Friday, July 22, 2011

Teme Sejko vdiq nga torturat, e mbytën me litar në qafë

Trupi gjykues i Teme Sejkos

“Para se të ekzekutohej sipas vendimit të gjyqit, Teme Sejko është marrë dhe është çuar për t’u pyetur jashtë burgut. Aty është torturuar për t’i marrë rezervat që fshihte. Në dhunë e sipër ka ndërruar jetë. Rexhep Kolli e Nevzat Hazdenari më raportuan se Temja kishte vdekur nga shtrëngimi me litar në grykë”.

Në fakt, pohimet rrë-qethëse të Kadri Hazbiut para hestuesve në janarin e vitit 1983, ish kreu i Policisë Sekrete më herët i ka bërë para Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike. I thirrur në raport nga shefi i tij, Hazbiu është befasuar me mënyrën me të cilën Hoxha i kërkonte të dhëna për një histori të hershme. Fillimisht, njeriu që kishte ndjekur nga afër hetimet dhe dënimin e ish-kreut të Flotës Luftarake në vitet ’60, është munduar të shtejllojë rrethanat që i kujtoheshin aty për aty nga ai proces. Mirpo kreu i regjimit nuk ia ka vënë veshin dhe ka dalë menjëherë tek informatat e fundit të siguruara në rrugë agjenturore, duke i kërkuar llogari pse e kishte mbytur Teme Sejkon dhe nuk e kishte pushkatuar sipas vendimit të gjykatës. Pjesa që shpjegon Hazbiu në hetuesi, në vija të përgjithshme, është një mbivendosje e përgjigjeve të tij para Enver Hoxhës, me të vetmin ndryshim saktësimin e vendit të krimit dhe mjeteve me të cilat i morën jetën barbarisht ish-komandantit të Flotës Luftarake në majin e vitit ’61. Veç këtij episodi dramatik, marrë nga libri i Kastriot Dervishit “Kadri Hazbiu, krimet dhe vrasja e tij”, gazeta “Panorama” boton sot dëshmi të tjera të ish-shefit të Shërbimit të Fshehtë përballë akuazve të Mihallaq Ziçishtit, ish-numrit dy të Policisë Sekrete për shumë dekada, Llambi Peçinit, të besuarit të Mehemt Shehut në Sigurimin e udhëheqjes, Fiqrete Shehut, të vesë së kryeministrit të vetvrarë etj.

11.1.1983
Pyetje: Ç’keni për të thënë rreth atribuimeve që dëgjuat nga armiku Mihallaq Ziçishti se ju e keni vënë në dijeni që mbanit lidhje agjenturore me këshilltarët ushtarakë jugosllavë, të cilët i informonit për çdo gjë dhe se ishit vënë prej kohësh në shërbim të agjenturës jugosllave?
Përgjigje: Për sa i përket çështjes së marrëdhënieve me këshilltarët jugosllavë, i kam thënë vetëm në drejtim të

Teme Sejko në gjyq

marrëdhënieve të mira, normale me ta dhe jo agjenturore, pikërisht për ato marrëdhënie që kanë karakterizuar bashkëpunimin me ta, për atë kohë që ata kanë qenë pranë Sigurimit të Ushtrisë. Për sa i përket problemit të vënies në shërbim prej kohësh në favor të jugosllavëve, siç thotë Mihallaq Ziçishti, kjo është një shpifje prej spiuni të regjur.
Pyetje: Si e shpjegoni faktin që për këtë problem, edhe armiku tjetër Llambi Peçini është shprehur, siç e dëgjuat, se: “Këshilltarët jugosllavë merrnin çdo gjë që kishte Sigurimi i Ushtrisë dhe se ju kishit porositur që t’u jepej gjithçka që kërkonin ata?”
Përgjigje: Llambi Peçini jep deponimin e tij, për të cilin mban vetë ai përgjegjësi; këshilltarët jugosllavë na kanë dhënë materiale vetëm të karakterit teorik, që nuk u pranuan nga ana jonë. Lidhur me ndërtimin e punës së Sigurimit, normat e marrëdhënieve me Drejtorinë Politike e Shtatmadhorinë, rregullat administrative të marrjes së kontingjentit, përpunimit, regjistrimit, evidencës operative, por jo të dhëna konkrete për probleme të agjenturës e përpunimit. Mundet që në mungesën time, pa ardhur unë nga Bashkimi Sovjetik, i pandehuri Nesti Kerenxhi mund t’ia ketë dhënë një porosi të tillë Llambi Peçinit si zëvendësi im, për t’u dhënë jugosllavëve gjithçka që kërkonin ata. Unë vetë nuk kam dhënë një porosi të tillë, për arsye të kohës se kur erdha unë, ishin shtruar problemet e mësipërme të bazës teorike. Nuk përjashtohet që vetë jugosllavët të kenë marrë të dhëna, porse rast të evidentuar unë nuk kam.
Pyetje: I dëgjuat, i pandehur, thëniet e armikes Fiqrete Shehu, se jeni vënë në shërbim të jugosllavëve nëpërmjet Dushan Mugoshës qysh gjatë Luftës Nacionalçlirimtare dhe se keni bërë pjesë në grupin armiqësor të kryesuar nga tradhtari Mehmet Shehu. Ç’keni për të thënë?
Përgjigje: Këto nuk janë gjë tjetër, veçse shpifje monstruoze për të dyja problemet.
Pyetje: Dëgjuat edhe atë pjesë të deponimeve të tradhtarit Feçor Shehu, se veç lidhjeve shoqërore e miqësore me tradhtarin Mehmet Shehu, ju ka bashkuar edhe veprimtaria e përbashkët armiqësore që keni kryer kundër Partisë së Punës të Shqipërisë dhe vendit tonë. Ç’keni për të thënë lidhur me këtë deponim?
Përgjigje: Edhe ky deponim i Feçor Shehut që unë dëgjova, është një shpifje dhe provokacion prej agjenti; unë s’kam pasur asnjë lidhje me Mehmet Shehun, veç lidhjeve të punës, zyrtare e partie, si dhe lidhje shoqërore normale.
14.1.1983
Pyetje: I pandehur Kadri Hazbiu, dëgjuat pjesë nga deponimi i Nesti Kerenxhit se Koçi Xoxe ju zgjodhi për në aparatin e Sigurimit si njeri që do të mbanit një qëndrim projugosllav. Na thoni cili ka qenë qëndrimi juaj lidhur me bashkëpunimin me jugosllavët në atë kohë?
Përgjigje: Refuzoj të përgjigjem.
Pyetje: Dëgjuat për të njëjtin problem thëniet e të pandehurit Mihallaq Ziçishti, se armiku Koçi Xoxe kishte simpati të madhe dhe ju mbante afër, se kishit shoqëri të ngushtë me armiqtë Nesti Kerenxhi, Mehmet Shehu etj. dhe se flisnit me admirim për Titon e Jugosllavinë, siç ka ndodhur në rastin e piknikut të Ibës, me këshilltarët jugosllavë e në raste të tjera. Ç’keni për të thënë sa më sipër?
Përgjigje: Refuzoj të përgjigjem. Këto janë shpifje fund e krye. Ky është proces i montuar dhe i sajuar.

14.1.1982
Pyetje: Dëgjuat pjesë nga deponimet e të pandehurës Fiqret Shehu për bisedën e zhvilluar me të nga Nako Spiru, se tradhtari Koçi Xoxe kishte mbledhur mjaft kuadro të aftë për qëllimet e tij në favor të jugosllavëve si në KQ të Partisë, sektorin e tij edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe se një kuadër i tillë ishte Kadri Hazbiu. Ç’keni për të thënë?
Përgjigje: Refuzoj të përgjigjem. Procesi është i montuar. Këto janë deponime spiunësh dhe provokatorësh të kurdisur.
Pyetje: Siç del nga deponimet e të pandehurës Fiqret Shehu që i dëgjuat, Liri Gega ka qenë në dijeni të marrëdhënieve tuaja të afërta me Dushan Mugoshën e detyrat që ju ka ngarkuar ai gjatë Luftës e pas Luftës Nacionalçlirimtare. Na jepni shpjegime për marrëdhëniet tuaja me Dushan Mugoshën e Liri Gegën.
Përgjigje: Njohja dhe marrëdhëniet që kam pasur me Dushan Mugoshën dhe Liri Gegën janë ato që kam shpjeguar në proceset e mëparshme. Deponimet e saj janë provokacion dhe shpifje e sajuar. Refuzoj të përgjigjem më tutje.

12.3.1983
Pyetje: Na shpjegoni, i pandehur, si është zhvilluar procesi penal në ngarkim të armikut Teme Sejko etj. A keni marrë pjesë direkt në hetimin e kësaj çështjeje?
Përgjigje: Me sa kujtoj unë, kam marrë pjesë në hetimin e çështjes së Teme Sejkos që në fillim, sepse pas arrestimit ai nuk i bindej hetuesit. Për këtë arsye, kam shkuar e i kam folur unë e, pas kësaj hetimi, ka vazhduar normalisht. Unë kam marrë pjesë disa herë në hetim, se sa herë nuk mund ta përcaktoj, duke qenë i pranishëm edhe hetuesi i çështjes Ferhat Matohiti ose kryetari i degës së hetuesisë, Nevzat Haznedari. Nuk përjashtoj mundësinë që të kem qenë edhe me ndonjë person tjetër që merrej me këtë problem në rrugë operative, si ish-drejtori i Sigurimit të Shtetit në atë kohë, Rexhep Kolli.

Haxhi Lleshi, duke dekoruar Kadri hazbiun

Më kujtohet se nga mesi i procesit, e pasi Teme Sejko në një seancë hetimore kur kam qenë i pranishëm edhe unë, ka dhënë shpjegime për veprimtarinë e përbashkët armiqësore me armikun Panajot Plaku dhe për ardhjen e tij ilegalisht në Shqipëri në dy raste. Temja shpjegoi se si kishte marrë në lidhje Panajot Plakun. Më kujtohet që në rastin e parë Panajotin e kishte marrë në Konispol vetë Temja të veshur si oficer sovjetik, nga ata që ishin këshilltarë në zbulim dhe e kishte nxjerrë nga Korça. Temja ka shpjeguar se në këtë radhë, Panajoti kishte bërë një takim të fshehtë në urën e Rrogozhinës me persona të panjohur, që kishin dalë atje me një makinë të vogël. Më tej, ai nuk dha shpjegime se cilët ishin ata persona dhe pse i takoi. Ne ngritëm versionin se Panajoti duhet të ishte takuar me Maqo Çomon ose Koço Tashkon, duke u nisur nga marrëdhëniet që kishin pasur ata më parë. Herën e dytë, unë tani nuk e kujtoj se si ka ardhur Panajot Plaku dhe ç’itinerar ka ndjekur. Për këtë duhen parë proceset e asaj kohe, pasi unë nuk e mbaj mend kush e ka thënë këtë çështje. Në këtë radhë kujtoj që Panajot Plaku është çuar në Vlorë, në një banesë ku jetonte një këshilltar sovjetik dhe Arif Hasko, sipas të pandehurit Nasho Gerxho, Panajot Plaku u la në këtë shtëpi dhe ai nuk dinte si ishte larguar që andej me anën e sovjetikëve apo me rrugë të tjera. Ky fakt, që sovjetikët plekseshin në veprimtari të përbashkët spiunazhi me jugosllavët, grekët dhe amerikanët, duke gjykuar nga rasti i Panajot Plakut që erdhi në Shqipëri një herë nga Greqia dhe herën tjetër shkoi në shtëpinë ku banonte këshilltari sovjetik, nuk u kthjellua në hetim, megjithëse bindja ishte se sovjetikët e kishin marrë dhe e kishin përcjellë jashtë shtetit Panajotin. Unë kam bindjen se hetimi i çështjes së Teme Sejkos në këtë pikë dhe për probleme të tjera është sabotuar në atë kohë. Në ç’rrethana ka ndodhur kjo, unë nuk e di. Fillimisht Teme Sejko vetë ka dhënë shpjegime për Panajot Plakun, që ishte rekrutuar që në kohën e Zogut, kur punonte në Durrës në shoqërinë “Singer”. Temja nuk shpjegoi se si Panajoti kishte rënë në dorë të jugosllavëve dhe pastaj u arratis. Ai tha vetëm se Panajoti kishte studiuar me hollësi dy pika për t’u arratisur në Qafë-Thanë dhe në Bllatë. Më kujtohet se ky shpjegim i Temes konfirmohej edhe nga vetë shërbimet që kujtoja unë në atë kohë të Panajotit, në këto dy zona ku ai kishte shkuar shpesh. Në sabotimin e hetimit të kësaj çështjeje duhet të kenë luajtur rol armiku Beqir Balluku dhe armiku Mihallaq Ziçishti. I pari ka kërkuar të pyesë vetë Teme Sejkon pa praninë e ndonjë personi tjetër, me pretekstin se do të interesohej për çështjet e zbulimit të ushtrisë që Temja si spiun u kishtë dhënë amerikanëve e grëkëve. Me sa kujtoj unë, Beqiri ka shkuar në Hetuesi, por si është zhvilluar takimi i tij me Teme Sejkon duke qenë hetuesi ose kryetari i degës së hetuesisë apo jo, unë nuk di të them. Unë vetë nuk kujtoj që të kem qenë me Beqir Ballukun në këtë takim, po ashtu nuk e kam takuar Temen ndonjëherë vetëm pa hetuesin. Po kështu, armiku Mihallaq Ziçishti si ish-zëvendësministër që e kishte në linjë problemin e komplotit të Teme Sejkos dhe e njihte me hollësi procesin, mund dhe duhet të ketë ndikuar në sabotimin e këtij procesi si tradhtar që ka qenë. Ai duhet të japë shpjegime për këtë problem. Theksoj se në atë kohë, siç kam thënë edhe unë në proceset e mëparshme, këshilltarët sovjetikë interesoheshin për të mësuar se ç’ka thënë Teme Sejkua në Hetuesi, duke e justifikuar kërkesën e tyre me faktin që Temja dinte problemet e bazës së Vlorës, të cilat mund t’ua kishte dhënë amerikanëve ose grekëve, por që siç kam shpjeguar me lejen time, atyre nuk u është dhënë gjë. Mbasi u dënua Teme Sejko dhe komplotistët e tjerë, duke pasur parasysh se ai kishte rezerva, është punuar me të. Para se të ekzekutohej ai, është marrë nga Rexhep Kolli dhe Nevzat Haznedari me sa kujtoj unë dhe është çuar për t’u pyetur jashtë burgut, duke përdorur edhe dhunë fizike për të marrë rezervat që kishte mbajtur. Më kujtohet që unë vetë kam shkuar në vendin ku po pyetjet Teme Sejko, me sa mbaj mend ka qenë kohë darke dhe Rexhepi e Nevzati më kanë raportuar se Temja kishte vdekur gjatë ushtrimit të dhunës dhe se gjë tjetër nuk kishte thënë veç atyre që kishte thënë në Hetuesi. Si më kujtohet, Rexhepi e Nevzati më thanë se Temja kishte vdekur nga shtrëngimi me litar në qafë gjatë pyetjes. Unë nuk jam i sigurt nëse e kam parë ose jo të vdekur Temen, këtë dhomën ku thanë se ishte, po kështu nuk di se ku u varros ai. Me këtë problem janë marrë Nevzati, Rexhepi dhe personeli tjetër. Unë kam shkuar tek vendi ku pyetej Teme Sejko me shpresë se ai mund të kishte thënë ndonjë gjë të re e t’i shtyja afatin e ekzekutimit, por siç thashë, kur shkova, e gjeta të vdekur.
Pyetje: E dini ju i pandehur vendin ku është varrosur Teme Sejko?
Përgjigje: Nuk e di as si vend, as si zonë. Me këtë janë marrë personat që përmenda më sipër.
Pyetje: Po vendin e varrimit të komplotistëve, që u dënuan në vitin 1975, e dini ju, i pandehur?
Përgjigje: Atë e di si vend, por jo si pikë ekzakte. Këtë e di, sepse u interesova që të bëhej e pamundur gjetja e kufomave të tyre sido që të ndodhte, sepse kështu ishte dhe porosia…

vijon…

Tragjedia e admiralit besnik që u dënua për tradhti

Teme Sejko

Me një fluks dekoratash për besnikëri të lartë ndaj Partisë dhe atdheut, Teme Sejko, ish-komandanti i flotës, u dënua për tradhti ndaj tyre(!). Lajmi tronditës për admiralin nga Çamëria, njeriun që ishte shquar në luftimet e Brigadës së Parë Sulmuese dhe kishte shkëlqyer gjatë studimeve në akademitë më prestigjioze të kohës, bëri bujë të jashtëzakonshme. Ishte maji i vitit 1961. Teme Sejko sa kishte mbushur dy vjet në krye të Flotës Luftarake dhe kishte përballuar me dinjitet situatën konfliktuale midis efektivave shqiptaro-sovjetike në pragun e divorcit me Traktatin e Varshavës. Për suksesin në sprovën e pazakontë ishte shpërblyer me gardën më të lartë në sistemin e arëms ku shërbente. E teksa priste të tjera vlerësime për devocionin ndaj detyrës dhe partisë në pushtet, u gjend befasisht i kryqëzuar, madje me një mal akuzash të padëgjuara kurrë. Në maratonën pa fund të seancave hetimore, i kërkohej për të shpjeguar lidhjet me agjenturën greke, jugosllavëve dhe amerikanëve. Pastaj, admirali Sejko, për regjimin do shpallej kreu i një “grupi komplotistësh që do përmbyste pushtetin popullor me dhunë.” Diktatura nuk e rezervoi fatin e keq vetëm për të, por për tërë rrethin e miqve e të afërmve. Familja u përfshi nga një kalvar tragjik i pashembullt. I pari u pushkatua, djali i vogël, Sokoli me akuzën se do hidhte në erë kombinatin e tekstileve të Beratit. Djali tjetër u dënua tetë vjet për agjitacion e propagandë. Shpresa Sejko, bashkëshortja, disa orë pas arrestimit të tij, vrau veten. Nga tërë familja, jeton vetëm djali i madh, Rajmondi, aktualisht emigrant në SHBA.

Survejimi i Mehmet Shehut

Në përgjgje të interesimit të hetuesve për porositë e dhëna lidhur me survejimin e Mehmet Shehut në kohën kur ishte shkarkuar nga kreu i shtatmadhorisë shqiptare dhe ishte shpallur element i papërshtatshëm, Hazbiu dëshmon se ka pasur orientim për të parë, ndjekur e dëgjuar komentet dhe parullat në drejtim të veprimtarisë së Mehmet Shehut, por jo survejim dhe ndjekje të tij.

Takimet e fshehta të Panajot Plakut

Në rastin e parë, Panajot Plaku u fut nga Greqia dhe shkoi në Konispol i veshur si oficer sovjetik, shoqëruar nga Teme Sejko. Aty zhvilloi takime e biseda me njerëz të pakënqaur që ndiqen nga Sigurimi i Shtetit. Herën e dytë, Plaku shkoi ilegalisht në Vlorë në banesën e një këshilltari sovjetik. Aty takoi edhe Arif Haskon. Dyshohej, pohon Hazbiu, se këtë në këtë mision të fshehtë atë e mbështesnin agjentët sovjetikë, që janë të lidhur me ata jugosllavë.

AFRIM IMAJ

No comments: