një rresht me domino; rrëzoni të parën", tha Ajzenhauer në 1954 dhe "çfarë do të ndodhë është siguria që e fundit do të bjerë shumë shpejt". Kjo "teori domino" ishte në thelb baza e politikës amerikane në Vietnam për të dy dekadat e ardhshme. Kur Presidenti John F. Kennedy mori detyrën në vitin 1961, edhe ai e pa Vietnamin si një vend për të provuar vendosmërinë antikomuniste të Amerikës. "Tani ne kemi një problem, që duhet ta bëjmë të besueshme fuqinë tonë dhe Vietnami është vendi i duhur", tha ai në një fjalim të atij viti. Deri në kohën kur Kennedy u vra në 1963, numri i këshilltarëve ushtarakë amerikanë në Vietnam ishte rritur nga më pak se 700, në 16.000, dhe luftimet ishin intensifikuar.

Në 1964, pas një episodi të errët ku u tha se dy varka të armatosura vietnameze kishin shkatërruar një destrojer amerikan në Gjirin e Tonkinit në brigjet e Vietnamit të Veriut, Presidenti Lyndon B. Johnson i kërkoi Kongresit që të miratonte Rezolutën e Gjirit të Tonkinit.

Ajo i dha autoritet Presidentit të "marrë të gjitha masat e nevojshme për të sprapsur çdo sulm të armatosur kundër forcave të Shteteve të Bashkuara dhe për të parandaluar agresionin e mëtejshëm".

Në praktikë, rezoluta i dha Presidentit pushtetin për të zhvilluar një luftë pa një shpallje zyrtare, rast në të cilin do të ishte kërkuar miratimi i kongresit.

LUFTË NË TELEVIZION

Ndërhyrja ushtarake në shkallë të plotë filloi në 1965 me mbërritjes në Da Nang të trupave të para luftarake të SHBA.

Politika e luftës e Johnson gëzoi fillimisht mbështetje të madhe popullore dhe deri në fund të vitit, më tepër se 200.000 trupa të SHBA ishin në Vietnam - numër një që deri në fund të dekadës do të rritej deri në më shumë se gjysmë milioni. Nga fillimi, administrata ishte shumë optimiste: lufta ishte duke shkuar mirë dhe drejt fitores.

Siç thoshte Walt Rostow, Këshilltar i Sigurimit Kombëtar i Johnsonit, në vitin 1967: "Unë shoh dritë në fund të tunelit". Por Vietnam ishte lufta e parë në të cilën televizioni u dha amerikanëve ekses të rregullt në pamje relativisht të pacensuruara - ushtarë që çanin rrugën përmes xhunglave dhe orizoreve, fshatarët të mbledhur një grusht nga frika, rrebesh bomba nga avionët luftarakë B-52, si dhe foto të përgjakura të të vdekurve dhe plagosurve nga të dy palët. Lajmet e mirë nga zyrtarët në Uashington nuk përputheshin aspak e madje ishin në kundërshtim me atë që njerëzit shihnin në TV-të e tyre.

"Vietnami u humb në dhomat e ndenjes së Amerikës", shkruante në vitin 1975 studiuesi i mediave, Marshall McLuhan, "dhe jo në fushëbetejat e Vietnamit".

Ndërkohë që gjithnjë e më shumë të rinj rekrutoheshin për të luftuar në një luftë gjithnjë e më të papëlqyeshme, një lëvizje kundër luftës, e tillë që nuk ishte parë deri atëherë, filloi të marrë formë. Në 1965, u zhvillua demonstrata e parë masive, me 20.000 njerëz në Uashington dhe protestat u rritën në përmasa dhe pjesëmarrje. Në janar 1968, Vietnami i Veriut dhe Vietkongët nisën ofensivën Tet, një seri sulmesh gjatë Tet-it, Viti i Ri hënor. Ushtarakisht, ofensiva ishte një humbje e tmerrshme për komunistët, por pamjet e frikshme në televizione - dhe thjesht vetëm ideja se armiku mund të bënte sulme të tilla masive pas viteve të tërë luftë - tronditi besimin e Amerikës.

Në mars, me mbështetjen për luftën dhe popullaritetin e saj në rënie, Xhonson njoftoi fillimin e bisedimeve të paqes në Paris dhe se ai nuk do të kandidonte për një mandat të dytë.

I gjendur përballë trazirave në rritje gjatë luftës, Presidenti Nixon, i cili pasoi Johnsonin në vitin 1969, vendosi të largojë SHBA nga Vietnami. Në vjeshtë të 1969, ai dhe Kisingeri filluan procesin e "Vietnamizimit": dorëzimin e luftimeve trupave të Vietnamit të Jugut, ndërsa po kryhej tërheqja e forcave të SHBA, numri i të cilave ra në 220.000 deri në fund të viteve '70.

Marrëveshja e Paqes e Parisit e janarit 1973 bënte thirrje për një fund të luftimeve si dhe që të gjitha trupat e huaja të tërhiqeshin nga Vietnami.

Fundi erdhi në vitin 1975: komunistët mësynë Vietnamin e Jugut, me Saigonin që ra në prill, duke detyruar evakuimin e ngutshëm të amerikanëve që kishin mbetur si dhe një pjesë të Vietnamesë që dëshironin të largoheshin.

Për vietnamezët, kostoja e luftës ishte tronditëse: Të paktën 3 milionë njerëz u vranë dhe më shumë se një milion u larguan pas luftës, shumica në SHBA. Qeveria komuniste dërgoi qindra e mijëra prej atyre që mbetën pas në "kampe riedukimi", ku ata duruan trajtimin e ashpër dhe ishin të detyruar të bënin punë brutale dhe të rrezikshme.

SHBA vendosi embargon e tregtisë ndaj Vietnamit, një pjesë e madhe e fushave të të cilit ishin shkatërruar nga bombardimet si dhe një agjent kimik i quajtur "Agent Orange". Me ndihmë nga Bashkimi Sovjetik, qeveria u përpoq të krijojë një ekonomi shtetërore të stilit sovjetik, gjë që shkaktoi një varfëri të përhapur dhe zi buke. Në 1986, krerët e partisë ndoqën udhëheqjen e Kinës dhe nisën reformat e tregut të lirë, të njohura si doi moi, me më pak kontroll shtetëror të ekonomisë dhe më shumë sipërmarrje private.

Që nga vitet 1990 dhe sidomos pasi Presidenti Bill Klinton hoqi embargon e tregtisë së SHBA në 1993 dhe pasi u rivendosën marrëdhëniet diplomatike në 1995, investitorët e huaj kanë rendur në Vietnam dhe ekonomia e tij ka lulëzuar. Por, si Kina, edhe Vietnami mbetet një shtet me një parti komuniste, me mendimin ndryshe të ndaluar.

Për të rinjtë në Vietnam sot, "Lufta Amerikane", siç është e njohur, është histori e lashtë: 60 përqind e popullsisë ka lindur pas fitores komuniste në 1975 dhe 25 përqind e popullsisë është më e re se 15. Shumë prej tyre, veçanërisht ata që jetojnë në qytetet e lulëzuar si Hanoi dhe Ho Chi Minh City (ish-Saigon) - kanë një përshtypje favorizuese për amerikanët dhe ndjekin televizionin dhe filmat amerikanë.

"Në përgjithësi, marrëdhëniet midis SHBA dhe Vietnamit kanë ecur përtej konflikteve të kohës së Luftës së Vietnamit", thotë William Frasure, një ekspert mbi Vietnamin në Connecticut College. "Marrëdhëniet midis dy qeverive tona sot janë shumë më të ndikuara nga tregtia dhe çështjet ekonomike".

Megjithatë, kujtimi i Vietnamit është ende gjallë në SHBA, ku është kthyer në një fjalë të koduar për qorrsokakun ushtarak. SHBA tani është duke luftuar dy luftëra në të cilat armiku përdor taktika të ngjashme me ato që trupat amerikane hasën në Vietnam. Dhe konflikte në Irak dhe Afganistan vazhdojnë të zvarriten - respektivisht shtatë dhe tetë vite - gjë që bën që krahasimet me Vietnamin të shtohen.

Megjithatë, progresi midis dy vendeve doli në pah në nëntor të vitit që kaloi kur një anije e marinës amerikane, e komanduar nga komandanti i parë vietnamezo-amerikan i marinës, bëri një vizitë në Vietnam, duke arritur në qytetin bregdetar të Da Nang.

Komandanti Hung Le Ba, tani 39, ishte kthyer për herë të parë në vendin që ai kishte ikur me prindërit e tij dhe tre nga vëllezërit e motrat e tij në një anije peshkimi në vitin 1975, kur ishte vetëm 5 vjeç. Gjatë luftës, babai i Le kishte qenë komandant në ushtrinë e Vietnamit të Jugut. Por si shumica e njerëzve në këtë komb të ri, Komandanti Le nuk ka asnjë memorie të luftës.

"Ekipi im dhe unë jemi krenar që përfaqësojmë vendin tonë para popullit të Vietnamit", tha ai. "Kjo vizitë është një simbol i miqësisë midis dy popujve tanë dhe ne jemi thellësisht të nderuar që jemi pjesë e tij".

Në gjurmët e ushtarëve të Somme

Beteja e Somme, e cila nisi në fillim të korrikut 1916, ka ardhur e është bërë një simbol i tmerrit dhe kotësisë së luftës, siç reflektonte Fergal Keane gjatë një vizite në fushën e betejës. Në anën tjetër të pyllit, luftëtarët thërrisnin dhe brohorisnin nën qiellin blu. Unë isha duke qëndruar në një fushë gruri dhe mendoja se si, në një tjetër kohë, këto thirrje do të më kishin bërë të rendja i terrorizuar në kërkim të strehimit. Por, unë nuk isha në Libanin e sotëm jugor, ose në Irak apo Afganistan. Kur avionët ushtarakë francezë që bënin prova për një paradë ushtarake u larguan, ajri u mbush me këngën e një laureshe.

Ushtari poet, Isaac Rosenberg e dëgjoi atë këngë. Rosenberg, familja e të cilit i kishte shpëtuar sulmeve antihebreje në Europën Lindore, shërbente në Somme në radhët e ushtrisë britanike. Ai e përshkruante këngën e zogut si një mrekulli e vogël në agim, teksa kthehej nga një turn patrullimi gjatë natës në Tokën e Askujt. Gjenia poetik i tij u ndal nga një plumb gjerman më vonë gjatë luftës.

Ne u larguan nga vijat britanike për tek ato gjermane, përgjatë terrenit ku mijërat e mallkuar kishin marshuar në atë mëngjes korriku 94 vjet më parë, nën të shtënat e armëve gjermane që kishin përballuar bombardimet më intensive të artilerisë në historinë e ushtrisë britanike. Midis korrikut dhe nëntorit 1916, më shumë se një milion njerëz u bënë viktima të luftës në këto fusha. Sot, toka është e mbjellë me elb dhe misër, dhe kur një fllad i lehtë nis e prek të gjithë fushat, të duket si peizazhi më i bukur në të gjithë botën.

Ndër mend më erdhën vargjet e Bashos, poetit të madh japonez të shekullit XVII, i cili, tek shëtiste nëpër një fushëbetejë të vjetër të mbushur me armë të ndryshkura luftëtarësh shkruante: "Kullota verore. Gjithë çfarë ka mbetur nga ëndrrat e ushtarëve". Ne kemi ecur nëpër fusha, nëpër Tokën e Askujt, nëpër një grumbull të vogël pemësh dhe deri në kraterin e madh të Lochnagar. Këtu, dy minuta para se të niste avancimi, xhenierët britanikë kishin shpërthyer një seri minash të mëdha nën pozicionet gjermane.

Edhe për dikë që është mësuar me shkatërrimin fizik të luftës, pamja e parë e Lochnagar të bën të të ndalet zemra. Krateri është 91 m në gjerësi dhe 27 metra i thellë. Në këto fusha dhe më tej në veri në brendësi të Flanders, u krijua modeli i luftës për në epokën moderne. Një epokë e makinave dhe shpikjeve, nga tanket tek gazi helmues, tek aeroplanët dhe bombat atomike. Ajo shtrihej nga këtu e deri në një të ardhme ku makinat do të vinin vërdallë tokës dhe ku kapaciteti për të vrarë dhe sakatuar do të ishte i pafund. Por është kujtimi i individit që të godet më me forcë në Somme.

I mbijetuar

Një koleg që ecën përpara meje nëpër një fushë të sapombjellë papritmas u përgjunj, kapi atë që mua m'u duk si një gur i vogël. Ishte një buton nga tunika e një këmbësori francez. Një pjesë e shkëputur e gjithçkaje që është humbur këtu. Kjo ndjenjë e luftës si vendi i ushtarit individ ka qenë me mua si një prani e palëkundur në këto javët e fundit. Menjëherë pas kthimit nga Somme unë shkova në Skoci për të folur në një festival libri.

Po flisja për një luftë të gjatë harruar në Indi, në të cilën një forcë e vogël trupash britanike dhe indiane kishte duruar një rrethim të tmerrshëm në duart e një force shumë më të madhe japoneze. Kur erdhi koha për publikun për të bërë pyetje, një plak në një karrocë ngriti dorën e tij. "Më quajnë Angus Taylor", tha ai. "Dhe unë isha atje". Ai rrëfeu historinë e tij të një marshimi mes luftimeve nëpër kodra të xhunglës, kundër një armiku mizor. Angus Taylor përshkruante se ecte mes kufomave të shokëve me të cilët kishte bërë shaka dhe kishte qeshur vetëm pak orë më parë. Nuk kishte asnjë shenjë kapadaillëku në fjalët e tij, as vetëmëshirimi.

Ai ishte një njeri modest, një nga ata shumë prindër të qetë që kishte ardhur në shtëpi nga lufta dhe kishte gjetur një punë, kishte ngritur shtëpi për fëmijët e tij dhe foli pak për vendet ku kishte qenë apo gjërat që kishte parë. Më pas patëm rastin të flasim më vete. Angus solli fotografitë e tij të luftës. Midis tyre ishin dy foto që ai i mbante në një portofol të vogël të zi. "E kam gjetur në trupin e një të vdekuri japonez", tha ai. Kishte dy fotografi në portofolin e të vdekurit. Njëra kishte një grua që pozonte si me turp për aparatin fotografik, me fustanin e saj tradicional dhe tjetra një fëmijë, vajza e çiftit, e shëndoshë dhe e qeshur, mbështetur mbi murin rrethues të shtëpisë. Ushtari i kishte marrë këto fotografi para se të nisej për në luftë, për t'i mbajtur deri në fund të saj. Për 60 vite ato kishin qëndruar në mes kujtimeve të një tjetri. Ja, kështu i lidh lufta të vdekurit me të gjallët.

Skllevërit-ushtarë që formuan ushtrinë e parë moderne dhe që për pesë shekuj me radhë vendosën fatet e Perandorisë Osmane

J E N I Ç E R E T/Gardianët e Sulltanit

Mendoni një ushtri siç e kemi parasysh ne sot, me uniforma, paga të rregullta dhe reparte. Tani, vendoseni në një sfond historik. E bëtë? Nëse keni ecur pas në kohë maksimumi deri në Tetëqindën e luftërave napoleonike, përgatituni për një surprizë: pionierët e artit modern të luftës erdhën në kulmin e Mesjetës. Dhe duke i parë nga këndvështrimi i kryqëzatave ishin edhe "të pafe", apo më mirë, myslimanë. Në agim të ushtrive moderne kanë qenë në fakt jeniçerët, këmbësoria elitë e Sulltanit, për një kohë të gjatë gogolë. por edhe model eficence për armatat e Europës.

Data e lindjes së kësaj ushtrie mendohet të jetë diku në mesin e viteve treqind: osmanët - të cilët një shekull më vonë do të bëheshin një perandori duke u ngritur mbi rrënojat e Bizantit të lashtë - ishin atëherë një fuqi e vogël në luftë me emirate të tjerë të Anadollit, si dhe të përfshirë në shumë luftëra kufijsh me klanet nomadë vendas. Gjërat ndryshuan me ardhjen e një sulltani ambicioz dhe vizionar, Murati I, i cili nisi një politikë të ekspansionit drejt Europës, duke filluar që nga Ballkani. Dhe krahu i armatosur i kësaj strategjie ishin pikërish jeni çer-ët, në turqisht "trupat e reja".

Rekrutuar me forcë

Për të shtuar organikën e milicisë së sapokrijuar mendoi instituti i devshirme-s, apo "leva e fëmijëve haraç", një taksë për t'u paguar në qenie njerëzore, të cilën duhej që ta paguanin të gjithë popullsitë e krishtera të territoreve të nënshtruar. Skuadra rekrutuesish osmanë "rekuizonin" një të pestën e fëmijëve nga 6-7 vjeç e lartë: më pak të mirët shkonin për të shërbyer në oborr, ndërsa ata me trup më të mbushur shkonin për të vazhduar vite të tërë stërvitje ushtarake në kazermat osmane. "Përgjithësisht", shpjegon Michele Bernardini, docent i historisë së Perandorisë Osmane në Universitetin Oriental të Napolit, "rekrutuesit përpiqeshin të shmangnin rekrutimin e jeniçerëve të ardhshëm nga klasa sociale që konsideroheshin gjenetikisht më pak të përshtatshme për luftë: bijtë e fshatarëve, për shembull, preferoheshin shumë më tepër në krahasim me ata të artizanëve".

Që nga periudha e formimit, shumë e rëndë deri në limitet e njerëzores, më të mirët - apo më saktë të mbijetuarit - dilnin të transformuar në jeniçerë: kurajozë dhe rezistentë, repart udhëheqës i ushtrisë, por mbi të gjitha roje personale të sulltanit që për të gjithë ishte "hija e Perëndisë në tokë" dhe për ta ishte një atë-padron për të cilin nëse ishte e nevojshme mund të jepej edhe jeta.

Shumë besnikë

Jo më pak absolute duhej të ishte besnikëria ndaj Islamit, fe në të cilën pak a shumë të gjithë jeniçerët e ardhshëm konvertoheshin pak a shumë me forcë. "Etnia më e përfaqësuar mes jeniçerëve ishte ajo sllave: boshnjakë, serbë, bullgarë kryesisht", saktëson Bernardini. "Por kishte edhe shqiptarë dhe, në një masë më të vogël, grekë. Në fillim ishin pak, afro 2000 dhe kryesisht shiheshin me sy të keq, mbi të gjitha nga kavaleria osmane, e cila i kishte zët ata".

Por një opinion i tillë do të ndryshonte shumë shpejt falë edhe kurrikulumit luftëdashës të "trupave të reja": beteja e Nikopolit e vitit 1396, një humbje shumë e rëndë për kavalerinë franceze aleate e mbretit të Hungarisë; marrja e Kostandinopojës, që në vitin 1453 i dha goditje përfundimtare Perandorisë Romake të Lindjes; beteja dhe përplasja e madhe e vitit 1514 në Çaldiran, ku kundërshtarët persë paguan shtrenjtë përçmimin aristokratik që kishin ndaj armëve të zjarrit. Janë vetëm disa prej sipërmarrjeve ushtarake në të cilat gjatë dy shekujve të ardhshëm, jeniçerët dhanë kontributin e tyre.

Pararojë

Ekspertë në luftën trup më trup me kordha dhe kama, ata zbuluan shumë shpejt edhe një talent si harkëtarë, por mbi të gjitha u specializuan në armët e zjarrit: artistët osmanë shpesh herë i paraqisnin me armën e tyre të preferuar, jataganin. Mjeshtëria me barutin dhe armën e zjarrit nuk ishte paraprirja e vetme e ushtarit modern. "Mbi të gjitha jeniçerët vishnin një uniformë, e cila mbeti e pandryshuar për shekuj të tërë, elementi më karakteristik i të cilës ishte një çallmë e lartë dhe e bardhë, e zbukuruar me pendë çafke", shpjegon Bernardini. "Pastaj kishin një marsh të tyrin ushtarak, mehterin, që në Turqi mbijeton dhe sot e kësaj dite si muzikë për banda ushtarake. Shefi i tyre ishte agai, domethënë një gjeneral. Batalionet e tyre, që quheshin orta, dalloheshin shpesh për shkak të standardeve dhe simboleve që shpesh herë jeniçerët i bënin tatuazh në trup dhe ata ishin të ndarë në reparte të specializuar: që nga tufekçijtë, domethënë muskëtierët, deri tek xhenierët që merreshin me minimin e fortifikimeve. Megjithatë, risia kryesore përfaqësohej nga taktika ushtarake futuriste: nuk vendoseshin në radhë kompakte si kundërshtarët, por hidheshin në sulm duke formuar një lloj gjarpëri njerëzor që vazhdonte përpara me një zig-zag duke provokuar hutim dhe konfuzion tek armiku. Një tjetër element moderniteti ishte pagesa e tyre: jeniçerët paguheshin në mënyrë të rregullt edhe në kohë paqeje, atëherë kur limitoheshin duke bërë ruajtësit e rendit në qytete. Me kalimin e kohës për ta pati edhe lëshime territoriale, përjashtim nga taksat e madje edhe mundësia që të tërhiqeshin me një pension kur bëheshin pleq apo invalidë".

Shërbyes

Këto veçanti në sjellje ushqenin mes jeniçerëve një frym korpusi pothuajse prej murgjish; nëse i shtojmë kësaj edhe detyrimin fillestar të përkorisë seksuale, atë të lënies së zotërimeve të tyre në trashëgimi regjimentit si dhe përkushtimin e përbashkët për një padron, mistikun iranian Haxhi Bektash, kombinimi mes jeniçerëve dhe urdhërave ushtarakë të perëndimit të krishterë si për shembull templarët mund të tingëllojë i vërtetë. Por ngjashmëritë ndalen këtu.

Ndonëse në mes të luksit, ata ishin në kushte shërbyesish, të paktën në fillim. Këtë gjë e nxjerrin në pah shumë detaje: që nga detyrimi për të rritur vetëm mustaqet dhe jo të gjithë mjekrrën, deri tek referimet e shumtë që lidhin traditën dhe hierarkinë e jeniçerëve me botën e kuzhinës.

Komandanti i çdo orte quhej çiorbak (ai që shërben supën) dhe oficerët quheshin aga bas (kryekuzhinierë). Vetë ena ishte një element i rëndësishëm: një lojë rituale e aftësisë së jeniçerëve ishte një lloj "flamuri" ku trupa duhej të linte të rrëzohej dhe të kapte në një kohë sa më të shkurtër të ishte e mundur gavetën e vet në mes të të tjerave. Mbi të gjitha, tiganët dhe tasat të përmbysur në mensë jepnin për ushtarakët një sinjal të qartë dhe me kalimin e kohës gjithnjë e më të shpeshtë: atë të revoltës.

Në fakt, duke filluar që nga shekulli XVI kohët e arta nisën që të zbehen. Plot me para dhe me privilegje, jeniçerët u shndërruan në gurin e peshores në luftërat për pushtet. "Gjatë konflikteve të vazhdueshëm të brendshëm të nxitur prej trashëgimtarit të parashikuar të fronit për të cekuilibruar antagonistët e mundshëm, jeniçerët luanin një rol të pazëvendësueshëm", thotë Bernardini. "Mbështetja e tyre vendoste gjithnjë e më shpesh fatin e një sovrani. Një shembull për të gjithë: në Gjashtëqindën, vëllai i Sulltanit Murati IV, Ibrahimi, kaloi njëzet vite burgim në haremin perandorak, i mbyllur mes grave të bukura dhe ushqimeve të jashtëzakonshme, për të shmangur vrasjen e tij nga sundimtari. Ishin pikërisht jeniçerët që e çliruan atë pasi përmbysën Muratin, si dhe të çliroheshin prej tij pasi shpallën paaftësinë mendore".

Ndërkohë, dobësimi i kësaj milicie vazhdonte: në fundin e gjashtëqindës jeniçerit i lejohej që të martohej, të kishte punë të dytë dhe të tretë (shumë prej tyre ishin tregtarë), por mbi të gjitha që të bënin karrierë nëpërmjet nepotizmit dhe rekomandimeve. Fundi i përkorisë dhe heqja mënjanë e devshirmes e shndërruan praktikisht në një zanat që kalohej nga babai tek i biri dhe ndonjëherë një parkim i sigurtë për pasardhësit e familjeve turke.

Rezultati: jeniçerët përfunduan së qenuri një burim dhe filluan të jenë një problem, në mos një kërcënim. Dhe në të gjithë këndvështrimet ata u shndërruan në një kastë, sa nervoze, aq edhe e kushtueshme dhe e kotë, sepse bashkë me disiplinën jofleksibël dhe stërvitjen e fortë kishte ikur edhe eficenca ushtarake.

Likuidimi

Këtë e demonstruan një seri humbjesh djegëse si ajo e vitit 1683 në portat e Vienës, që përveçse i dhanë fund një herë e mirë ekspansionit osman në Europë, rezultoi edhe të gjithë dobësinë e turqve përballë ushtrive europiane, që ndërkohë kishin rimarrë veten, kishin fituar avantazh taktik dhe teknologjik. "Perandoria Osmane, që në kulmin e saj kishte mbërritur deri në Poloni, tashmë kishte ngecur dhe jeniçerët përbënin tashmë vetëm një anakronizëm ushtarak", thotë Bernardini. "Nuk qe rastësi që shpërbërja e tyre erdhi prej Mahmudit II, i pari sulltan i tetëqindës dhemodernizues i madh: prioriteti i tij ishte reformimi i ushtrisë dhe ai kuptoi që pengesa kryesore vinte pikërisht prej "gardianëve" të tij.

Fundi, që nga kronikat është paraqitur si ngjarje e lumtur, erdhi në vitin 1826 nga një masakër e vërtetë: si reagim ndaj revoltës së disatë, të paktën 4 mijë jeniçerë u vranë në kazermat e Stambollit, të shkatërruara me topa. Më pas vazhduan ekzekutimet, mërgimi dhe shpërndarja e të mbijetuarve në reparte pa famë e mbi të gjitha pa pretendime. Epopeja e ish "qenve roje" të sulltanit përfundoi me gjakderdhje; tashmë, perandoria e gjysmëhënës do t'i kapte në librat e historisë vetëm më pak se një shekull më vonë.

SHQIPTARI QË PËRMBYSI SULLTANIN

Fama e jeniçerit më rebel mes rebelëve i takon një shqiptari, Patrona Khalil, që jetoi në vitet 700. I futur në grupin e jeniçerëve në moshë të madhe, pasi kishte shërbyer në një anije lufte osmane, ai dezertoi dhe u strehua në Stamboll, ku takoi Musu Bese, ish-jeniçer i shndërruar në tregtar fasulesh. Me të dhe të tjerë ushtarë rebelë ai nisi në vitin 1730 një kryengritje popullore që përmbysi Sulltanin Ahmedi III. Për disa javë, kryengritësit u bënë zotër të Perandorisë Osmane, aq sa edhe investitura e sulltanit të ri Mahmudi I ndodhi nën mbikëqyrjen e Khalil, përgjegjës për një seri spastrimesh dhe emërimesh të reja në postet që kishin rëndësi. Por e pësuan: një kasap grek që kishte financuar revoltën u emërua madje guvernator i Moldavisë. Një seri zgjedhjesh delirante që pasuan detyruan qeverinë që të reagonte dhe e kaluara erdhi e trokiti në portën e Khalil: kundër tij doli agai, numri një i jeniçerëve. I ftuar në oborr me një pretekst, shqiptari u vra në prani të sulltanit: ishte preludi i një spastrimi që në pak ditë pa të vriten 7 mijë mbështetës të tij.

GJERMANI - 1977/"Vjeshta e terrorit"

Terrorizmi i Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe (RAF), një organizate radikale të majtë, përbën ende një traumë për Republikën Federale Gjermane. Në 28 vjetët e luftës së saj të armatosur RAF-i vrau 34 vetë. Kujtim veçanërisht dramatik është për gjermanët rrëmbimi i presidentit të shoqatës së punëdhënësve Hanns Martin Schleyer më 5 shtator 1977. Shteti dhe terroristët zhvilluan një matje të pashembullt forcash në 44 ditët që pasuan. Më vonë kjo kohë do të hynte në librat e historisë me emrin "Vjeshta Gjermane". Një retrospektivë.

"Është një skenë e frikshme në këtë rrugë kryesore. Përveç dy limuzinave të shpuar nga plumbat, në rrugë gjenden edhe katër kufoma. Ato janë mbuluar, pra nuk mund të dallohet se për kë bëhet fjalë..."

5 shtator 1977: Një njësi komando e Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe sulmon befas në Këln një kolonë automjetesh të presidentit të shoqatës së punëdhënësve Hanns Martin Schleyer. Katër truprojat e tij vriten nga breshëria e plumabe, Schleyer-i nxirret nga automjeti dhe rrëmbehet. Është fillimi i asaj që më vonë do të cilësohet "Vjeshta Gjermane".

Fraksioni i Ushtrisë së Kuqe, një grup radikal i majtë, kërkon që me anë të aksionit të lirojë pëmes shtantazhit 11 shokë të burgosur. Që prej vitit 1972 brezi themelues i grupit është burgosur për atentate të shumta me bomba në Stuttgart-Stammheim, mes tyre Andreas Baader, Gudrun Ensslin und Jan-Carl Raspe. Ata janë truri dhe zemra e RAF-it, drejtojnë që nga burgu luftën e armatosur. Jashtë burgut është rritur ndërkohë brezi i dytë i RAF-it. Në këtë kohë RAF-i është larguar nga synimet e tij politike, fillestare si lufta kundër kapitalizmit, padrejtësisë në botë dhe mosballafaqimit me të kaluarën naziste. Tani bëhet fjalë vetëm për lirimin e udhëheqësve të burgosur.

Por qeveria nuk i pranon kërkesat e shantazhuesve, kancelari Helmut Schmidt ka frikë prej terrorit të ri që mund të mbjellin terroristët e liruar. Gjatë rrëmbimit të Schleyer-it Gjermania është për 44 ditë në gjendje të jashtëzakonshme. Në kryeqytetin Bonn qarkullojnë automjete të blinduara, ministritë rrethohen me barrikada telash me gjemba. Shtabet e krizës të qeverisë dhe të entit të kriminalistikës takohen disa herë në ditë. Ata iniciojnë ligjin për ndalimin e kontakteve, i cili miratohet nga Parlamenti më shpejt se asnjë ligj më parë. Ligji u ndalon të burgosurve të RAF-it që të flasin me njëri-tjetrin ose me avokatët e tyre. Kjo sepse qeveria e merr me mend që atentati është planifikuar brenda në burg.

Enti i kriminalistikës nis një ndjekje të pashembullt: Kontrollohen mijëra banesa, kush nuk është në shtëpi i hapet brava. Shpërndahen miliona fletëvolante me fotografi kërkimi. Policia publikon regjistrime zanore me zërat e autorëve të supozuar.

Policia ka rënë vërtet në gjurmët e rrëmbyesve, vendstrehimi i Schleyer-it mbetet pa u zbuluar vetëm për shkak të një avarie. Dhe RAF-i këmbëngul në kërkesat e veta. Ai i dërgon qeverisë një kasetë me zërin e këputur të Schleyer-it.

Më 13 tetor 1977 katër terroristë palestinezë rrëmbejnë një avion të Lufthansës me 87 vetë në bord. Rrëmbyesit mbështesin RAF-in në luftën guerilase ndërkombëtare dhe duan të rrisin trysninë mbi qeverinë gjermane. Ata kanë vrarë ndërkohë pilotin.

Pas pesë ditësh një njësi speciale gjermane liron në Mogadishu pengjet në avion. Ky njoftim dëgjohet në lajme prej të burgosurve në Shtutgart dhe ata vrasin veten në qeli. Një ditë më vonë gjendet kufoma e Hans Martrin Schleyer-it në bagazhin e një automjeti. Autorët e vrasjes nuk dihen deri sot. Vdekja e tij shënon fundin e "Vjeshtës Gjermane".

Intervistë me shkrimtarin Evan Thomas

Kështu nisin LUFTËRAT

"Si nisin luftërat", është një temë kryesore në historinë më të re të Evan Thomas. "Të dashurit e luftës" gjurmon jetët e ndërlidhura dhe veprimet e tri figurave të mëdha (të dashuruar të luftës, të gjithë), në kapërcyell të shekullit XX - Theodore Roosevelt, Henry Cabot Lodge dhe William Randolph Hearst - teksa amerikanët hynin në luftën spanjolle-amerikane në vitin 1898.

Thomas, redaktor në "Newsweek" dhe autor i një biografie të Papa Gjon Palit si dhe "Detit të Stuhisë", një histori e 4 komandantëve detarë si dhe betejës së Gjirit Leyte në 1944, është përqendruar në karakterin dhe ambiciet e tre burrave të fuqishëm që e panë luftën si rrugën e artë të Amerikës drejt superfuqisë botërore

- Si u përfshi Amerika në ethe të tilla proluftës?

Kubanët ishin duke u shtypur nga Spanja dhe SHBA donte që t'i shpëtonte ata. Por, ka patur edhe forca më të thella në veprim. Një prej më interesanteve për mua ishte ideja e hedhur në disa nga klasat e sipërme që Amerika ishte disi e butë - "e mbiqytetëruar", siç ka thënë Presidenti Theodore Roosevelt. Ne kemi nevojë për një luftë për rigjenerimin e vetvetes dhe Roosevelt nuk kishte veçanërisht një luftë të caktuar në mendje.

- A ka folur ai për hyrjen në një luftë?

Ai ka shkruajtur për këtë. Që në fillim të 1886, ai ishte duke menduar për ngritjen e një grupi kaubojsësh për të luftuar meksikanët pas një provokimi të vogël në kufi. Pastaj ai shkroi se shpresonte në një angazhin detar kundër Britanisë. Nuk po përpiqej të bëhej hiperbolik; e kishte seriozisht. Kjo është një temë që në mënyrë të përsëritur ai iu kthye në korrespondencën e tij. Ai tha në 1895 që donte që të kishte një ekspeditë të madhe piratësh, për të marrë Kanadanë nga Anglia apo Kubën nga Spanja.

- A do ta konsideronit Rooseveltin dhe të tjerët si imperialistë?

Po, edhe pse ata nuk e pëlqenin këtë fjalë dhe nuk donin të kolonizonin popujt e tjerë. Ata ishin të ndjeshëm për vetëvendosjen dhe demokracinë. Lodge fliste për atë që ai e quajti "politikë e madhe". Ai kishte lexuar Kapitenin Alfred Mahan dhe ishte i bindur se Shtetet e Bashkuara duhet të rivalizonin Britaninë e Madhe si një fuqi e madhe në det dhe se kishte nevojë që të ndërtohej një marinë e madhe. Ai tashmë kishte parashikuar stacione qymyrguri në Kubë, Porto Riko, Haëaii dhe Guam dhe një kanal përmes Istmit, për të lançuar SHBA si një fuqi e madhe globale në det.

- Si mundet që kaq shumë udhëheqës amerikanë të ishin "luftëdashës" vetëm një gjysmë shekulli pas Luftës Civile?

Një person shqetësohej për këtë: Presidenti William McKinley. Ai kishte qenë në Antietam si major. Ai ishte pëllumbi në këtë rast. Ndihmëssekretari i Marinës, Roosevelt ishte vazhdimisht tek veshi i McKinley për ta bindur që të hynte në luftë kundër Spanjës, për të çliruar Kubën. McKinley rezistoi, duke i thënë Rooseveltit, "Unë kam parë të vdekurit të grumbulluar pirg në Antietam". Dhe ai e kishte parë luftën. Ndonjëherë politikëbërësit që kanë përjetuar në të vërtetë luftën janë më pak të gatshëm për të hyrë në luftë se sa ata që nuk e kanë provuar.

- A ishte gati SHBA për luftë?

Jo. Ne patëm një ushtri shumë të vogël në këmbë prej rreth 25.000 vetësh që kishin luftuar indianët, por ishin jo të gatshëm për një ekspeditë amfibe. Burokracia ishte një lëmsh dhe ushtria nuk mund të siguronte furnizimet e duhura. Mishi qe i prishur; ushtarëve iu dhanë uniforma të nxehta dimri dhe nuk kishte pushkë cilësore të mjaftueshme. Kishte kaos në Tampa, portin e ngarkimit të anijeve. Rooseveltit në thelb iu desh të grabisë një anije nga njësitë e Nee York, për t'u siguruar që i çonte luftëtarët e tij në Kubë.

- A ishte Amerika pas përpjekjeve të luftës?

Nuk kishte asnjë mungesë të vullnetarëve. Propaganda ishte efektive. Ushtria u rrit nga 25.000 në 125.000 njerëz pothuajse brenda natës. Kjo ishte një periudhë shumë patriotike në historinë amerikane. Një nga qëllimet e luftës ishte për ta sjellë vendin së bashku dhe kjo pati sukses. Kur Rough Riders mori një tren nga Teksas në Florida, flamuj amerikanë po tundeshin në Dixie. Kjo nuk kishte ndodhur që para Luftës Civile.

- A ishin Hearst dhe gazetarë të tjerë përgjegjës për nxitjen e kombit për luftë?

Hearst dhe Joseph Pulitzer ndihmuan në shpikjen e faqeve të skandalit në masmedia - tirazh i madh, gazetaria sensacionaliste e verdhë, të ushqyerit e masave me teori konspirative si dhe seks e dhunë. Të gjithë lexonin Hearst dhe Pulitzer, ata kishin një ndikim joproporcional. Standardet e gazetarisë nuk ishin tepër të mirë, të paktën në botimet Hearst. Hearst nuk e mohoi asnjëherë që i detyronte gazetarët të sajonin atë që nuk e dinin.

- Sado kaotike që ishte aventura amerikane në Kubë, spanjollët ishin më mirë, apo jo?

E vetmja gjë që mbante spanjollët të bashkuar ishte krenaria. Ata donin të vdisnin. Kur ata u nisën për betejën e tyre të fundit detare, ata veshën uniformat e tyre, me të gjithë flamujt që valëviteshin, burrat rreshtuar në kuvertë dhe të gatshëm. Ai ishte një mision vetëvrasës. Detarët amerikanë nuk mund ta besonin. Ishte sikur spanjollët kishin dalë në paradë. Dhe ata ishin në paradë, një paradë e vdekjes, sepse ata u fundosën të gjithë.

- Po në lidhje me Filipinet?

Filipinet ishin një mendim i mëvonshëm. Roosevelti dërgoi komodorin [Xhorxh] Dewey dhe flotën e tij për të luftuar flotën spanjolle në portin e Manilës. Pasi kishim mundur spanjollët, krejt papritur ne po pushtonim Filipinet. Problemi ishte, në vend të na mirëprisnin si çlirimtarë, filipinasit na konsideronin si pushtues dhe u revoltuan, duke filluar një luftë që zgjati katër vjet dhe me kosto 4.000 jetë amerikane.

- Roosevelt erdhi si i etur për gjak. A ishte?

Letrat e tij janë të etura për gjak, por unë mendoj se Roosevelt ishte duke u përpjekur për të treguar se ai ishte një realist josentimental. Unë nuk mendoj se ai e bënte qëllimisht, por për të gjithë ai u shfaq si pak i kobshëm. Por, është e qartë se ai e donte luftën. Ndërsa ai zbriste poshtë Kettle Hill, duke çuar njerëzit e tij deri në San Juan, ai thërriste, "Holy Godfrey, sa qejf!". Unë nuk mendoj se ka shumë komandantë, të cilët do të bërtisnin kështu ndërsa mbushnin armët. Por njerëzit e Roosevelt e donin shumë komandantin e tyre. Ata nuk mendonin se ai ishte marrosur, ata thjeshtë mendonin se ishte trim. Ai udhëhoqi që nga fillimi. Ishte ndoshta një mrekulli që ai nuk u vra.

- Ishte lufta spanjolle-amerikane e mirë për Rooseveltin, politikisht?

Ishte një shpërblim i menjëhershëm. Edhe pse nuk ka prova që Roosevelt mendonte se do të kishte një përfitim politik për atë personalisht, kjo me siguri ka ndodhur me mikun e tij Henry Cabot Lodge. Ai i shkroi Rooseveltit, i cili ishte ende në krye të San Juan Hill, për t'i thënë se njerëzit tashmë janë duke folur për Rooseveltin si kandidat për guvernator të Neë York-ut. Brenda një jave pas kthimit në gusht 1898, ai u takua me udhëheqësin e Partisë Republikane të Nju Jorkut.

- Ç'ndikim pati lufta në reputacionin e udhëheqësve ushtarakë amerikanë?

Dewey ishte një hero i madh kombëtar. Leonard Wood bëri mirë dhe vazhdoi të bëhet guvernator ushtarak i Kubës. Por komandanti i ushtrisë (Major Gjenerali William) Shafter, i cili kishte dalë mirë edhe gjatë Luftës Civile, ishte bërë një figurë e përçmuar. Ai ishte aq i shëndoshë saqë sillej vërdallë me një vig.

- A luajti racizmi rol në këtë konflikt?

Po. Ushtria kishte shumë oficerë nga jugu dhe Rindërtimi ishte ende një kujtim i freskët. Një nga krizat erdhi kur Forca e ekspeditës amerikane mbërriti në Kubë dhe rebelët kubanë ishin gjysmë të zinj. Për më tepër, ata kishin oficerë zezakë, gjë që ishte mallkim për shumë ushtarë. Ushtarët amerikanë mendonin se rebelët kubanë ishin luftëtarë të varfër, sepse ata nuk besonin në sulmet frontale. Ata ishin guerilas, nuk donin të ngjiteshin deri në majë të kodrës. Dhe pjesë e arsyes pse ka pasur kaq shumë zezakë në forcën ushtarake të SHBA, kryesisht "Buffalo Soldiers", është për shkak se komandantët e ushtrisë besonin që zezakët ishin disi imunë nga sëmundje tropikale, gjë e cila, sigurisht, nuk është e vërtetë.

- A e formësoi lufta historinë e mëvonshme kubane?

Kur amerikanët përjashtuan rebelët kubanë nga ceremonitë e dorëzimit, kjo ishte një goditje e madhe për krenarinë e Kubës dhe ata kurrë nuk e harruan. Kur Fidel Castro doli nga kodrat në 1959, ai ishte i shpejtë për t'u kujtuar njerëzve se amerikanët u kishin mohuar kubanëve dinjitetin e tyre. Pra, kjo është një plagë e freskët. Edhe pse ne çliruam Kubën, ata nuk e kujtojnë në këtë mënyrë. Ata kujtojnë që ne ndërhymë dhe më pas i vumë kushtet e vështira qeverisë së tyre të re si dhe që i shfrytëzuam ekonomikisht. Ka ende tabela në rrugën nga Santiago në Dakiri, ku amerikanët zbarkuan, që citojnë komandantin ushtarak kuban, Calixto García, me thëniet e tij për dinjitetin kuban si dhe faktin që amerikanët ua kishin grabitur atyre këtë dinjitet.

Përplasja ende sot e pazgjidhur që shpërtheu midis Abkhazisë dhe Gjeorgjisë të nesërmen e rënies së Bashkimit Sovjetik i ka rrënjët e saj në historinë e rajonit transkaukazian

Rrënjët e thella të konfliktit Rusi - Gjeorgji

Përplasja ende sot e pazgjidhur që shpërtheu midis Abkhazisë dhe Gjeorgjisë të nesërmen e rënies së Bashkimit Sovjetik i ka rrënjët e saj në historinë e rajonit transkaukazian. Të përshkruarit shkurtimisht e disa prej pasazheve qendrore na jep elementët e dobishëm për të kuptuar origjinën dhe motivacionet e përplasjes së armatosur midis qeverisë së Tbilisit dhe republikës autonome të saj, që mbetet faktikisht e ngrirë pas luftës së fundit të shkurtër midis Rusisë dhe Gjerogjisë e gushtit të vitit 2008. Do të analizohet pastaj roli, i drejtpërdrejtë dhe jo, që ka luajtur Rusia në konflikt në dritën e interesave strategjike të Moskës në të gjithë rajonin kaukazian. Modaliteti me të cilin presidentët gjeorgjianë kanë ndjekur politikën, si të brendshme, ashtu dhe të jashtme, të Tbilisit në dekadat pas Luftës së Ftohtë ka përcaktuar pozicionin e zënë nga Gjeorgjia në skenarin ndërkombëtar, në udhëkryq midis një tentative afrimi me Perëndimin (në veçanti nëpërmjet dëshirës së fundit për të hyrë në NATO) dhe një pranie ruse të ngulitur.

Interesi i rinovuar i Shteteve të Bashkuara për zonën e Kaukazit - strategjike si nga pikëpamja ekonomike, si korridor energjetik, ashtu dhe nga pikëpamja gjeopolitike, si kufi midis hapësirës ish-sovjetike dhe sot ruse dhe asaj atlantike - dhe më në përgjithësi për të gjithë harkun qendroaziatik, ka përcaktuar riedicionin e një konfrontimi të drejtpërdrejtë midis Uashingtonit dhe Moskës për afirmimin apo ripozicionimin e zonave respektive të influencës. Fundi i asetit bipolar merr formë edhe me rishfaqjen e linjave të pazgjidhshme të frakturave të trashëguara nga rendi bipolar.

Shënime të shkurtra historike

Territori i Abkhazisë historikisht ka gëzuar një autonomi të konsiderueshme në brendësi të Gjeorgjisë. E deklaruar si principatë Autonome e Gjeorgjisë qysh në shekullin XVI dhe e banuar në pjesën më të madhe të popullsisë së saj nga popullsi të etnisë abkhaziane, kaloi në mënyrë të qëndrueshme nën dominimin e Perandorisë Ruse nga mesi i shekullit XVII, së bashku me pjesën tjetër të territoreve gjeorgjiane. Ekspansioni rus solli abrogimin e principatave të ndryshme, përfshi atë të Abkhazisë dhe shumë abkhazë myslimanë, që në atë kohë përbënin më shumë se 60 përqind të popullsisë të rajonit, emigruan në Perandorinë Osmane, duke e lënë Abkhazinë pothuajse të shpopulluar. Ky defluks demografik u pasua pothuajse menjëherë nga migrimi në Abkhazi i shumë gjeorgjianëve, armenëve, grekëve, rusëve (kristianë), që ripopulluan zona të shndërruara në pothuajse krejtësisht të pabanuara. Si rezultat i këtyre lëvizjeve etnike, në fillim të shekullit XX abkhazët (myslimanë) përbënin vetëm një të tretën e popullsisë së përgjithshme të Abkhazisë, duke qenë dy të tretat e përbëra në pjesën më të madhe nga gjeorgjianë dhe armenë (të krishterë).

Abkhazia u kthye për të gëzuar një autonomi të konsiderueshme sidomos duke filluar nga viti 1918, pas revolucionit bolshevik, duke arritur pastaj në vitin 1931, vit në të cilin u shpall nga Stalini si republikë e pavarur në gjirin e Gjeorgjisë sovjetike. Në realitet, pavarësia ishte vetëm nominale dhe kontrolli i Tbilisit ishte absolut: zbatohet një politikë asimilimi të detyruar, gjeorgjiançja vendoset me imponim si gjuhë zyrtare, gjuha abkhaziançe ndalohet dhe mijëra abkhazianë u vranë gjatë represioneve staliniane.

Hidhen bazat e përplasjes së ardhshme ndëretnike në Abkhazi dhe Gjeorgji. Bashkimi Sovjetik inkurajon migrimin gjeorgjian në Abkhazi, të cilin do ta pasojë edhe ai nga Armenia, sidomos në vitet Pesëdhjetë dhe Gjashtëdhjetë. Situata për abkhazianët kthehet së prapthi pas vdekjes së Josif Stalinit. Bashkimi Sovjetik e braktis politikën diskriminuese dhe të asimilimit të detyruar dhe adopton një me shenjë të kundërt në mbrojtje të minorancës abkhaziane. Mbrojtja e re sovjetike u mundëson abkhazëve që të fitojnë një peshë dhe influencë të konsiderueshme në jetën politike të republikës, në fakt joproporcionale respektivisht statusit të tyre si minorancë demografike. Në shkëmbim të mbrojtjes nga Moska, elitat abkhaziane i siguruan Bashkimit Sovjetik një besnikëri politike të plotë. Ky skenar i ri ngjall mërinë e mazhorancës së popullsisë, gjeorgjiane dhe armene, që e konsiderojnë veten viktima të diskriminimeve. Është taktika divide et impera e përdorur nga Moska si instrument efikas kontrolli dhe dominimi mbi territoret që hyjnë në sferën e influencës së saj. Konfliktualiteti i brendshëm midis abkhazianëve dhe gjoergjianëve që piqet në rajonin abkhazian mbahet në surdinë vetëm nga prania kërcënuese e Rusisë së madhe. Rënia e Bashkimit Sovjetik do t'ia hapë kapakun kutisë së Pandorës kaukaziane.

Konflikti abkhaziano - gjeorgjian

Përleshjet në Abkhazi kanë nisur të nesërmen e shpërbërjes së perandorisë sovjetike. Në momentin e pavarësisë gjeorgjiane, në prillin e vitit 1991, Abkhazia gjendet e ndarë në dy fraksione: mazhoranca, e përbërë thelbësisht nga gjeorgjianë dhe armenë, në favor të pavarësisë së Gjeorgjisë, dhe minoranca, e përbërë nga abkhazë, që rivendikon krijimin e një republike të pavarur nga Gjeorgjia. Midis dy fraksioneve kanë filluar betejat e parë. Në këtë pikë, në ecurinë dhe në menaxhimin e konfliktit, bëhet e rëndësishme linja politike e ndjekur nga presidentë të ndryshëm gjeorgjianë, pse jo dhe roli i luajtur nga Moska. Presidenti i parë i Gjeorgjisë së pavarur passovjetik, Zviad Gamsakurdia, ndjek një politikë "mikro-perandorake", thelbësisht nacionaliste, e karakterizuar nga një kundërshtim i fortë ndaj lëvizjeve autonomiste të minorancave të brendshme etnike dhe nga largim i prerë nga Rusia (tregues i një linje të tillë properëndimore është në fakt aderimi i munguar i Gjeorgjisë në Komunitetin e Shteteve të Pavarura (CIS). Moska i kundërpërgjigjet "tradhtisë" gjeorgjiane duke mbështetur lëvizjet indipendentiste të pranishme në rajone të ndryshme të Gjeorgjisë, Abkhazisë, Oshecisë së Jugut, Axharisë, Javakhetit, me qëllimin e dobësimit të qeverisë së Tbilisit.

Kjo linjë do të ndiqet nga Kremlini me vijueshmëri e me vendosmëri, deri sa është arritur në përplasjen e fundit ushtarake të hapur midis trupave gjeorgjiane dhe atyre ruse (te ndërhyrja në mbrojtje të Abkhazisë), e ndodhur në gushtin e vitit 2008 dhe e zgjidhur me disfatën e forcave gjeorgjiane. Kur në shkurtin e vitit 1992, Gjeorgjia abrogon Kushtetutën e epokës sovjetike dhe restauron Kushtetutën e vitit 1921 të Republikës Demokratike të Gjeorgjisë, akti është interpretuar nga abkhazianët si abrogim i statusit autonom të tyre dhe, në kundërpërgjigje të kësaj, deklarojnë pak muaj më pas pavarësinë e Abkhazisë. Në këtë pikë shpërthen lufta në kuptimin e vërtetë të fjalës midis rebelëve abkhazianë dhe trupave qeveritare, të dërguara nga Tbilisi për të rimarrë kontrollin e rajonit. Për ecurinë e përplasjeve dhe fitoren e rebelëve ndaj forcave gjeorgjiane, që në fund të vitit 1992 u detyruan ta lënë rajonin, një peshë vendimtare kanë pasur forcat paraushtarake të Kaukazit verior, praktikisht çeçenë, oshecë dhe kozakë (e vetëshpallura Konfederatë e Popujve Malësorë të Kaukazit), që nga territori rus kanë arritur në Abkhazi në mbështetje të rebelëve. Pavarësisht një armëpushimi të parë nga fundi i vitit 1992 dhe një të dyti në vitin 1994, përleshjet kanë vazhduar në mënyrë konstante, duke e larguar hipotezën e një përkufizimi paqësor dhe të qëndrueshëm të situatës. Në fakt, qeveria qendrore gjeorgjiane nuk e kontrollon më territorin e Abkhazisë qysh nga viti 1994. Me kalimin e viteve në rajon janë krijuar institucione parashtetërore funksionuese dhe forca të armatosura vetëmbrojtjeje.

Elementi i konfliktualitetit etnik që qëndron në bazën e rivendikimeve politike të rebelëve akhazianë është ndoshta shkaku kryesor i mizorisë dhe i dhunës së veçantë që ka marrë përplasja, me episode spastrimi etnik të përsëritura, sidomos në dëm të popullsisë civile të etnisë gjeorgjiane (vlerësimet flasin për 10000 deri në 30000 gjeorgianë të vrarë, plus 300000 të pastrehë). Në fakt, rebelët abkhazianë, me ndihmën vendimtare të paraushtarakëve të Kaukazit verior dhe mbështetjen e Rusisë (sidomos në furnizimet me armë), ia kanë marrë Tbilisit kontrollin e rajonit, duke provokuar arratinë e të gjithë popullsisë joabkhaziane të shpëtuar masakrave. Si pasojë e kësaj, sot abkhazianët janë bërë mazhorancë e republikës autonome. Lufta e shkurtër midis Rusisë dhe Gjeorgjisë e gushtit 2008, e përfunduar me shpartallimin e Forcave të Armatosura gjeorgjiane, rritja e pranisë ushtarake ruse në Abkhazi dhe njohja e pavarësisë së saj nga ana e Moskës, duket e ka shuar çdo shpresë të zbehtë që të mund t'ia nënshtrojnë Tbilisit sovranitetin e territorit në fjalë.

Rusia dhe Shtetet e Bashkuara

Raportet midis Rusisë e Gjeorgjisë dhe mbështetja dhënë qysh në fillim lëvizjeve indipendentiste të Abkhazisë, Oshecisë së Jugut dhe Axharisë, duhen inkuadruar në strategjinë politike komplesive të zbatuar nga Moska në Kaukaz. Një konsideratë paraprake na jep një element të parë domethënës. Pavarësisht se rajoni kaukazian është i ndarë në një anë që është pjesë e Rusisë së sotme (Kaukazi verior) dhe një anë tjetër e pavarur (Transkaukazia), Gjeorgjia, Armenia dhe Azerbaixhani, Moska e percepton rajonin si një sistem unik, sa nga pikëpamja ekonomike, aq edhe nga një pikëpamje politiko-strategjike dhe të sigurisë. Interesat kryesore të Rusisë në rajon janë në thelb dy: të ruajë integritetin territorial (shiko çështjen çeçene) dhe të mbrojë interesat e veta ekonomiko-strategjike në Transkaukazi. Ruajtja e një roli hegjemonist influence politike - pse jo dhe ekonomik - është kështu objektivi qendror, strategjia dominuese e politikës ruse në Kaukaz. Të mos harrohet se Moska e konsideron Transkaukazinë (ashtu si ish-zonat e tjera sovjetike, shënimi im.) si "fqinjin e jashtëm" të vetin, domethënë një hapësirë historikisht, politikisht dhe ekonomikisht të lidhur me interesat jetike të saj.

Nëqoftëse nga njëra anë Moska ka interes që ta mbështesë pavarësinë e Abkhazisë për të dobësuar Gjeorgjinë dhe për ta mbajtur në këtë mënyrë në orbitën e saj (sidomos si pasojë e politikës properëndimore të Presidentit gjeorgjian Saakashvili), nga ana tjetër duhet ta dozojë me vëmendje linjën e saj pro lëvizjeve indipendentiste, me qëllim që të shmangë kundërgoditje të rrezikshme që mund t'i derivojnë në brendësi të vetë territorit të saj. Efekti domino. Në fakt, pikërisht në Kaukazin verior Moska duhet të përballojë lëvizje të ndryshme indipendentiste (Adigecia, Karaçajo - Çirkasia, Kabardino - Balkaria, Oshecia Veriore, Çeçenia, Dagestani), burim destabilizimesh të fuqishme. Mbështetja ushtarake dhënë Abkhazisë nga rebelët kaukazianë (Konfederata Malësore e Popujve të Kaukazit) konfirmon ndërthurjen dhe lidhjet e lëvizjeve të ndryshme indipendentiste, veç të tjerash të bashkuar nga feja islamike e përbashkët. Gjatë viteve të fundit sulmet e këtyre lëvizjeve indipendentiste, sidomos atyre çeçene, kanë marrë modalitetet operative e grupeve terroriste, duke bërë të flitet, jo gjithmonë në mënyrë të përshtatshme, për një lëvizje terroriste islamike të vetme, që do të përfshinte grupet qaediste të Lindjes së Mesme, të Gadishullit Arabik e të Jemenit, talebanët e Afganistanit, Pakistanit dhe Taxhikistanit, deri në falangat ekstreme të islamit indonezian dhe filipinas.

Lufta e gushtit të vitit 2008 është episodi i fundit dhe më i rëndë i një procesi që e ka parë Kremlinin të hyjë në rrugën e përplasjes me Presidentin gjeorgjian Mikheil Saakashvili, i cili ka adoptuar një qëndrim fuqimisht properëndimor, në mënyrë të veçantë proamerikan, dhe në mënyrë eksplicite antirus. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian mbështesin integritetin territorial të Gjeorgjisë, të cilës i kanë premtuar ndihma financiare dhe bashkëpunim më të madh pas lufte. Por janë të ndarë lidhur me mundësinë për t'i hapur dyert e NATO-s Tbilisit. Mungesa e një strategjie të përbashkët për Gjeorgjinë, e mbledhur me faktin që Rusia është në një pozicion force, e kufizon influencën e Amerikës dhe të Europës ndaj zhvillimeve në Abkhazi. Moska vë në përdorim lidhjet e saj të ngushta me autoritetet indipendentiste për ta influencuar politikën e jashtme të Gjeorgjisë. Një prej prioriteteve të Presidentit gjeorgjian Saakashvili është integrimi i Gjeorgjisë në NATO, të cilës Rusia i kundërvihet fuqimisht. Aderimi i Gjeorgjisë në NATO duket jashtë çdo diskutimi, të paktën për të ardhmen e afërt. Një anëtarsim atlantik eventual do ta përfshinte drejtpërsëdrejti NATO-n në konfliktet me Abkhazinë dhe Oshecinë e Jugut dhe do të rrezikonte që ta tërhiqte në një konfrontim të drejtpërdrejtë me Rusinë në fuçinë e barutit kaukaziane.

Veç kësaj, Gjerogjia është shumë larg nga posedimi i kërkesave (në termat e demokracisë dhe të efikasitetit të institucioneve) të kërkuara për aksesin. Pavarësisht mbështetjes së shprehur nga disa anëtarë (si Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe) NATO nuk ia ka ofruar Gjerogjisë pjesëmarrjen në programin e saj të paraaderimit, të quajtur Membership Action Plan (MAP). Aleanca ka shprehur në terma të përgjithshëm vullnetin për ta integruar Gjeorgjinë, por ama pa specifikuar asnjë datë. Lufta e fundit me Rusinë duket se e ka reduktuar në mënyrë të konsiderueshme mundësinë që Gjeorgjia ta rekuperojë autoritetin mbi Abkhazinë. Qeveria ruse ka shpallur se do ta rrisë numrin e ushtarëve që, me cilësinë zyrtare të paqeruajtësve qenë tashmë të pranishëm në territor, deri në rreth 3500 njësi në rajon. Për momentin nuk ekziston asnjë bazë negociiuese mbi të cilat të diskutohet statusi i provincës që do të shkëputet dhe në fakt situata ka mbetur e ngrirë. Vendet perëndimore mbështesin integritetin territorial të Gjeorgjisë dhe kanë ftuar vendet e tjera të botës që të mos e njohin sovranitetin e Abkhazisë (praktikisht, vetëm Nikaragua e ka ndjekur shembullin e Moskës). Megjithatë, duhet nënvizuar se puna e qeverisë së Presidentit Saakashvili në rastin e luftës me Rusinë i është nënshtruar kritikave të shumta nga ana e Shteteve të Bashkuara dhe Europës Perëndimore. Presidenti gjeorgjian është akuzuar se ka vepruar në mënyrë të pakujdesshme, duke i ofruar Rusisë rastin që të ndërhyjë (opinion i forcuar pas zbulimit të përmbajtjes së një raporti të OSBE-së ajo që ka hapur zjarr e para ka qenë ushtria gjeorgjiane). Kredia të cilën gëzon Saakashvili pranë kryeqyteteve të vendeve të Paktit të Atlantikut për momentin është shumë e ulët.

E varur pezull midis një afrimi të vështirë me zonën atlantike (Bashkim Europian, Shtetet e Bashkuara, NATO) dhe një pranie dhe influence këmbëngulëse ruse, Gjeorgjia lëviz kështu në skajet e shtrirjes së dy sferave të influencës, asaj atlantike dhe asaj ruse, që pas përfundimit të bipolarizmit dhe unipolarizmit, rishfaqen për t'i dhënë formë, këtu dhe tjetërkund në skenarin global, një asesti prej disave i quajtur jopolar, por që është në mënyrë më të përshtatshme multipolar.

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Saint Laurent e merrte frymëzimin nga rruga, njerëzit e thjeshtë e kalimtarët e zakonshëm dhe për t'u frymëzuar shëtiste në kënde të ndryshme të botës për të marrë nga secili vend veçoritë karakteristike

Ives Saint Laurent, ai që u veshi grave pantallonat!

Ives Saint Laurent, që "shpërtheu" në skenën e botës së modës në vitin 1958, djaloshi-mrekulli pasues i denjë i Christian Dior ka qenë një nga njerëzit e konsideruar si më me influencë në botë për shumë dekada rresht. Gjatë karrierës së tij aktive, që nisi fuqishëm në vitin 1957 dhe zgjati deri në vitin 2002, ai ishte përgjegjësi kryesor për ndryshimin e mënyrës së veshjeve të grave, duke "i futur" ato në pantallona si në veshjet e ditës, ashtu edhe në ato të mbrëmjes dhe duke u rekomanduar xhaketat e këmishat, të cilat deri në atë kohë ishin ekskluzivitet vetëm i meshkujve. Ai ishte dhe ideatori i veshjes që imiton lëkurën e leopardit dhe shumë aksesorëve që sot janë të zakonshme për kostumet e grave. Saint Laurent e merrte frymëzimin kryesisht nga rruga, njerëzit e thjeshtë e kalimtarët e zakonshëm që e popullojnë atë dhe për t'u frymëzuar shëtiste në kënde të ndryshme të botës për të marrë nga secili vend veçoritë karakteristike dhe për t'i përpunuar e stilizuar ato më pas në laboratorin e tij magjik të modës. Kjo lloj krijimtarie ishte edhe mënyra që i ofroi suksesin e garantuar dhe afatgjatë të pasarelave në të cilat emri i tij u lidh ngushtë me konceptin tendencë, klas dhe përsosje. Një tjetër burim frymëzimi ishin edhe veprat e artistëve dhe piktorëve të mëdhenj të shekullit XX si Picaso, Miro, apo Matisse. Ndër femrat që u dashuruan me veshjet e Ives dhe që u bënë ambasadorë të modës së tij në botë ishin të famshmet Catherine Deneuve, Paloma Picaso, Lauren Bacall apo Marie-Helene de Rothchild.

Saint Laurent e preku suksesin dhe famën e madhe në vitin 1958, kur ishte vetëm 21 vjeç. Koleksioni i tij i parë quhej "koleksioni Traqpeze" dhe ishte i pari i nxjerrë prej tij pas vdekjes së mjeshtrit të madh, Dior. Suksesi ishte i menjëhershëm, por ndryshe nga shumë koleksione që shpërfillen e zhduken shumë shpejt nga memoria, fati i koleksionit të Sait Laurent ishte i ndryshëm. Ai ia doli që të mbetej në majat e profesionit të tij, ndërkohë që moda ndryshonte dhe këtë e bëri duke u marrë me të gjitha llojet e veshjeve që nga ato të mbrëmjes e deri tek ato të sportit dhe të fëmijëve. Shtëpinë e tij të modës e hapi në vitin 1962 dhe që nga ai vit koleksionet e Ives priteshin me padurim nga e gjithë bota e modës dhe sigurisht klientët e saj. Ives vendoste gjithmonë tendencën e re, asaj që i shkonin pas shtëpitë e tjera të modës. Ndikimin më të madh ai e pati gjatë viteve '60 dhe '70, vite në të cilat linjat dhe modelet e veshjeve ndryshonin me shpejtësi marramendëse. Ndër sukseset më të mëdha të stilistit ishte koleksioni "Mondrian" i vitit 1965, i bazuar në pikturat e një artisti holandez, si edhe koleksioni tjetër "fshatari i pasur" i vitit 1976, i cili zgjoi një kureshtje dhe një interes të jashtëzakonshëm në Paris. Nuk u desh të kalonin shumë ditë që të përhapej kudo fama e këtij koleksioni të jashtëzakonshëm dhe prej pasarelave të Parisit gjithçka u zhvendos në ato të Nju Jorkut. Edhe në metropolin e botës suksesi ishte i jashtëzakonshëm. Gjatë një interviste të dhënë pas shfaqjes njujorkeze, Ives tha se koleksioni ishte një materializim i ëndrrave të tij dhe se kur krijonte për femrën ai kishte parasysh heroinat e librave të tij të dashur, bukurinë dhe forcën e karakterit të tyre. Por, Ives ka qenë edhe një gjenerues i vërtetë kundërshtish dhe debatesh. Në vitin 1968 ai sugjeroi që gratë duhet të vishnin pantallona në jetën e përditshme, madje ato duhet të përdoreshin masivisht edhe në veshjet e mbrëmjes, sigurisht me stilizimin e duhur për okazione të tilla. Kjo futje e re në veshjen e grave mund të konsiderohet si një revolucionarizim i madh i botës së veshjeve, që bëri epokë dhe ndryshoi kryekëput jo vetëm veshjet, por edhe mentalitete të caktuara. Sipas tij, që një grua të konsiderohej femër me gusto dhe e veshur mirë duhet që të mbante pantallona, një pulovër dhe një xhaketë të lehtë sportive. "Puna ime si stilist është që të parashikoj tendencat e kohës dhe koha që po jetojmë, për nga pozita në të cilën është vendosur dhe do të vendoset femra e do që ajo të mbajë pantallona. Në vitin 1983, kur ishte 47 vjeç, studiuesit e modës e konsideruan punën dhe kontributin e tij si thelbësor dhe të papërsëritshëm në mënyrën e jetesës së gjysmës së dytë të shekullit XX. Për këtë arsye, në Museun Metropolitan, Ives i është kushtuar një pavijon i tërë dhe ky është nderimi më i madh që i është bërë deri më sot një stilisti. Ky pavijon është një ndër pavijonet që vizitohet më dendur nga frekuentuesit e muzeumit. Karriera e viteve të mëvonshme e Ives u fokusua shumë në aspektin klasik të veshjeve. Djali magjik u shndërrua në një burrë të pushtetshëm. Gjatë një interviste të dhënë në vitin 1983 ai thoshte: "Garderoba e një gruaje nuk duhet të ndryshojë çdo 6 muaj. Një grua duhet të jetë në gjendje që të përdorë veshjet që ka duke u shtuar atyre aksesorët modernë". Për vite e vite me radhë, Ives ishte emri që si rrallëkush nënkuptonte modën dhe guston dhe kjo zgjati deri në vitin 2002, kur vendosi që të largohej nga aktiviteti i përditshëm në pasarelat të cilave u kushtoi jetën dhe krijimtarinë e tij.

Ives Henri Donat Mathieu-Saint-Laurent lindi në Algjeri në 1 gusht të vitit 1936. I ati ishte avokat, ndërsa e ëma një femër që shquhej nga një stil i përkryer dhe elegant të veshuri. Fëmijërinë e kaloi në një vilë buzë Mesdheut së bashku me dy motrat e tij. Thuhet se ai ishte një fëmijë i heshtur dhe i tërhequr, që shmangte të gjitha veprimtaritë sportive e fizike, përveç notit dhe që kishte një pasion të madh për teatrin dhe modën. Këtë pasion e shprehu me vizatimet e shumta që u bënte veshjeve të femrave, të cilat më pas ia tregonte të ëmës. Ai kënaqej shumë kur merrte miratimin e kësaj gruaje, që sipas tij, ishte ndër të rrallat me një gusto të jashtëzakonshëm të lindur. Prindërit donin që Ives të vazhdonte traditën e familjes dhe të studionte për drejtësi, ndërkohë që vetë Ives nuk e kishte aspak me pasion një zgjedhje të tillë. Në moshën 17-vjeçare shkoi në Paris dhe vendosi të bënte zgjedhjen që i diktonte zemra: modën. Pasi kreu studimet në shkollat më të mira të kryeqytetit punoi për 3 vjet me mjeshtrin e madh të kohës, Christian Dior, i cili e thërriste me përkëdheli "delfini im" apo "krahu im i djathtë". Pas vdekjes së papritur dhe tronditëse të Dior në vitin 1957, shtëpia Dior e emëroi Ives, pasuesin e të madhit Christian dhe stilistin e saj kryesor. Kështu, në moshën 21-vjeçare ai e gjeti veten në krye të një perandorie të vërtetë veshjesh, e cila kishte një xhiro vjetore prej 20 milionë dollarësh. Nuk ishte e lehtë që të pasoje një legjendë si Dior, por Ives kishte brumin e duhur për ta bërë në mënyrën më të mirë të mundshme një gjë të tillë. Vitet që pasuan emërimin e tij e tregojnë qartë një gjë të tillë. Nga një student i talentuar, Ives u shndërrua shumë shpejt në njeriun që ndryshoi radikalisht mënyrën e veshjeve të femrave, e cila deri në atë kohë ishte ajo e pasluftës. Por suksesi i madh ishte një anë pozitive që do të pasohej nga probleme personale që kishin të bënin me depresionin, apo varësinë fillimisht nga alkooli e më pas nga droga. Pavarësisht hyrjeve e daljeve nga spitali psikiatrik, Ives arrinte gjithmonë në kohë që të nxirrte koleksionet e tij të radhës dhe të merrte pjesë, edhe pse shpeshherë me zemrën e copëtuar e mendjen e turbullt në shfaqjen finale të prezantimit. Pas një periudhe të gjatë në shtepinë "Dior" dhe pas një grindjeje të madhe me drejtuesit e saj, e cila përfundoi në një përleshje gjyqësore aspak të këndshme, Ives vendos që të largohet për të hapur shtëpinë e tij të modës duke lançuar kështu emrin e tij, tashmë pa bashkëngjitjen e deriatëhershme, Dior. Koleksioni i tij i parë personal doli në vitin 1962 dhe ky ishte fillimi i një historie të gjatë suksesi dhe fame që e bëri Ives, ndër të tjera edhe një ndër personat më me influencë në botë deri në fillim të shekullit të ri. Me kalimin e viteve ai u mor edhe me pjesë të tjera të modës përveç veshjes si këpucët, parfumet, apo bizhutë. Dizenjoi edhe për shfaqje e filma të ndryshëm dhe u bë stilisti personal i emrave më të famshëm të botës së artit dhe të spektaklit në Francë, por edhe më gjerë. Në vitin 1993, shtëpia e Saint Laurent do të bëhej pjesë e ndërmarrjes pjesërisht shtetërore El Sanofi, por 43% e grupit do të mbetej sërish në duart e Saint Laurent, i cili do të kontrollonte gjithçka i vetëm deri në vitin 2001. Pas një viti jo të qetë, Ives do të lajmëronte botërisht se kishte vendosur që të largohej përfundimisht nga bota e modës, të paktën në mënyre aktive. Këtë lajmërim ai e bëri gjatë një konference për shtyp në Paris, në të cilën ndodheshin botuesit e gazetave dhe revistave të modës të të gjithë botës. Të gjithë ishin me lot në sy dhe shumë të prekur për këtë ikje të madhe, e cila me vdekjen e tij më 1 qershor të vitit 2008 në moshën 71-vjeçare në Paris mori formë përfundimtare e të parikthyeshme.

Stilisti, gjatë karrierës së tij krijoi shumë kundërshti dhe debate. Në vitin 1971 u shfaq i zhveshur në një foto, e cila reklamonte koleksionin e tij për meshkuj YSL. Më pas në vitin 1977, ai i dha emrin "Opium" njërit prej parfumeve për femra, emër që i hapi telashe me gjykatën pas disa denoncimeve për promovim të drogës. Ives ishte një njeri që sikurse punonte në botën e modës jetoi me një shije e elegancë të vërtetë. Atij i pëlqente që të ishte i rrethuar nga e bukura, nga sublimja, eleganca dhe klasi.

Të gjitha shtëpitë dhe pronat që bleu përgjatë viteve në të cilat banonte vetëm me qentë e tij të racës bulldog, të gjithë të quajtur Moujik, ishin të dekoruara në mënyrë luksoze dhe të mbushura me objekte antike e antikuariate nga artistët e tij të preferuar si Picaso, Cocteau, Braque dhe Christian Berard. "Çdo njeri, për të ekzistuar ka nevojë të rrethohet nga fantazma estetike. Unë kam njohur e përjetuar frikën dhe tmerrin e të qenit vetëm, kam përjetuar miqësine e rreme të qetësuesve dhe drogës, kam përjetuar burgun ku të fut depresioni dhe izolimin e spitalit psikiatrik. Por një ditë ia dola mbanë që t'i lë pas e t'i sfidoj të gjitha këto të këqija. Gjunjët më priteshin, por isha më në fund mendjekthjellët".

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Ndonëse mendja është në gjendje zgjimi, ata që vuajnë nga narkolepsia e gjejnë veten të paaftë të lëvizin për disa minuta. Në disa raste, ai që vuan mund të përjetojë haluçinacione të dëgjimit, prekjes apo shikimit

Përse njerëzit dëgjojnë zëra në kokën e tyre?

Në librin e tij "Misteret", eksperti i fenomeneve paranormalë, Colin Wilson përmend se si miku i tij, Bill Slater, që dikur ka qenë kreu i BBC, bënte komente të çuditshme gjatë një seance psikike. Kur ai shkonte në shtrat, thotë Wilson, zgjohej më vonë atë natë "i bindur se një lloj entiteti i padukshëm po përpiqej të merrte kontrollin e trupit të tij". Duheshin 20 minuta betejë e vazhdueshme përpara se ta "dëbonte". Por, nëse dëshiron të gjesh një shpjegim të rëndomtë për fenomenin e Slater, nuk ka nevojë të shohësh shumë larg. Paraliza në gjumë është një gjendje në të cilën një person përjeton një paralizë të përkohshme të trupit menjëherë, pasi zgjohet (dhe më rrallë, pasi bie në gjumë). Ndonëse mendja është në gjendje zgjimi, ata që vuajnë nga kjo lloj paralize e gjejnë veten të paaftë të lëvizin, ndonjëherë deri për disa minuta. Në disa raste, ai që vuan mund të përjetojë haluçinacione të dëgjimit, prekjes apo shikimit. Kjo gjendje është e lidhur ngushtë me paralizën normale që ndodh gjatë fazës REM të gjumit, e quajtur atonia e muskujve, në të cilën trupi paralizohet për të penguar një person që të kryejë aktivitetet që sheh në ëndërr, si për shembull lëvizja e këmbëve në rast se në ëndërr është duke vrapuar. Disa shkencëtarë besojnë se, është një pjesë normale e ciklit të gjumit dhe kur ndodh paraliza e gjumit, truri është zgjuar nga një gjendje REM në një gjendje pothuajse zgjimi të plotë, e megjithatë paraliza e trupit vazhdon. Disa prej shkaqeve të mundshëm të paralizës së gjumit përfshijnë pengimin post-sinaptik të neuroneve të trurit apo nivele të ulët të melatoninës.

Gjithashtu, besohet se narkolepsia (një gjendje neurologjike që karakterizohet nga një gjendje gjumi tërë ditën) mund të shkaktojë paralizën e gjumit. Por nuk është e thënë se, narkoleptikët vuajnë nga kjo gjendje. Në fakt, studime të ndryshëm tregojnë se, shumica e njerëzve e përjetojnë paralizën e gjumit të paktën një herë gjatë jetës.

Fenomen ndërkulturor

Një prej aspekteve më interesantë të paralizës së gjumit janë llojet e ndryshëm të haluçinacioneve që shoqërojnë zakonisht këtë gjendje. Shpesh herë, ata që vuajnë ndiejnë se ka një prani keqdashëse aty pranë, që i mban poshtë, duke u qëndruar mbi kraharor. Gjithashtu, nuk është e pazakontë që njerëz të ndihen sikur po mbyten, rrihen, apo po u përthyhen gjymtyrët. Veç kësaj, ka patur raportime për tinguj të ndryshëm, si ulërima e fërshëllima, ndonjëherë të shoqëruar nga ndjesi të çuditshme të trupit, si therje apo mpirje.

Raportohet gjithashtu për tinguj të një natyre teknologjike, si zhurma sirenash apo telefoni. Pastaj ka zëra, disa prej tyre të padallueshëm, të tjerë të qartë e të kuptueshëm. Duke patur parasysh se këto eksperienca mund të kenë ndikim të thellë në botëkuptimin shpirtëror të një njeriu, nuk është habi që ky fenomen ka patur impakt të thellë mbi fenë dhe mitologjinë në histori. Në folklorin kinez, për shembull, paraliza e gjumit besohet të jetë një formë posedimi i vogël i trupit nga qenie të vdekura. Sipas mitologjisë skandinave, paraliza e gjumit shkaktohet nga një fantazmë keqdashëse femre, e cila ulet mbi kraharorin e viktimës dhe më pas sjell vetëm makthe. Fenomene të llojit të paralizës së gjumit mund të gjenden edhe në shumë shtete të tjerë, duke përfshirë Japoninë, Meksikën, Greqinë, Indonezinë, Filipinet, Rusinë dhe Hungarinë. Në shumicën e këtyre shteteve, shpirtëra dhe qenie të tjera mbinatyrore besohet se qëndrojnë prapa episodeve të paralizës së gjumit dhe maktheve.

Zëra në kokë

Shumë njerëz që vuajnë nga paraliza e gjumit ndonjëherë përjetojnë edhe haluçinacione të dëgjimit. Shumica prej nesh supozojnë se të sëmurët mendorë, sidomos psikotikët janë të vetmit që dëgjojnë zëra, por kjo thjesht nuk është e vërtetë, pasi edhe njerëz me një shëndet të mirë mendor ndonjëherë raportojnë për eksperienca të tilla. Për shembull, në një studim të kryer në vitin 1889 nga Shoqëria e kërkimeve Psikike, ku u përfshinë 17 mijë të rritur të shëndetshëm nga Anglia, Rusia dhe Brazili, u bë kjo pyetje: "A ju ka ndodhur ndonjëherë që, kur keni besuar se keni qenë tërësisht zgjuar, keni patur përshtypjen që keni parë apo jeni prekur nga një qenie apo objekt, apo të keni dëgjuar një zë?"

Më shumë se 100 vjet më vonë, një vëzhgim i ngjashëm u krye nga Allen Y. Tien, themelues dhe president i MDLogix, ku përfshiu 15 mijë vetë nga Baltimora, St. Louis dhe Los Angeles. Tien zbuloi se, zërat dëgjohen rregullisht nga 2.3 përqind e popullsisë. Të tjerë studime bashkëkohore mbi mbizotërimin e haluçinacioneve të dëgjimit brenda popullsisë në përgjithësi kanë nxjerrë rezultate të ngjashëm. Sigurisht, ata që kanë më shumë gjasa të dëgjojnë zëra janë njerëzit që vuajnë nga një lloj i caktuar psikoze. Sipas Ralph Hoffman, profesor i Psikiatrisë në Yale University, kjo gjendje prek 70 përqind të pacientëve me skizofreni dhe 15 përqind të pacientëve me çrregullime të gjendjes shpirtërore. Gjendjet dhe diagnozat jopsikotike, si depresioni dhe stresi mund të sjellin gjithashtu përjetime të ngjashëm. Atëherë nga e kanë origjinën këta zëra fantazmë? Hemisfera e majtë e trurit tonë lidhet me gjuhën dhe logjikën, ndërkohë që e djathta ka të bëjë me modelet dhe intuitën. Hemisfera e majtë është më dominuesja e dy "personaliteteve" tanë dhe çdonjëri prej nesh jeton në këtë anë të trurit.

Tek "origjina e vetëdijes në shkatërrimin e Mendjes Dydhomëshe", psikologu i Princeton, Julian Jaynes, parashtron teorinë që zërat jashtë trupit e kanë origjinën nga pjesa e djathtë e trurit, por ata dëgjohen nga pjesa e majtë e tij si me një megafon. Studime të kryera tek skizofrenët tregojnë, se zërat që ata dëgjojnë janë kanosës, tallës dhe shpesh herë shqetësues. Ata, shpjegon Jaynes, "mund të ulërasin, rënkojnë, thumbojnë dhe variojnë nga pëshpërima deri tek një ulërime bubulluese". Gjithashtu, mund të ketë më shumë se një zë dhe zërat shpesh herë flasin në një mënyrë të veçantë, për shembull shumë ngadalë, në një gjuhë të huaj, apo me rimë.

Ndonëse kjo teori që këta zëra e kanë origjinën tek pjesa e djathtë e trurit mund të shpjegojë disa raste, ajo sigurisht që nuk i shpjegon të gjithë.

Bota e shpirtrave

Në vitet '70, psikiatri Dr. Wilson Van Dusen kreu një studim 16-vjeçar tek skizofrenë, të alkoolizuar dhe njerëz me dëmtime në tru që vuanin nga haluçinacionet. Duke i bërë pacientët të përshkruanin se çfarë mund të shihnin dhe dëgjonin, Van Dusen ishte në gjendje të fliste me haluçinacionet e tyre, duke patur madje shpesh herë biseda të gjata me ta. Van Dusen zbuloi se, kishte dy lloje të ndryshëm zërash që dëgjonin zakonisht pacientët e tij. Të parët ishin të "rendit të ulët", që ishin si "vagabondë të pirë në një lokal që kanë qejf të ngacmojnë dhe trazojnë thjesht për qejf". Ata, thotë ai, "gjejnë një pikë të dobët në vetëdijen e dikujt dhe punojnë pafund me të".

Veç kësaj, "ata e thërrasin një pacient me çdo emër të mundshëm, i sugjerojnë akte të turpshëm, vjedhin kujtime apo ide nga vetëdija, kanosin me vdekje dhe punojnë në çdo mënyrë me kredibilitetin e pacientit". Zërat e "rendit të lartë" janë dashamirës, kanë një shqetësim të sinqertë për mirëqenien e pacientit dhe kanë prirjen të komunikojnë përmes simbolizmit dhe përvojës fetare. Në përgjithësi, thotë Van Dusen, "rendi më i lartë është më i pasur se sa eksperienca morale e pacientit, respektojnë lirinë e tij, janë ndihmës, udhëzues, mbështetës, shumë simbolikë dhe fetarë... ata mendojnë sipas ideve universale që janë më të pasura dhe më komplekse se sa mënyra e të menduarit e vetë pacientit".

Van Dusen e krahasonte rendin e ulët me identitetin e Frojdit dhe rendin më të lartë me prototipet e Karl Jung. Zbulimet e tij duket se sugjerojnë që një prej roleve të rendit të lartë është të mbrojnë njerëzit nga rendi më i ulët, ku ky i dyti mund të përshkruhet si persekutues dashakeq me një dëshirë këmbëngulëse për të shkatërruar mendjet dhe trupin e viktimave. Rendi më i lartë, thotë Van Dusen, pretendon të jetë më i fuqishëm se sa rendi më i ulët, por jo aq sa për t'u dhënë qetësi mendore shumicës së pacientëve. Për të hedhur dritë mbi përvojat e pacientëve të tij, Van Dusen shfletoi shkrimet e mistikut dhe shkencëtarit suedez, Emanuel Svedenborg. Sipas tij, si shpirtërat edhe ëngjëjt mund të bashkëbisedojnë direkt me njeriun, duke hyrë "me anë të një rruge të brendshme në organin e tij të dëgimit, pra, duke e ushtruar ndikimin nga brenda". Por, komunikimi me shpirtërat është i rrezikshëm, thoshte Svedenborg, pasi duke bërë këtë njeriu mund të vërë në rrezik shëndetin mendor, madje dhe jetën. Svedenborg përmendte gjithashtu që shpirtërat janë normalisht jo të vetëdijshëm për ekzistencën tonë dhe për arsye se ekziston një lloj barriere mes tyre dhe vetëdijes sonë, ata si rrjedhim nuk janë në gjendje të komunikojnë me ne në mënyrë direkte.

Megjithatë, në disa raste të rrallë, si për shembull kur njerëzit jepen pas fantazive, shpirtërat mund ta thyejnë këtë barrierë, duke shkaktuar trauma. (Është interesante që ky citim është njëkohësisht një përshkrim i saktë i skizofrenisë, e cila është e përcaktuar si një "apo disa çrregullime mendore që karakterizohen nga humbja e kontaktit me realitetin dhe shpërbërja e personalitetit". Në lidhje me shpirtërat e ligë, apo ata që Van Dusen i ka quajtur zërat e rendit më të ulët, Svedenborg thoshte se, ata dëshironin që të posedonin trupin e viktimës, diçka që studimi i Van Dusen duket se e konfirmon. Ëngjëjt, apo zërat e rendit më të lartë, thotë Svedenborg, komunikojnë përmes simbolizmit dhe përdorin pak fjalë, sepse "mendja e brendshme e njeriut nuk mendon me fjalë, por me intuitë". Përmes kësaj, Svedenborg duket se i referohet hemisferës krijuese të djathtë të trurit. Natyrisht, Van Dusen e pati të vështirë të injoronte zërat e rendit të lartë dhe të ulët si asgjë më shumë se sa manifestime të pavetëdijes. Më shumë gjasa, thotë ai, ka që forca spirituale të ekzistojnë pavarësisht nga pacienti dhe që janë përgjegjëse për zërat. Nëse këta zëra do të ishin prodhuar nga pavetëdija, atëherë si ka mundësi që rezulton se shumica e zërave të rendit të ulët urrejnë fenë? Dhe përse haluçinacionet e pacientëve janë të gjithë kaq të ngjashëm? Nëse shpirtërat e ligë janë vërtetë përgjegjës për prodhimin e llojeve të ndryshëm të haluçinacioneve që përjetojnë skizofrenët, atëherë është e mundur që paraliza e gjumit të shpjegohet në të njëjtën mënyrë. Me fjalë të tjera, ndoshta zërat e rendit të ulët prodhohen nga shpirtëra të ulët apo të mesëm. Nëse do të duam të formulojmë një teori të arsyeshme të paralizës së gjumit, atëherë le të supozojmë se shpirtërat e të vdekurve okupojnë një pjesë të spektrit elektromagnetik përtej kufijve tanë të perceptimit.

Në kushte normale, ne nuk mund t'i perceptojmë dhe as ata nuk munden të na perceptojnë ne. Por, gjatë fazës REM të gjumit, pulsi dhe frymëmarrja jonë çrregullohen, sytë tanë lëvizin me shpejtësi me kapakë të mbyllur, muskujt tanë relaksohen dhe aktiviteti i valëve të trurit tonë ngjan me atë të një personi të zgjuar dhe në vigjilencë. Paraliza e gjumit gjithmonë pason fazën REM. Gjatë një episodi të paralizës së gjumit, njeriu ndihet sikur është plotësisht i zgjuar, por në të vërtetë është në një gjendje vetëdije që mund të jetë e favorshme për komunikimin e një dimensioni tjetër.

Përveçse konsumojnë energjinë tonë jetësore për mbështetje, ndoshta këta entitete përpiqen të posedojnë trupin tonë. Me qëllim që të rezistojnë sulmit, shumica e atyre që vuajnë paralizën e gjumit përpiqen të zgjohen. Por çfarë do të ndodhte nëse nuk ia dalin? A do të posedoheshin trupat dhe mendjet e tyre nga entitete të tillë? A do të zhvillohej tek ta skizofrenia dhe do të nisnin të dëgjonin zëra? Ndërkohë që, paraliza e gjumit mund të jetë thjeshtë një pjesë e procesit natyror të gjumit, por frika nga kjo eksperiencë ka bërë shumëkënd të besojë se ka një takim spiritual apo paranormal. Deri kur të vijë koha që shkenca të ketë konfirmuar një herë e mirë se çfarë ndodh në fakt biologjikisht gjatë këtyre episodeve të frikshëm, i vetmi emër që do të mund t'i vihet është skizofreni.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

"Si mund të shpjegohen këto fenemone të lëvizjes kaq të menjëhershme dhe praktikisht të mendimit kolektiv mekanik, përveç se me anë të transferimit të mendimit?", thoshte Selous

Si ndodh koordinimi perfekt i botës së kafshëve?

Transferimi i mendimit (apo diçka e tillë) tek zogjtë, i publikuar në vitin 1931, ka qenë titulli i artikullit më të bujshëm të asaj kohe. Më e rëndësishmja ishte se në këtë artikull, ornitologjisti Edward Selous kishte dokumentuar një mister të thellë. Një vëzhgues i vëmendshëm i apasionuar pas zogjve për shumë vite, qe dëshmitari i parë i shumë rasteve kur zogjtë silleshin në një lloj mënyre që mund të shpjegohej vetëm me anë të fuqive psiqike. Ai përshkruajti me detaje të frikshme, lëvizjen e koordinuar ndërmjet sorrave, pulëbardhave, gargujve, mjelmave etj. Sorrat ngriheshin në fluturim nga një fushë dhe ngritja bëhej në një mënyrë aq unanime dhe të menjëhershme saqë dukej sikur "po ngrihej një flakë e madhe e zezë". Nëse nuk bëhet fjalë për një lloj transferimi të mendimit, atëherë është një mendim i "injektuar". Çfarë mund të jetë tjetër?

Gurgujt mblidhen të gjithë bashkë në një tufë prej mijëra zogjsh (siç ndodh të shihet shpesh në Danimarkë), duke dhënë përshtypjen e një reje të hirtë gjigante dhe lëvizja e tyre është e koordinuar në mënyrën më perfekte: "Si mund të shpjegohen këto fenomene të lëvizjes kaq të menjëhershme dhe praktikisht të mendimit kolektiv mekanik, përveç se me anë të transferimit të mendimit?", thoshte Selous. Të njëjtën gjë vërejti edhe me gardelinat që silleshin në të njëjtën mënyrë identike: "Mendja e tyre e vogël duket se punon në grup… më duket sikur mendojnë kolektivisht, të gjitha të njëtin mendim, në të njëjtën kohë".

Selous ka qenë një vëzhgues mjaft i përpiktë dhe që në atë kohë i tregonte botës rreth "tendencës hyjnore që kanë kafshët për të bërë vetëm atë që duhet të bëjnë" dhe insistonte se kjo dukuri duhej regjistruar minutë pas minuti për të zbulur "mendjen e madhe drejtuese". Pavarësisht punës së tij gjeniale, teoria e Selousit u injorua tërësisht nga bashkëkohësit e tij. Transferimi i mendimit ishte diçka e vakët në vitet '30 dhe shkencëtarët i trembeshin çdo gjëje që dilte jashtë kornizave të librave të tyre. Askush nuk ka arritur të japë një shpjegim më të mirë për aftësinë që kanë gurgujt për të lëvizur në mënyrë kaq të koordinuar.

Një mister i ngjashëm me atë të zogjve është zbuluar edhe në sjelljen e termiteve. Si mundet të jetë një insekt aq i vogël, pa tru dhe me një shikim aq të shkurtër, i aftë për të ndërtuar diçka aq komplekse sa foleja e termiteve? Bëhej fjalë për një lidership të koordinuar? Në vitin 1937, një biolog i Afrikës së Jugut, Eugène Marais publikoi "Shpirti i Milingonës së Bardhë", një krahasim kompleks i vizatuar ndërmjet një foleje milingonash dhe një trupi njerëzor në të cilin, punëtorët ishin ekuivalentët e qelizave të kuqe të gjakut, ndërsa ushtarët si qelizat e bardha të gjakut. Duhet të kishte patjetër një tru.

"Mbretëresha është qendra psikologjike e komunitetit. Ajo është truri i organizmit të cilin e quajmë fole termitesh", shkroi Marais. "Nga ky objekt i çrregullt i palëvizshëm, ku ajo rri e mbyllur, çlirohet një lloj fuqie që drejton aktivitetin e të gjithë vartësve të saj".

Njëzet vjet më pas, me evolimin e teknologjisë, një biolog tjetër, Pierre-Paul Grassé, vëzhgoi milingonat gjatë fazave të para të ndërtimit të folesë. Ai vuri re se ato ndiqnin tre rregulla të vetme të thjeshta: "Hapi i parë: Gjej pak dhe fillo ta përtypësh me pështymë për të krijuar një topth. Hapi i dytë: Sillu rreth e qark në mënyrë të çrregullt. Hapi i tretë: Kur të gjesh një zonë të ngritur, hidhe aty topthin dhe riktheu tek hapi i parë".

Nuk ka asnjë lloj rëndësie numri, çdo milingonë mund t'i bashkohet punës dhe rezultati do të jetë i njëjtë. Çdo zonë e ngritur fillon të bëhet gjithnjë e më e lartë teksa grumbullohen të gjithë topthat e rërës të mbledhura nga milingonat. Sa më shumë të zmadhohet foleja, aq më shumë mundësi kanë milingonat për ta parë atë dhe aq më shumë do të rritet pasi puna e tyre përshpejtohet. E gjithë procedura e ndërtimit të folesë përqendrohet tek krijimi i disa kolonave me këto toptha dheu. Kur ato arrijnë një lartësi të caktuar, fillon të manifestohet një sjellje tjetër dhe të gjitha milingonat fillojnë të ndërtojnë harkore ndërmjet këtyre kolonave. E gjithë foleja e ndërlikuar e milingonave bashkë me dhomat dhe tunelet e saj të pajisura me një sistem të sofistikuar të qarkullimit të ajrit, ndërtohet nga hiçi vetëm me anë të punës së qindra milingonave pa ndihmën e asnjë koordinatori qendror. E vetmja detyrë e tyre është që të ndjekin disa rregulla të dhjeshta. Grasse ishte pikërisht ai që krijoi termin e këtij efekti të jashtëzakonshëm të natyrës: "Bashkëpunimi pa Komunikim".

Çdo biolog ka llogaritur se truri i një milingone nuk përmban madje as sasinë më minimale të neuroneve që duhen vetëm për të përshkruar ose për të vlerësuar përfundimin e një foleje të përfunduar. Ata në fakt, gjatë gjithë ekzistencës së tyre ndërtojnë diçka të cilën nuk mund ta perceptojnë. Ky është një shembull konkret dhe i denjë i "emergjencës", e cila është një kompleksitet që rritet vetëm me anë të disa rregullave të thjeshta të sistemit vetëorganizues. Në fakt, do të ishte e gabuar të mendoje se kjo lloj sjelljeje e koordinuar ndodh tërësisht pa praninë e trurit. Një degë e re e shkencave kompjuterike shfrytëzon agjentët kompjuterikë, të cilët simulojnë sjellje të ngjashme me ato të insekteve, me qëllimin për t'i zgjidhur këto probleme shumë herë më shpejt në krahasim të teknikave natyrore. Në këtë mënyrë, Marais i ka përshkruar në një farë mënyre këto milingona si qeliza individuale të tërësisë së një truri gjigant.

Në vitin 1980, shkencëtari dhe studiuesi Craig Reynolds shpiku "Boids", një simulim kompjuterik i tafave të zogjve. Me anë të këtij eksperimenti është vërtetuar se çdo anëtar i kësaj tufe ndjek tre rregulla të thjeshta. Hapi i parë: mos iu largo tufës. Hapi i dytë: ruaj largësinë. Hapi i tretë: ruaj shpejtësinë konstante. Simulimet që vënë në përdorim këto tre rregulla të thjeshta përputhen në mënyrë perfekte me rregullat e përdorura nga zogjtë që fluturojnë bashkë me tufën në jetën reale. Për më tepër, ky simulim kompjuterik tashmë përdoret edhe nga Hollywood për të krijuar efekte të ndryshme në filma fantastiko-shkencor, si për shembull për të krijuar tufën e lakuriqëve të natës që fluturojnë në një skenë të filmit "Batman Begins".

Përgjigjja e dhimbjes së kokës së Sekousit rreth dilemës se si këta zogj arrijnë të komunikojnë me njëri-tjetrin në mënyë që të jenë të aftë të kryejnë këto veprime të koordinuara, duket se është shumë herë më e lehtë seç mund të imagjinohet. Një zog mjafton vetëm t'i përgjigjet dhe të përputhet me lëvizjen e zogut që qëndron para tij dhe në këtë mënyrë çdo njëri prej tyre sigurohet që e gjitha tufa e përbërë prej mijëra zogjsh të jetë shumë herë më i koordinuar. Edhe pse Selous është tashmë i njohur si një pionier i etologjisë, shkenca e sjelljes, ai ka gabuar rëndë në hamendësimin se sjellja në tufë kishte nevojë patjetër për një inteligjencë organizative. Kjo hipotezë më pas të çon drejt pyetjes se ndoshta mund të ketë një fenomen tjetër të pashpjegueshëm që nxit rezultatin e "emergjencës".

Nëse konsideron rastin klasik të dikujt që iu telefonon pikërisht në momentin e caktuar kur ju po mendoni për të pas kaq e kaq kohësh. A mund të ndodhë kjo si rezultat i një procesi të transferimit të mendimit midis dy njerëzve? Mos kjo do të thotë se të dy këta njerëz ndjekin në mënyrë të pavullnetshme një model të pashprehur të njëjtë? Ndoshta të gjithë ne jemi, ashtu si milingonat, pjesë e një mendjeje universale pa e vënë re.

Të gjitha llojet e dyshimeve apo aludimeve të ndryshme që nga fuqitë psiqike deri tek misteri i koincidencave të pashpjegueshme, mund të mos jenë aq shumë të pamundura sa i shpjegon sot shkenca. Ndoshta, ashtu si telepatia e mundshme e vërejtur ose më saktë e hamendësuar nga Selous, ne dhe veprimet tona janë thjesht rezultati i një modeli të "emergjencave", shkaqet e së cilave mund të jenë tepër të thjeshta për t'u vënë re nga ne.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Festojmë këtë vit përvjetorin e 50-të të marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë. Një prej çështjeve më të rëndësishme për vendin tim është si të përballojë sot të qenurit njëkohësisht një vend mysliman dhe demokratik

Pse jemi myslimanë, demokratë, europianë

Takim me Ahmet Davutoglu, ministër i Jashtëm i Republikës së Turqisë

Festojmë këtë vit përvjetorin e 50-të të marrëdhënieve diplomatike me Selinë e Shenjtë. Një prej çështjeve më të rëndësishme për vendin tim është si të përballojë sot të qenurit njëkohësisht një vend mysliman dhe demokratik. Ky diskutim modernizimi dhe tradite duket gjithashtu i lidhur me atë që bënë shtetarët kristiano-demokratikë në momentin në të cilin gjendeshin përballë problemit të ndërtimit të Europës. Veç kësaj, shumë do të donin të kuptonin se cila është ratio e politikës së "re" të jashtme turke.

Me qëllim që të kuptohet sfondi në të cilin vendoset ky problem duhet të njohim rrënjët historike të Turqisë dhe të kombit turk. Historia turke është një kombinim interesant i shumë qytetërimeve. Nga një pikëpamje gjeografike, kanë pasuar njëri-tjetrin në Anadoll shumë popuj: hititët, grekët, romakët, bizantinët, osmanët, selxhukët. Domethënë jemi në praninë e një background historik të madh. Për nga historia dhe gjeografia e tij kombi turk, me udhëtimin aventuresk të popullit të tij nga Azia Qendrore në Europën Qendrore, i ka njohur të gjitha qytetërimet aziatike dhe mesopotamike. Të gjitha qytetërimet tradicionale erdhën e përzien në Anadoll, duke prodhuar një amalgamë kulturash të ndryshme: mesdhetaren, greken, mesopotamiken…

Në shoqërinë osmane bashkëjetonin kultura të ndryshme midis tyre. Në ndryshim nga shumë qendra europiane dhe aziatike, qytetet turke në Anadoll apo në Ballkan kanë qenë gjithmonë multikulturore; në shumë qytete turke ndeshen xhami, kisha, sinagoga përkrah njëra-tjetrës. Kjo nuk haset në Europën Perëndimore apo Qendrore. Kurse në Ballkan, nën Perandorinë Osmane, për shembull në Sarajevë apo në Selanik, myslimanë, të krishterë dhe hebrenj jetuan së bashku për 5 apo 6 shekuj. Ja, shoqëria turke ka këtë background multikulturor.

Fatkeqësisht, ekziston një gabim perceptimi, domethënë sikur të ekzistonte në shoqërinë myslimane një problem tolerance: kjo nuk është e vërtetë, sidomos në shoqërinë turke. Tradita jonë ka qenë multikulturaliteti, jo uniformiteti në kuptimin fetar. Kjo stigmë multikulturale bart me vete edhe një shpirt demokracie sepse pa pranuar diferencat nuk mund të jesh demokratik. Ky nënvizim është i rëndësishëm. Në komunitetet që duan të stabilizojnë një "monokulturë" apo një "monoreligjion" nuk mund të ketë demokraci, maksimumi mund të realizohet një demokraci vetëm fasade. Kurse në shoqërinë turke është i pranishëm ky background historik dhe nuk duhet të mendohet se për Turqinë është diçka e jashtëzakonshme, pothuajse jashtë norme. Demokracia në Turqi është e rrënjosur në shoqëri, është pjesë e kulturës tonë. Nëpërmjet shekujve, religjionet dhe etnitë e ndryshme kanë jetuar përkrah njëra-tjetrës. Do të doja të jepja disa shembuj përsa i përket themelit të kësaj kulture demokratike.

Nuk e di kur u mbajtën në shoqëritë europiane zgjedhjet e para të vërteta vendore, por në Turqi kjo ndodhi në fillimin e shekullit XIX, rreth vitit 1820, dhe e drejta e grave për të votuar dhe për t'u zgjedhur ka ardhur rreth vitit 1930. Kështu, në një periudhë në të cilën në disa shoqëri europiane - pa përmendur emra - nuk qenë të legjitimuara as dhe të votonin, tek ne gratë qenë tashmë anëtare të Parlamentit. Zgjedhjet e para demokratike dhe multipartiake në Turqi u mbajtën në periudha të ndryshme elektorale në vitin 1908, në vitin 1909 dhe në vitin 1912: në atë kohë nuk qenë shumë shtetet europiane që garantonin zgjedhje si ato të sipërpërmendurat… Sidomos në vitin 1912 zgjedhjet u karakterizuan nga një fushatë elektorale fuqimisht kompetitive. Kjo është historia jonë dhe ne sot kemi një demokraci të bazuar mbi këtë kulturë.

Askush nuk duhet të ndjehet i autorizuar që t'i identifikojë myslimanët në përgjithësi dhe turqit në veçanti me një kulturë prej regjimi autoritar, me një kulturë uniformiteti apo me intolerancën. Është e vërtetë e kundërta: shoqëria jonë është një histori tolerance. Hebrenjtë u vendosën në Turqi në vitin 1492, ku u masakruan dhe u përzunë nga Spanja dhe ne u uruam mirëseardhjen: Selaniku u bë për 500 vjet kryeqendra e kulturës hebraike. Mund të jap shumë shembuj të tjerë sesa Turqia ka qenë një liman i sigurtë për shumë burra dhe gra të ardhur nga Europa. Për shembull, në shekullin e XVIII, Mbreti suedez Karli XII erdhi dhe u strehua në vendin tim në momentin në të cilin u gjet duke luftuar kundër Rusisë. Kjo është perspektiva jonë: po mbrojmë një kulturë tolerance, të të drejtave të njeriut, të respektimit të multikulturalitetit, të respektimit të kulturave dhe religjioneve të ndryshme.

Në Konie, qyteti im i lindjes, në shekullin e XIII jetonte një filozof sufi me emrin Maulana [një emër që do të thotë ati ynë, shënimi im.], Gialal al-Din Rumi. Atëhere njerëzit arratiseshin nga sulmet e mongolëve dhe të popujve të tjerë, jetohej në një kohë krize dhe Rumiu bëri të dëgjohej zëri i tij: "Cilido qofsh ti, mysliman, i krishterë, hebre dhe jobesimtar, vendi ku unë jetoj, kongregacioni im, dergah-u im [lozha ku dervishët anëtarë të kongregacionit të tij bnin ritualin e vallëzimit të lutjes për Zotin, shënimi im.] është për të gjithë. Ti nuk duhet të jesh pa shpresë, duhet të vish këtu, cilido qofsh ti". Kjo ndodhte në shekullin e XIII dhe kjo është kultura e Anadollit, ndërsa në Evropë një shekull më pas do të fillonte Lufta e 100 Viteve, për shkak të politikave religjioze të ndryshme. Dhe dihet, qe një luftë e gjatë, një luftë religjioze... Nuk po provoj sigurisht që ta dënoj Europën, jo, ama duhet të ndryshojmë perceptimin: kultura e Anadollit është kulturë tolerance, harmonie e respekti reciprok dhe sot turqve nuk u duket absolutisht paradoksale që të jenë në të njëjtën kohë myslimanë të mirë dhe demokratë të mirë. Mund të jetë e habitshme për të të tjerët, por në të qenurit myslimanë nënkupton të jesh demokrat. Nuk i konsiderojmë si dy kategori të ndryshme. Jam krenar që jam mysliman - përderisa jam një mysliman praktikant - pasi mendoj se të besosh tek Zoti dhe kushdo që beson tek Zoti i jep forcë njerëzimit; por në të njëjtën kohë kultura ime politike është një kulturë respekti reciprok. E gjitha kjo pasqyrohet në politikën e jashtme të Turqisë. Për shembull, tani po provojmë të bëhemi ndërmjetës, në tema të ndryshme, midis izraelit e Sirisë dhe midis Bosnjes e Serbisë. Në rastin e parë, një palë është hebreje dhe tjetra myslimane; në të dytin, një palë është myslimane dhe tjetra e krishterë. Po provojmë t'i ndihmojmë të gjitha palët. Dhe akoma, në Liban, ku kam qenë shumë herë, po kërkojmë që të inkurajojmë pajtimin kombëtar, pasi Libani është sikur të të jetë shtëpia jonë. Popujt e Libanit, të Sirisë, të Palestinës dhe të Ballkanit kanë të gjithë të njëjtin fat dhe po punojmë vërtet rëndshëm për ta realizuar paqen. Kjo është filozofia e Rumiut, filozofia që po influencon politikën tonë të jashtme.

Kohët e fundit më bëhet shpesh pyetja se cila është perspektiva e politikës së jashtme turke dhe sekreti i sukseseve të saj. Në një prej diskutimeve të tij, Kemal Ataturku pohoi: "Paqe në shtëpi, paqe në botë": kjo ishte filozofia e Republikës Turke, gjatë qeverisë tonë, kur u bëra këshilltari kryesor i Kryeministrit, lançova personalisht politikën e "zero problemeve me fqinjët tanë" dhe ajo u adoptua nga ekzekutivi. E dimë mirë rrezikun që ky të mbetet vetëm një ideal, por duam që ku të jetë parimi themelor dhe konkret i politikës tonë të jashtme. Për të treguar se Turqia dëshiron që të ketë marrëdhënie të mira me fqinjët e saj, domethënë një fqinjësi të bazuar mbi paqen dhe sigurinë, Kryeministri ynë, Presidenti ynë dhe të gjithë ne po punojmë vërtet rëndshëm që ta arrijmë këtë objektiv. 15 vjet më parë Turqia kishte vështirësi me fqinjët e saj, por nuk ishte faji ynë: edhe atëherë bëhej fjalë për një problem perceptimi. Grekët, rusët, sirianët për ne nuk përfaqësonin kërcënime dhe armiq; ashtu si për sirianët, grekët dhe rusët - fqinjët tanë - Turqia ishte armik. Nuk kishim mundësi që të takoheshim, shoqëritë tona nuk njiheshin ashtu siç duhej. Tani i kemi hequr vizat me Sirinë dhe cdo ditë mijëra njerëz shkojnë e vijnë, të lirë që të hyjnë në Siri dhe në Turqi. Tani po punojmë që të heqim vizat me Rusinë. Me Greqinë po krijojmë një mekanizëm që të mbajmë mbledhje të përbashkëta midis qeverive tona. Gjatë pesë apo gjashtë muajve kemi hequr vizat me 10 vende… Pse? Sepse duam që t'u mundësojmë njerëzve që të njihen, duam që të gjithë fqinjët tanë të jenë miqtë tanë më të mirë, duam që ta ndajmë gjithçka që kemi dhe të tregojmë synimet tona të mirë: ky është sekreti i madh. Problemet politike janë anomali të psikologjisë dhe të perceptimit, shumë probleme janë psikologjike. Nëqoftëse mendon se çdo njeri është armiku yt, atëherë duhet të jesh reagues. Por nëqoftëse beson se të tjerët i ke miq, atëherë do të jesh më i prirur nga paqja dhe nuk do të jesh i frikësuar. Për pasojë, të tjerët nuk do të kenë frikë prej teje. Ky është një transformim psikologjik e mentaliteti dhe është vërtet i rëndësishëm. Ne kemi arritur që ta zbatojmë dhe nuk përdorim dy gjuhë, por një të vetme: sinqeriteti është i rëndësishëm. Për të fituar besimin e të tjerëve, duhet të tregohesh se edhe ti je realisht me besim tek ai. Kështu, në politikën e jashtme turke nuk ka asnjë "dyfishtësi diplomatike", një politikë të tipit makiavelik, të orientuar ndaj pushtetit dhe të bazuar mbi thjesht interesa në vend të vlerave. Kemi vlera të cilave u përmbahemi, disa prej tyre i përkasin kulturës tonë, disa janë vlera humane universale. Politika është vetëm një instrument për t'i realizuar këto vlera, përndryshe nuk do të kishte asnjë kuptim për ne të ulemi tani në një takim si ky.

Sot Turqia nuk po ndjek një politikë vetëm interesash egoiste, por një politikë vlerash, që konkretisht janë drejtësia, barazia, respekti reciprok dhe ndjenja e një fati të përbashkët. Kujtoj se Papa Benedikti këtu në Turqi tha se është në favor të hyrjes tonë në Bashkimin Europian. Cili ka qenë dhe cili është reagimi turk ndaj këtij deklarimi? Mund të jap një përgjigje religjioze dhe një përgjigje politike. Përgjigjja religjioze është se Papa është një personalitet shpirtëror dhe mund t'i kuptojë gjërat përtej dukjes së tyre. Kur e bëri këtë pohim mendova se, si personalitet shpirtëror, ai e shikonte potencialin e madh që Turqia përfaqëson për Europën. Përsa i përket përgjigjes politike, Papa ka bërë një analizë humane dhe të gjithë njerëzit e arsyeshëm që do t'i bënin analiza të tilla do të zbuloheshin në favor të marrëdhënieve midis Turqisë dhe Bashkimit Europian, pasi një marrëdhënie e tillë bazohet mbi racionalitetin. Integrimi turk në Bashkimin Europian është një faktor forcimi dhe, prej 20 vitesh e këtej, Bashkimi Europian me Turqinë brenda nënkupton një fuqi globale. Bashkimi Europian pa Turqinë nënkupton një kontinent që nuk shikon jashtë vetes, më pak kompetitiv, më pak i rëndësishëm në politikën globale dhe më pak përfshirës në kuptimin kulturor.

Kjo është një sfidë për të gjithë. Mendoj se Papa e ka kuptuar dhe ka qenë aq kurajoz sa duhet që ta pranojë, ndërsa disa politikanë në Europë nuk janë kaq spiritualë dhe as kaq kurajozë. Për këtë arsye deklarimet e tij në Turqi kanë qenë madhështore. Të gjithë ne e kemi mbështetur Papën. Vizita e tij ka qenë një sukses i vërtetë dhe ne shpresojmë që të mund të përsëritet.

Myslimanë dhe të krishterë kanë pasur një histori të gjatë marrëdhëniesh dhe respekti reciprok. Sot mund të thuhet se filozofia pozitiviste e Iluminizmit ka arritur në stacionin e fundit. Kudo në botë ka një rritje spiritualiteti dhe marrëdhëniet e mira midis shoqërive myslimane dhe atyre katolike, midis Vatikanit dhe shoqërisë myslimane dhe midis Turqisë dhe forcave politike katolike do të krijojnë një shtytje të re dhe do t'i japin njerëzimit mesazhin se ky bashkëpunim mund të jetë një mundësi më e madhe për paqen globale.

Në fund të fundit, ne çfarë gjëje vallë duam të arrijmë? Si myslimanë dhe si të krishterë dëshirojmë paqen mbi këtë tokë, një zemër paqësore dhe një mendje paqësore në pritje të jetës së përjetshme. Nëqoftëse po përgatitemi për këtë objektiv, atëherë duhet ta kuptojmë njëri-tjetrin dhe jo të shikohemi nëpërmjet syzeve të stereotipeve. Jam i sigurtë se një bashkëpunim i tillë do të na ndihmojë të zgjidhim, për shembull, çështjen e Jeruzalemit, problemet e Libanit apo të Ballkanit, problemet e shumta të kontinentit afrikan, në Iran apo në Ishujt Filipine. Pas kërkesës së qeverisë së Filipineve, ku myslimanë dhe katolikë jetojnë së bashku, Turqia është pjesë e Grupit të Kontaktit të përbërë nga tri vende: Turqia, Japonia dhe Britania e Madhe. Si mazhoranca katolike, ashtu dhe minoranca myslimane e Filipineve, duan që jemi ne ata që ndërmjetësojmë dhe kjo është gjë e mirë...

Kudo që të jetë e mundur, në nivel komuniteti, në nivel shteti-komb apo në nivel ndërkombëtar, do të punojmë së bashku dhe Vatikani është i pranishëm në të gjitha këto nivele. E njëjta gjë mund të pohohet për myslimanët: në disa vende ekzistojnë në nivel komuniteti - si në Europë - dhe në të njëjtën kohë janë forca kombëtare dhe ndërkombëtare.

Dhe në këtë skenë shoqëria turke është e rëndësishme pasi ne ndodhemi në qendër të Europës, pasi që ekzistojnë komunitete turke në Berlin, në Paris, në Londër dhe në vende të tjera. Në Europë, Turqia është një shtet-komb dhe sot është një vend në rritje, shumë aktiv në brendësi të organizatave ndërkombëtare: në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara po punojmë për paqen globale, në G20 po promovojmë një rend ekonomik më të drejtë e më shpërndarës dhe jemi pjesë e Aleancës së Qytetërimeve - e së cilës Turqia është bashkëpresidente, së bashku me Spanjën - pasi ekziston një bashkëpunim i mirë dhe efikas.

Ja, sot kemi mundësinë e madhe që të kontribuojmë së bashku për paqen rajonale dhe globale.

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Në 12 muajt e fundit, Howard Stringer ka futur në xhep diçka si 7 milionë euro. Janë shumë para për një kompani japoneze, edhe pse ajo e tij është një ndër më të rëndësishmet në Japoni

Sony Vici Vidi

E ardhmja e konsumatorëve, fotografi familjare 3D

Në 12 muajt e fundit, midis kompensimeve të drejtpërdrejta dhe aksionesh, Howard Stringer ka futur në xhep diçka si 7 milionë euro. Janë shumë para për një kompani japoneze, edhe pse ajo e tij është një ndër më të rëndësishmet në Japoni. Në fakt, Stringer është CEO-ja i "Sony", llogaritë e së cilës nuk janë aspak pozitive. Vitin e fundit fiskal e ka mbyllur në të kuqe, me një humbje në shitje prej 6.7 përqind. Kështu, Stringer ka objektivin që të përmirësojë fatet e kolosit të elektronikës. Si? Lexojeni në rreshtat e mëposhtëm.

Kohët në të cilat ishte student në Oxford, Howard Stringer merrej me historinë evropiane të shekullit XX: tronditje ekonomike, ndryshime aleancash dhe perandorish gjiganteske që shkërmoqeshin kur nuk arrinin të ruanin hapin e një bote në lëvizje. Do të ishte një përgatitje e mirë në pritje të problemeve që do të detyrohej të përballonte 40 vjet më pas, si bosi i kompanisë "Sony". E themeluar në vitin 1946 midis gërmadhave të Japonisë së pasluftës, "Sony" nuk është vetëm një prej kompanive të shumta të mallrave elektronike. Është bërë e famshme për disa produkte revolucionare (si Walkman, lexuesi i parë i CD-ve dhe konsolën PlayStation) që kanë modifikuar botën e medieve në çdo aspekt: prodhim, paketim, konsum. Por, nga fundi i viteve '90, "Sony" e ka parë veten të jetë e mbidimensionuar, e çorganizuar, në rënie të lirë, arrogante dhe, çka është më e keqja, shumë e ngathët dhe e paaftë për t'u përshtatur. Detyra e Stringer është tani ajo që ta shtyjë këtë gjigant të pasigurtë në shekullin XXI. Nuk është i pari që ia hyn kësaj sfide. 10 vjet më parë paraardhësi i tij si administrator delegat, Nobuyuki Idei, kishte premtuar që ta tragetonte "Sony" nga era analogjike në erën e Rrjetit.

Në atë kohë Stringer merrej me operacionet "Sony" në Shtetet e Bashkuara. "Në vitin 2000 kam pranuar plotësisht vizionin dixhital", thotë ai, duke u përplasur kundër shpinores së kolltukut të tij super të fryrë në zyrën e tij të Tokios në katin e 20-të. "Kam asistuar edhe në dështimin e kujt kërkonte që ta bënte të funksiononte". Episodi më i dhimbshëm ka qenë tentativa aventureske për ta rilançuar Walkman si produkt dixhital në gjendje që të konkurrojë me iPod. Produkti ka qenë një dështim. Kishte një ndërfaqe të keqe dhe dyqani online i tij ishte i pakët, veç kësaj riprodhonte fajlat audio Atrac, standard pronësie i "Sony", në vend të zakonshmeve mp3. "Qemë shumë përpara respektivisht Apple", thotë Stringer. "Sikur ta kishim qëlluar, do të kishim mundur të dominonim. Por produkti na ka dalë siç na ka dalë, pasi ne qemë ata që qemë".

Në realitet, tentativat e para nga ana e Stringer për ta rinkonstruktuar "Sony", sapo është emëruar CEO në vitin 2005, kanë ngecur për shkak të rezistencave të old boys-ave Sony (old boys është një term japonez me të cilin etiketohen ato personazhe që janë në kompani prej një jete, shënimi im.). Me fitime që i tejkalonin me 85 përqind ato të një viti më parë, pak gjenin motive të vlefshme për të shkuar dhe trazuar ujërat. Ajo që ndryshoi gjithçka ka ardhur me krizën financiare globale. Nga viti 2008 Stringer ka menaxhuar mijëra pushime nga puna, një traumë respektivisht kulturës "Sony" ("Një vend pune është përgjithmonë"): ka mundësi një CEO japonez nuk do të kishte mundur ta bënte. "Unë ia kam arritur pasi jam i huaj dhe sepse nuk kishim zgjedhje tjetër", shpjegon ai.

Stringer është si peshku jashtë ujit këtu në lagjen Shinagawa të Tokios, me legjionet e tij të të punësuarve që tymosnin Mild Seven përpara sallave në të cilat luhet pachinko, ekuivalenti japonez i slot machine. "Është e rrallë që një i ardhur nga jashtë të bëhet drejtor i përgjithshëm i një kompanie japoneze. Stringer, me origjinë nga Uellsi, ka emigruar në Shtetet e Bashkuara në vitin 1965; i ka mbetur një theks anglez aristokrat dhe i butë, me paksa monotoni Kardifi dhe një spruco zanoresh të zgjatura alla amerikane".

Ajo që e kualifikon si të huaj nuk është vetëm shtetësia; është një dashamirës përmbajtjeje në një kompani në të cilën mbretëron hardware. Ka fituar 9 çmime Emmy, në periudhën në të cilën ka qenë prodhues dokumentarësh për CBS-in, përpara se të bëhej President i rrjetit televiziv. Në vitin 1997 është emëruar President i degës amerikane të "Sony", duke u marrë me music publishing dhe me studime kinematografike. Stringer e pranon ndershmërisht se nuk di kushedi se çfarë lidhur me projektimin e produkteve elektronike, gjë që e ka bërë akoma më të vështirë shtrëngimin e radhëve në brendësi të "Sony".

Në tentativën për ta rilançuar kompaninë, Stringer është përqendruar mbi forcimin e software dhe të medieve. Qëllimi final është që t'i mbështjellë konsumatorët në një fshikëz komode Sony, të përbërë nga hardware, shërbime dhe përmbajtje. Strategjia e tij është që të përdorë resurset e bollshme dhe degët e shumta të kolosit japonez për të shtyrë adoptimin e teknologjive të reja industriale, pa rriskuar shumë mbi formatet pronësi, qëndrimin që ka dënuar Walkman.

Duke filluar nga vitet '80, "Sony" ka kryer një seri luftash të përgjakshme formatesh (Betamax kundër VHS, Memory Stick kundër Sd Card, Atrac kundër MP3, plazma kundër LCD) dhe në pjesën më të madhe i ka humbur. Gjithçka ka ndryshuar në vitin 2006, kur kompania ka impenjuar të gjitha forcat e saj në shërbim të suportit optik blu-ray për videot me definicion të lartë (Sony është midis themeluesve të Blu-ray Disc Association dhe e ka zhvilluar formatin së bashku me kompani të tjera, midis të cilave Hitachi, Samsung dhe Philips). Dy vjet më vonë, industria e ka braktisur formatin konkurrues, HD DVD. Për Stringer kjo fitore ka qenë prova se përpjekja e tij për të bërë të punojnë së bashku degët e ndryshme të "Sony", e ashtuquajtura fushatë "Sony United", mund të jepte fryte.

I fryrë, tani po i kushtohet formateve të reja ambicioze, duke bastuar shumë mbi videon 3D. "Kemi bërë një punë të çmendur, duke frymëzuar blu-ray", thotë ai. "Tani për 3D do të duhet kapaciteti i madh i memories së tij".

Në një prej iniciativave të para të kryera nga Stringer, "Sony" ka riorganizuar prodhimin. Do të punojnë së bashku në 3D televizorët Bravia, konsolat PlayStation3, laptopat Vaio, lexuesit blu-ray, deri videokamerat dhe fotokamerat dixhitale. Praktikisht gjithçka përveç robotit Rolly, lexuesit muzikor që vallëzon mbi patina.

"3D do ta flakë tej botën", thotë bosi. "Nuk ka arsye që të mund të na pengojë të kemi një sukses të madh". Në karron e 3D-ve, "Sony" nuk është vetëm. Panasonic, LG dhe Samsung i kanë linçuar tashmë televizorët e tyre, por asnjë kompani tjetër nuk duket se baston kaq shumë mbi të ardhmen e saj, në bindjen se dimensioni i ri do të bindë miliona përdorues për të ndryshuar impiantet e tyre home cinema, që shumë sapo i kanë azhurnuar për t'iu përshtatur definicionit të lartë.

Në rast se "Sony" nuk do të arrijë të bindë masat të konvertohen në 3D, kredibiliteti që Stringer ka fituar mund të venitet. Degët mund të pushojnë së bashkëpunuari; inxhinierët do të rindërtonin feudet e tyre. Brenda pak kohësh, "Sony" mund të bëhet "vetëm" një prej prodhuesve të shumtë të mallrave elektronike. Nevoja për masa ekstreme ndjehet dhe që çke me të. Në vitin 2008 "Sony" ka humbur mbi 1 miliard dollarë. Është kthyer të nxjerrë fitime në fund të vitit të kaluar, por Stringer pranon se kthesa ka të bëjë më shumë me shkurtimet e vendeve të punës dhe shitjet e fabrikave sesa me një rigjallërim të shitjeve.

Akoma më të rënda kanë qenë ndryshimet e kibunit, domethënë të perceptimit publik lidhur me kompaninë. Fuqia historike e markës është ekspozuar në brendësi të Sony Museum, nga ana tjetër e Shinagawa. Një kartelë, afër hyrjes, shpjegon sesi Akio Morita dhe Masaru Ibuka kanë themeluar kompaninë mbi gërmadhat e Tokios paslufte, me mizerjen e 190000 jenëve (rreth 32000 eurove të sotme). Pastaj kalohet përballë një koleksioni objektesh hi-tech që ngjallin kujtime proustiane për gaxhetet e së kaluarës. Është televizori Trinitron, që në vitin 1968 dukej çmendurisht i ndritshëm. Është Walkman origjinal, iPod i epokës. Jo, gabim: është iPod ai që është Walkman i kësaj epoke. Kush viziton muzeumin nuk ka sesi të mos mbetet i goditur nga frekuenca me të cilin "Sony" ka rishpikur mënyrën tonë të konsumimit të medias: radioja e parë e xhepit me transistorë, lexuesi i parë i kasetave muzikore, videoregjistruesi i parë shtëpiak, televizori i parë i gjithi me transistor, lexuesi i parë i CD-ve, disketa e parë 3.5 polëshe.

Në fillimin e viteve '80, "Sony" kishte blerë një kibun të ngjashëm me atë të frymëzuar sot nga Apple. Butonat vezakë, finiturat në të zezë opake, komandat në kursor qenë në mënyrë elegante futuriste, intuitive, praktike. Produktet "Sony" duket se paralajmëronin pashmangshmërisht dëshirat tona.

Sot kibun-i i "Sony" është copa. Ka kaluar vërtet aq shumë kohë nga momenti në të cilin kompania ka hedhur në treg diçka revolucionare dhe "Sony" vazhdon të propozojë produkte luksi me një gamë të habitshme funksionesh, në një epokë në të cilin njerëzit kërkojnë gjëra më të thjeshta dhe më ekonomike si videokamera Flip, konsola WII dhe lexuesi Kindle. E thonë vetë emrat se bëhet fjalë për produkte të thjeshta. Pjesa më e madhe e produkteve "Sony" ka emra të përbërë nga sekuenca letrash dhe numrash sa t'u shkaktojë zili droidëve të Star Wars. Po kërkon një televizor 3D? Preferon një XBR-60LX900 apo një XBR-46LX900?

Si ia bën një kompani të humbasë me kaq ngut pozicionin e supremacisë respektivisht kategorive të produkteve që deri i kish shpikur? Gjatë takimeve të ndryshme me Stringer, vazhdoj që të kthehem tek koncepti që dikur "Sony" kishte në dorë fantazitë e konsumatorëve. Në fund nuk duron dot më. "Do të doja shumë që të pushonit së përsërituri", shpërthen ai.

Jo se ai nuk e pranon, por për ish-studentin e historisë, përqendrimi tek e kaluara është kundërprodhues. Fiksimi pas sukseseve të vjetra do të thotë të ngulesh në një epokë në të cilën "Sony" mund të imagjinohej akoma si një kompani vetëm për hardware. "Morita thoshte gjithmonë: 'Lini që inxhinierët të rrinë në Tokio dhe të ëndërrojnë atë që duan të krijojnë'", shpjegon ai. "Kjo në vitet '70 dhe '80 funksiononte, por sot një kompani e madhe hardware duhet edhe të zotërojë software dhe konektivitetit".

Ka të drejtë. "Sony" në mënyrë të padyshimtë është ndëshkuar prej mungesës së vëmendjeve nga ana e tij kundrejt softëare dhe Rrjetit. Produktet e tij nuk kanë asgjë nga ndërfaqet intuitive dhe lehtësia e përdorimit që dallojnë produktet Apple. Edhe kur e tejkalon konkurrencën me një produkt novator, ky produkt shpesh pengohet nga shërbime online mediokre. Vetëm për të folur për ndodhinë e fundit të kësaj natyre, "Sony" ka filluar që t'i shesë lexuesit ebook qysh në vitin 2004, megjithatë Kindle i Amazon ka arritur që t'i marrë nën hundë pjesën më të madhe të tregut, si pasojë e një sistemi të blerjeve të librave shumë të zhdërvjelltë. Dhe tani iPad i Apple mund t'i çvendosë lexuesit ebook Sony në vendin e tretë.

Kompania është penguar edhe nga një problem kolektiviteti tjetër, akoma më themelor: inxhinierët e degëve të ndryshme nuk e kanë koordinuar punën e tyre, edhe kur produktet e tyre posedonin një numër gjithnjë e më të madh funksionesh që mbivendoseshin (videokamerat mund të bëjnë fotografi, fotokamerat dixhitale tani mund të xhirojnë video, lexuesit muzikorë të mundësojnë që të shikosh një film dhe PSP-ja lexon si muzikë, ashtu dhe video). "Unë ua kam thënë: 'Duhet t'i jepni fund shkruarjes së gjërave dy herë'", deklaron Stringer.

Kur bëhet fjalë për të bindur publikun që të adoptojë formatet e reja, Stringer do t'i shtyjë konsumatorët në drejtimin e duhur duke përdorur përmbajtjet. Nuk është ide e re: pasi ka humbur luftën e videokasetave në vitet '80, Morita ishte ankuar për faktin se mund të kish fituar sikur të kishte pasur në dispozicion një studio kinematografike që të shiste vetëm kasetat në Betamax. Ky mendim e ka shtyrë që të blejë Columbia Pictures dhe të rrisë investimet në shtëpitë botuese muzikore. Por Morita i kish nënvlerësuar skizmat e brendshme në kompani. Degët muzikore dhe të kinemasë "Sony" janë treguar kundërshtuese dhe nuk i kanë mbështetur audiokasetat dixhitale dhe videot Hi8 që sektori hardware përpiqej të avanconte. Rezultati? I parashikueshëm: këto teknologji nuk kanë zënë asnjëherë vend midis konsumatorëve.

Bekgraundi i Stringer si gazetar dhe shef i një studioje e ka ndihmuar që të ndërtojë një urë mbi këtë humnerë. Ndërsa blu-ray përgatitej për lançimin e 2006, CEO-ja i ri i sapoemëruar shkoi në Tokio për të folur me drejtuesit e kompanisë. "Çfarë kam thënë? Se me këtë format duhej të fitonim", tregon ai. "Kam përdorur shembullin e Betamax. E kam bindur studion kinematografike. Kam bindur PlayStation".

Ka funksionuar. Formati optik dixhital rival, HD DVD, i mbështetur nga kompani si Microsoft e Toshiba, është hequr nga prodhimi në fillimin e 2008. Blu-ray ka fituar, pjesërisht sepse Sony Pictures, që kontrollon një pjesë të konsiderueshme të tregut kinematografik, ka refuzuar që t'i transformojë titujt e saj në HD DVD. Pastaj kanë mbërritur lexuesit blu-ray në brendësi të çdo PlayStation3. Fitorja është dukur si konfirmim i mirësisë së strategjisë Sony United.

Por çmimi për t'u paguar ka qenë i kripur, ndoshta shumë i kripur. Standardi blu-ray është bërë mbështetja optike e së ardhmes në një epokë në të cilën shitjet e DVD-ve qenë tashmë në rënie. E ardhmja e shpërndarjes video qëndron në variantin online, jo tek disqet. Dhe nëqoftëse pajisja e PS3 me blu-ray ka favorizuar formatin, nga ana tjetër është bërë e kushtueshme konsola, gjë që ka dëmtuar shitjet. Konsolat e mëparshme, PlayStation2, ishte në majën e tregut, me një fetë prej 70 përqind të tregut. Tani PS3 është në vendin e tretë, me rreth 25 përqind.

Megjithatë, në kompani në të cilën drejtuesit klasifikohen në bazë të humbjeve në luftat e formateve, Stringer ka fituar betejën inaugurale. Për të, shtytja që e gjithë kompania i ka dhënë blu-ray është një model sjelljeje. "Gjatë një konference të menaxhmentit majin e kaluar kam thënë: 'E di që shumë prej jush nuk janë akoma të bindur nga 3D, por po e marrim këtë rrugë'. Dhe do të punojnë me të 8 sektorë të ndryshëm të kompanisë".

Në avampostet e ndryshme të perandorisë "Sony" (pallati i Tokios, selia qendrore e produkteve elektronike në San Diego, studimet kinematografike në Culver City të Los Angeles) konstatohet se praktikisht mesazhi lidhur me fatet e 3D, i nisur nga Stringer, ka shpërthyer një proces koordinimi të konsiderueshëm. Drejtuesit kanë aq shumë besim sa që kur i kam treguar njërit prej tyre se para pak kohe kam blerë një televizor "Sony Bravia", më ka thënë se i vinte keq për mua, duke qenë se do të më takojë të blej një të ri në verë, kur do të mbërrijë në treg versioni i ri në 3D.

Imagjinimi i masave konsumatore që nxitojnë për të blerë sot aparatura në 3D duket më pak e pamundur nga sa ishte disa muaj më parë, përpara ditës në të cilën është shfaqur Avatar.

Peizazhet mahnitëse aliene të filmit të James Cameron kanë bindur miliona njerëz se 3D nuk është një risi si të tjerat. Michael Lynton, President i Sony Pictures, beson se kjo teknologji e fundit për kinemanë përfaqëson një ndryshim epokal. E krahason me "të shikuarën e një pikture të para-Rilindjes dhe më pas të kalosh sheshin për të admiruar një Giotto, duke e kuptuar në atë çast se ekziston diçka që quhet perspektivë. Bota zbulohet". Stringer mendon se është në gjendje që ta sjellë këtë mënyrë të re të shikuari të imazheve dixhitale nga multisalla në divanin e shtëpisë dhe në qendër të planit të tij është televizori. Bravia 3D, që del pikërisht këto ditë, funksionon në mënyrë shumë të ngjashme me sistemin e përdorur për të projektuar Avatarin në sallat kinematografike. Pas fiaskos së Walkman, kompania ka nxjerrë mësimin: nuk tenton më t'i mbyllë në kafaz konsumatorët, duke i detyruar që të përdorë përmbajtjet Sony. Televizorët mund të lidhen duke arritur tek mediat e ofruara nga mjaft kompani konkurruese. Janë linket me YouTube dhe shërbimet e ndryshme video on-demand.

Edhe pse kompania në këtë periudhë është dakord me konkurrencën, drejtuesit e saj vazhdojnë të ëndërrojnë kanalizimin e konsumit në një tunel produktesh dhe përmbajtjesh "Sony". Tani flasin për një strategji 3D "prej lenteje dhome pritjeje". Tashmë janë prodhuesit kryesorë të videokamerave dhe projektorëve 3D profesionalë. Avatar është xhiruar me telekamera "Sony" dhe projektuar në mijëra salla me aparatura "Sony". Sony Pictures, Imageworks Animation dhe zhvilluesit e lojërave të Sony Computer Entertainment kanë shpallur planin e tyre: të prodhojnë përmbajtje 3D. "Sony" synon deri të ofrojë aparate fotografike dhe videokamera amatoreske që i mbështesin formatin. "Njerëzve do t'u pëlqejë të bëjë fotografi familjare në 3D", këmbëngul Stringer. Nëqoftëse 3D do të ngjisë në salla kinemaje, në sallone dhe në albumet e fotografive, "Sony" do të fitojë.

"Jemi në pozicion të favorshëm për ta bërë 3D-në një format që konsumatorët do ta pranojnë", thotë Kazuo Hirai, Presidente i Sony Network Product and Services Group. Hirai është prej kohësh fytyra publike e markës PlayStation. Jam ulur pranë tij në një sallë demonstruese luksoze në selinë qendrore të Tokios. Të dy mbajmë në dorë joypad dhe mbajmë syze në 3D. Kalimtarëve mund t'iu dukemi një çift muzikantësh bluzi të verbër. Sigurisht që kemi pamjen e dy idiotëve. Po impenjohemi në një version në 3D të lojës futuriste për PlayStation 3 Wipeout HD në një televizor Bravia 50 polsh. Ekrani gjigant duket si një dritare që shikon në një botë tjetër; mjedisi sci-fi duket i prekshëm dhe jashtëzakonisht i pasur, si ai i Avatar.

Lojërat mund të jenë një killer app për 3D-në dhe PlayStation3 mund të përfitojë nga korsia e brendshme. Një upgrade i software që "Sony" llogarit ta nxjerrë në verë do të mundësojë të luhet në 3D dhe të shikohen filma në 3D, në disqe blu-ray. Konsola rivale Xbox360 ka një drive dvd standard dhe, siç bëjnë të njohur me kënaqësi të madhe Stringer dhe drejtues të tjerë të "Sony", DVD-të standarde nuk kanë memorie të mjaftueshme për 3D me definicion të lartë.

Megjithatë, pas disa minutash loje në shoqëri të Hirai, gjatë të cilave anija ime e vogël djeg kthesa dhe karambolohet përgjatë rrugëtimesh hiperrealiste, duhet të braktis Wipeout. Përvoja është në mënyrë absurde intensive, ndoshta shumë. Kam frikë se mos vjell. "Sony" i ka studiuar reagimet fizike si të miat dhe drejtuesit nuk duken të preokupuar. Theksojnë se me tejkalimin e një faze axhustimi, pjesa më e madhe e lojtarëve nuk tregon se pëson efekte kolaterale.

Era e re e 3D sjell edhe pakënaqësi të tjera, në mënyrë të veçantë ato syze të mëdha kaba. Dhe syzet "aktive" të domosdoshme për të shikuar televizorët "Sony" (produkte me bateri që bllokojnë në mënyrë alternative një sy dhe një tjetër, më shumë se 120 herë në sekondë) janë shumë më të kushtueshme se sistemet e tjera të konkurrencës, të cilat përdorin lente të thjeshta të polarizuara. Çdo aparat televiziv do të ketë së bashku dy palë syze, por çdo palë ekstra do të kushtojë rreth 100 euro.

Gjithsesi, përvoja mbetet e konsiderueshme, siç është e konsiderueshme aftësia e re, e shfaqur nga kompania, për të shfrytëzuar fuqinë e kombinuar të degëve të ndryshme të saj. Por testimi i vërtetë do të ndodhë kur konsumatorëve do t'u kërkohet që të fusin dorën në xhep. Do ta presin krahëhapur teknologjinë e re dhe mundësitë e saj? E ardhmja e argëtimit është vërtet një aferë e lavdishme tredimensionale apo ky është vetëm vizioni i drejtuesve të "Sony", i deformuar nga lentet e kuqërreme të një pale syzesh aktive?

Stringer duket se është në shtëpi këtu në brena Thalberg Building, në kompleksin Sony Pictures. Shtriqet në shpinore dhe këmbët e jashtme të karriges së kromuar të tij ngrihen nga moketi. Stringer është në Los Angeles në një pasdite vjeshte me rastin e premierës së filmit "2012", krijesa e fundit e Sony Pictures. Por është më pak i interesuar për imazhet apokaliptike të filmit sesa për planin e tij të ri për të përhapur në Rrjet filma të gjinisë katastrofike dhe përmbajtje të çdo lloji.

Po flet për PlayStation Network, të lançuar në vitin 2006 si shërbim multiplayer online të dedikuar poseduesve të PS3. Tani mund të përdoret për të shkarkuar lojëra, naviguar në ëeb, shfletuar revistat me karikatura dixhitale dhe blerë apo marrë me qira filma dhe seri televizive. Janarin e kaluar, gjatë CES-it (Consumer Electronics Show) në Las Vegas, Stringer ka shpallur se Sony do ta zgjerojë rrjetin e mësipërm tek televizorët "Bravia" me lidhje web dhe tek lexuesit blu-ray. "Ofrojmë përmbajtje dhe shërbime më shumë se kushdo tjetër", thotë ai. "Më shumë filma, më shume spektakle: më shumë gjithçka. Dhe nëqoftëse përmbajtjet tona kalojnë në të gjitha, produktet tona bëhen akoma më shumë të çmuar".

Pohimi është i diskutueshëm. Shërbimet streaming si Vudu dhe Netflix kanë librari më të pasura dhe janë të arritshme nëpërmjet një numri të madh aparaturash të prodhuara nga kompani të ndryshme. Veç kësaj, streaming dhe downloading paraqesin disa probleme, duke parë llojin e përmbajtjes me definicion të lartë që avancon "Sony". "Infrastruktura jonë është mjaftueshmërisht robuste; qysh tani mund të shkarkohen filma në HD", thekson Stringer. Por, edhe në prani valësh të gjata jashtëzakonisht të shpejtë, fajlat në 3D me definicion të lartë rrezikojnë që ta vënë në provë të vështirë durimin e kujtdo. (Sipas thënies së Sony, aparatura blu-ray në 3D do të jetë më i trashë me 50 përqind respektivisht atyre me blu-ray standard). "Do të më pëlqente të kontrolloja sasinë e valës që njerëzit kanë në dispozicion", shton ai. "Fatkeqësisht nuk jemi në biznesin e infrastrukturave".

Në periudhë afatshkurtër, më i rëndësishëm se shërbimet streaming dhe dosnloading është premtimi për transmetime televizive në 3D. ESPN-i ka në program lançimin e një rrjeti në 3D brenda fundit të vitit dhe "Sony" ka lajmëruar për vitin 2011 lindjen e një kanali televiziv në 3D së bashku me Discovery dhe Imax. Mbesin për t'u zgjidhur disa detaje si standardet e transmetimit dhe autorizimet, por fatmirësisht për "Sony" janë të shumta kompanitë që punojnë lidhur me këto probleme: edhe pse Stringer shpreson që teknologjia në 3D të bëhet një sinonim i "Sony", nuk jemi më në kohët e formatit audio Atrac, të cilin "Sony" e shtynte përpara me kokëfortësi vetmitare.

Natyrisht që kjo nënkupton se dështimi apo suksesi i 3D nuk është më në duart e tij, por Stringer i vjen edhe për mbarë. "Po synoj shumë mbi teknologjinë 3D?", pyet ai. "Hëm, paksa. Ky lloj biznesi është një bixhoz i vazhdueshëm. Ama, në një mënyrë apo në një tjetër, me 3D do t'ia dal në krye dhe, në këtë pikë, për konkurrencën jeta mund të jetë e zymtë".

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Ethem Qerimi/Ai që magjepsi edhe vet violinën

Nga Agron SEJAMINI

Nëse do të kishte gojë, e para që do të përgëzonte Ethem Qerimin, do të ishte ajo, mbretëresha e veglave muzikore. Rallëkush si ai, ka mundur të përcjellë magjishëm tingujt e saj. Shpjegohet kjo mjeshtëri. Në shpirtin e tij, buron një energji e brendshme gjatë interpretimit në violinë. Ai mbyll sytë dhe përhumbet sepse do që të nxjerrë dëshirën e saj...

Dashuria mbi të, e hershme sa vetë jeta e tij. Para se të lindte ai, në shtëpinë e tij kishte kohë që dëgjoheshin tingujt e violinës, mandolinës dhe kitares. Zanatçinj me emër gjyshi dhe babai i tij, në gjithë trevën e Përmetit, jo për vegla muzikore, por në ndërtimin e mullinjve me ujë. Dhe kur fantazia e tyre bënte fabrika që kthenin drithin në miell, nuk kishte si të mos provonin zotësinë edhe për ato vegla që u shlodhnin shpirtin. Nga ato tre vegla, ai mundi të argëtohej fillimisht me më të voglën e tyre, mandolinën. Fëmijë ishte edhe atëherë kur e dëgjuan të tjerët, por mbetën pa mendje. Kanë qenë vitet e pushtimit fashist dhe Këlcyra u tejpopullua nga ushtarët italianë. Për pushkën kishin lënë atdheun e tyre, por nuk kishin harruar të merrnin me vete edhe kitarën. Si për t'u bërë karshillëk, një ditë edhe ai çamarok gjashtëvjeçar, bashkë me mandolinën shkon te ata. Asnjëra palë nuk shfaqi urrejtjen, por bashkuan veglat muzikore dhe këndonin. Duke qenë se mandolina i qëndron më besnik vijës melodike të këngës, vunë të parë atë fëmijë, ndërsa ata e shoqëronin me kitarë. Edhe sot i këndon Ethemi, një pjesë të atyre këngëve italiane që mësoi në atë kohë. Ikën italianët dhe djali me mandolinë filloi të shoqëronte babanë nëpër dasma. Një dyshe muzikantësh që lajmëroheshin prej kohësh nga bashkëfshatarët e tyre, për të lezetuar edhe më shumë dasmat. Erdhi koha që djali do të pëlqehej më shumë se sa babai. Madje, në atë rastësi fatlume të festës së Poçemit, ia vuri synë edhe udhëheqja...

Por me fat u ndje edhe Filarmonia Shqiptare kur e vendosi atë 15-vjeçar, në krah të atyre burrave që kishin mbaruar studimet në konservatorët më të dëgjuar të kontinentit. Tre vjet duke luajtur pjesë operistike dhe interpretuar në koncerte të ndryshme klasike. Mbrojtja e Atdheut e thërret ushtar në një nga fshatrat e Vlorës. Nuk kalon viti dhe mjeshtri i madh Gaqo Avrazi, duke shfrytëzuar momentin që ishte në sinorin ushtarak, e sjell në Tiranë duke i dhënë violinën e parë të Ansamblit të Ushtrisë. Dhe kur shokët e tij kryenin shërbimin ushtarak, Ethemi me violinën e tij i binte Azisë cep më cep. Gjashtë muaj nëpër Bashkimin Sovjetik, Kinë, Kore, Mongoli etj. Ky turne i Ansamblit të Ushtrisë e "gradon" Ethemin gjeneral, menjëherë sapo kthehet në Tiranë. Teatri i Operas dhe Baletit e bën violinist të parë. Edhe më tërheqës portreti i tij, në këtë skenë të nderuar, kur interpretonte solo disa nga kryeveprat e operistikës botërore. Por, nuk mungonte as gjatë turneve të ndryshme artistike që zhvilloheshin nëpër botë, ku shpaloste vlerat e jashtëzakonshme të traditës dhe pasurisë sonë folklorike. Kështu, disa herë u bë pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, ansambleve amatore "Migjeni", në Francë, Itali, Zvicër, Danimarkë etj. Kjo gjeografi, vlen vetëm për atë kohë, kur në Shqipëri ishte monizmi pasi po të pyesësh tani mjeshtrin, qesh dhe nuk lodhet me listën e shteteve.

- Vetëm në Amerikë, nuk kam ikur se më duket larg prej moshës. Tre herë ma kanë nxjerrë vizën, por nuk kam guxuar ta bëj atë rrugë, - të thotë me një ndjenjë krenarie dhe kënaqësie bashkë.

Me ardhjen e demokracisë iu rritën dhe djemtë. Nuk i shkon profesion tjetër familjes Qerimi veç asaj të muzikantit. Është e tepërt të flasësh për "Trion Qerimi", pasi ata janë bërë grupi më i dëshiruar për publikun me atë repertor të shkëlqyer. Ftesa pafund nga diaspora shqiptare për këtë treshe. Çmallen dhe mallëngjehen për këngët dhe muzikën e vendit të tyre që interpretohen aq mjeshtërisht nga këta përfaqësues dinjitozë. Edhe më të bukura do të jenë surprizat e artistëve të kësaj familje, në vitet që vinë. Prej kohës, Mjeshtri i Madh, Ethem Qerimi është duke punuar për trion e dytë. Janë ata që i shikoni në fotografi, por edhe më shpesh dhe të këndshëm do t'i shikoni nëpër skena dhe ekranet televizive. Janë nipërit dhe mbesat e talentuar të gjyshit virtuoz.

Po më e bukura, e dini kush është? Vetë është 76 vjeç ndërsa violina 84 vjeç. Prodhim italian i të famshmes firmë "Guarnieri". Plot 53 vjet që e përdor këtë violinë. Edhe për këtë ka patur fat. Një i afërmi i gruas e fton një ditë në shtëpi dhe i thotë:

- Shikoje një herë këtë violinë që ma ka sjellë babai nga Italia. Ka vite që nuk e prek njeri, e hëngri mola...

Edhe këtu, si me Kumen. Ra në dashuri me shikimin e parë. E dalloi nga druri dhe pamja e bukur. Damarët i kishte të drejtë. Nga njëra anë të bardhë, ndërsa tjetra të kaftë. Nuk kishte si ta merrte falas këtë pasuri që nuk çmohej në para. Dy mijë lekë të asaj kohe ia vuri çmimin, por Ethemi i dha edhe dyqind më tepër. Të dy palët u ndjenë të fituar. Nuk e ka diferencuar dashurinë e fëmijëve, me atë të violinës. Edhe me të ka kujtime të bukura. Për ne, lexuesit, se për atë kanë qenë të trishtueshme. I kujtohet turneu që zhvilluan nëpër qytete të ndryshme të Vietnamit. Gjatë një koncerti, papritur filloi një shi i rrëmbyeshëm tropikal. T'i qullte trupin, nuk do ta merakoste ai rrebesh, por nëse një pikë shi do të binte mbi violinë për të ishte qeder i madh. Shikon bashkë me shokët e tjerë të orkestrës, nga udhëheqësi artistik për të ndërprerë ekzekutimin, por marrin urdhërin e prerë: "Vazhdoni!" Hap xhaketën dhe bëhet dysh duke e mbrojtur nga ai rrebesh. Vetëm te bishti i ranë dy-tre pika kur të tjerëve iu bënë qull. Në mëngjes, të gjithë grupit nga lagështia iu ishin hapur violinat, ndërsa Ethemit pak te bishti i saj... Po atë ditë vietnamezët iu dhanë violina të reja të gjithëve. Edhe Ethemit. Por, ashtu siç i erdhi edhe i iku ajo violinë, sa që edhe tani nuk e mban mend se ku përfundoi. Nuk i hyn në sy asnjë dashuri para kësaj që vazhdon ta magjepsë!

14 vjeç arrestohet dhe pas një viti... gradohet

Një kamionçinë ushtarake, ndaloi para portës së familjes Qerimi, në Gorishovë të Mallakastrës. Prej saj, zbriti një polic dhe kërkoi të zotin e shtëpisë.

- Ky djali juaj, do të vijë me mua!

Shtangu babai i shkretë, duke rënë në mendime se ç'të keqe mund të kishte bërë i biri.

-Shpejt se nuk kemi kohë. Hajt hip në makinë...

E ndërsa familja ia krisi të qarit, Ethemi i trembur herë pas here vetëmbrohej me justifikimin: "Pse të vij, nuk kam bërë asgjë!".

Ndaluan pak orë në Fier, plotësuan disa dokumente dhe për gjithë natën udhëtuan drejt Tiranës. Ç'kishte ngjarë?

Historia e kësaj ngjarjeje kishte nisur tre ditë më parë. Ka qenë korrik i vitit 1949. Në Poçem të Mallakastër u festua me madhështi një datë e shënuar e Luftës Nacional-Çlirimtare. Mes tyre si gjithmonë, biri i kësaj krahine me funksione të larta në pushtetin popullor e më pas do të bëhej edhe Kryeministër i Shqipërisë. Në drekën e shtruar për nder të mysafirëve thirrën edhe muzikantët Ibrahim dhe Ethem Qerimi. I ati i binte violinës, ndërsa i biri 14-vjeçar e shoqëronte me kitarë, por më mirë se atë punë bënte të kënduarit. Me frikë filluan këngën e parë për Asim Zenelin, më pas për dëshmorët e Hekalit. Më shumë se i gëzoheshin, ata i trembeshin atij përqendrimi ngaqë kishin dëgjuar për ashpërsinë e tij. La të ngrënit i pari i tavolinës dhe u bë sy e vesh, pas atyre dy ustallarëve të muzikës popullore. Atë që nuk e trembi asnjë armik, e pushtuan këta instrumentistë me dy këngët e kënduara. Ndërsa ishte përhumbur pas magjisë së tyre, me marifet kishte nxjerrë një bllok nga xhepi dhe kishte pyetur për emrin e atij djaloshi. Me të mbërritur në Tiranë kishte dhënë urdhërin e prerë. Kështu, pas atij udhëtimi enigmatik, në orën nëntë, Ethem Qerimin e zbresin nga ajo kamionçinë dhe e takojnë me drejtuesit e Filarmonisë Shqiptare. Ky institucion i sapokrijuar dhe orkestra e saj përbëhej nga 60-70 instrumentistë që kishin mbaruar studimet në shkollat më të mira të Europës. Hajde dhe kuptoje lidhjen e këtij djali nga Mallakastra që shikonte për herë të parë Tiranën, me këtë institucion të rëndësishëm kulturor. Violinistët e shquar Lam Petrela dhe Adem Beqiri që kishin mbaruar të dy në Bashkimin Sovjetik, e marrin në provë. I japin një violinë, i vënë para dhe një fletë muzikore dhe i thonë që të interpretojë atë pjesë muzikore. Nuk e kishte idenë e notave muzikore, por edhe për violinë nuk shquhej. Të atin nëpër dasma e kishte shoqëruar me mandolinë dhe kitarë. Gjithsesi, luajti aq sa dinte një pjesë popullore.

-Dëgjo mor djalë! Ti as violinën nuk e di mirë dhe as solfezhin nuk e njeh. Nuk e dimë çfarë të bëjnë me ty, ti nuk je për këtë punë..., u dëgjua të fliste njëri prej tyre, mes asaj të qeshure që i kishte pushtuar nga ajo që kishin parë.

-Dakord! Edhe unë atë dua që të kthehem në shtëpi se kam lënë babanë pa punë. Ai pa mua nuk ikën dot nëpër dasma..., - ia ktheu me sinqeritet dhe kënaqësi Ethemi. Mirëpo, kjo punë nuk varej nga dëshira e këtij djaloshi. Ishte tjetërkush që kishte lënë porosi. Për t'u justifikuar te ai lart që kishin bërë diçka për t'i dalë borxhit, por për të qenë edhe vetë shpirtërisht të qetë, i krijojnë mundësinë që të studionte një vit për violinë.

Një vit që Ethemi edhe natën e bëri ditë. Flinte vetëm pesë orë duke iu përkushtuar violinës dhe notave muzikore. Mësoi mbi dy metoda ruse dhe gjermane. U kthye viti dhe i thanë "ec të provojmë".

Tetë veta ishin në komision dhe para tyre qëndronin dy metodat e trasha që përmbanin vepra muzikore nga literatura botërore. Ia bën edhe një lëshim.

- Hape ku të duash dhe na luaj një pjesë çfarë ke mësuar, - i tha kryetari i komisionit, Artisti i Popullit, Mustafa Krantja.

Nuk lëvizi nga vendi, për të zgjedhur fatin djaloshi nga Mallakastra, por ua la atyre ta gëzonin atë shans. Mes tyre, ishin edhe ata që me të drejtë nuk kishin mbajtur dot të qeshurën para një viti, kur e kishin testuar për herë të parë. Dhe Ethem Qerimi, jo në një, por shkëlqeu në disa fletë, duke surprizuar të gjithë ata yje të muzikës shqiptare që e dëgjuan. Nuk u përmbajt i madhi Krantja, por menjëherë i komunikon gradimin e merituar:

- Ngjitu lart, në katin e dytë! Do të jesh spala për violinat e dyta në orkestrën e Filarmonisë!

"Kisha qejf të më shkruaje dy rreshta edhe për Kumen"

Hajde po deshe dhe mos ia plotëso dëshirën këtij mjeshtri të shquar të kabasë shqiptare. Të asaj kabaje që nuk e dallon dot, nëse qan violina apo i zoti. Sa njerëz janë shkulur nga salla për t'i puthur duart, pas atij përjetimi dhe interpretimi të magjishëm, ustait.

-Shumica e tyre, - thotë duke qeshur me të madhe, - kanë qenë femra.... Pastaj vazhdon edhe fjalinë tjetër për të mos u keqkuptuar.

- Pasi më pushtojnë të mallëngjyera nga emocioni dhe më puthin duart, bashkë me burrat e tyre dëshirojnë që të bëjmë një fotografi të tre. Sepse Ethem Qerimin vetëm një femër e ka mallëngjyer dhe emocionuar. Vetëm Kumja! Një ndjesi tronditëse që nuk mundi ta ndihmojë dot as violina. As emrin dhe as kabatë e famshme nuk ia kishte dëgjuar, para asaj dite që iu vardis Ethemi. Por edhe ai dalldisi pas Kumes me të parën herë. Ndërsa, kishte dalë nga Teatri i Operas dhe po ecte rrugës, sytë i shkuan te një femër që po ecte drejt tij. U magjeps sa e pa atë selvi dhe bukuri... Dhe nuk gabonte kollaj ai shpirt artisti! Ja, shikojeni në fotografi ëmbëlsinë dhe bukurinë e Kumes...

Sa e pa e humbi drejtimin. U kthye dhe iu qep nga pas. Filloi t'i flasë pa ditur nga t'ia nisë për t'i prishur mendjen. Por, edhe kohë nuk pati shumë. Kumja pas dhjetë minutash rrugë hapi portën e shtëpisë së një shoqeje. Më tepër për t'i shpëtuar asaj bezdisjeje, se sa për punë. Iu shtua edhe më tepër zjarri Ethemit nga kjo shkëputje e padëshiruar. Vuri atë derë porte nën sy dhe për gati një orë, shtoi shqetësimin dhe durimin. Doli Kumja dhe ai përsëri iu bë krah, në atë copë udhë që i kishte mbetur për të mbërritur në shtëpinë e saj, në Rrugën "Katër dëshmorët". Për fat, në gjithë ato pyetje që i drejtoi ai, te një përgjigje e saj ngjalli shpresat... Mësoi se i vëllai studionte në Çekosllovaki për klarinetë. Kaq i mjaftonte për atë ditë. Duke patur një vëlla muzikant besonte se shtoheshin edhe mundësitë e mirëkuptimit. Ia zuri udhën edhe të nesërmen. Më pas ishte Kumja që mësoi derën e Operas, aty ku punonte Ethemi, derisa pas tre javësh, bashkuan zemrat. Dashuria për të i nxorri prej shpirti këngën më të re që ai filloi ta këndojë nëpër dasma dhe gëzime familjare. "Sa të dua unë,/moj lule zambaku,/Ty të shoh në gjumë,/Më ka zenë meraku...". Nuk i tha që ia kishte kushtuar asaj por nuk e lodhi shumë meraku i asaj të fshehte. Sapo e dëgjoi për herë të parë, i xixëlluan sytë Kumes duke i përcjellë buzëqeshjen domethënëse. Me Kumen fitoi dashurinë, por edhe... shtëpinë. Familja e saj vetëm për shtëpi nuk vuante. Rreth oborrit të saj ata kishin tre shtëpi, njëra prej të cilëve e gëzuan ata. Aty ka lindur Fatosi dhe Brunoja. Më pas në shtëpinë e tyre të re lindën edhe Ardianin. Tre djem që iu bënë vëllezër dhe kolegë. Çdo gjë të mirë që ndjen te karakteri i tyre, veç muzikës, ia di për nder bashkëshortes. I ka qëlluar që për arsye turnesh artistike, të qëndrojë larg shtëpisë edhe gjashtë muaj. Të gjitha, shëndetin, ushqimin, edukimin, shkollën e tyre, i ka ndjekur Kumja. Ethemi pranon se ka bërë shumë mirë, vetëm punën e violinës. Ndërsa, Kumes ia dedikon gjithçka. Asnjëherë nuk ka mundur të këndojë, por gjithë jetën ka patur fatin që të gëzojë. Ulur në divan, përhumbej nga lumturia kur Ethemi me violinën e tij, i përulej dashurisë së saj. Ndoshta nuk ka mundur që t'i bëjë kritiken, por një gjë është e vërtetë. Të gjitha perlat e virtuozit Ethem Qerimi, janë frymëzuar dhe dëgjuar për herë të parë nga kjo femër bukuroshe. Zbehet bukuria fizike, por ka mbetur e përjetshme ajo e shpirtit. Ja, pse mjeshtri i madh i violinës dëshiron të shkruajmë dy fjalë edhe për Kumen. Vetëm ai ia di saktësisht vlerën dhe peshën kësaj dëshire!

No comments: